PERGJIMET/ Ikën te një burrë tjetër dhe i kërkon 1 mijë euro bashkëshortit…që të kthehet

Jul 28, 2015 | 6:23
SHPËRNDAJE

Një 26-vjeçare po gjykohet në Gjykatën për Krimet e Rënda për “gjobëvënie” ndaj bashkëshortit të saj. Aleksandra Sh. është larguar papritur nga banesa bashkëshortore për në banesën e një personi tjetër. Më pas, përmes “mikut” të saj të ri, ajo i ka bërë presion bashkëshortit, duke i kërkuar një shumë parash, dyshohet rreth 1 mijë euro, në këmbim të kthimit të saj në shtëpi.

krimet-e-renda

Plani i tyre është dekonspiruar shumë shpejt, pasi veprimet hetimore të kryera pas kallëzimit të gjobëvënies kanë zbuluar autorët e saj. Gazeta ka siguruar dosjen e Prokurorisë në ngarkim të Aleksandra Sh. dhe të bashkëpandehurit të saj Kosta Ago, 37 vjeç, e depozituar për gjykim te Krimet e Rënda. Dy të pandehurit akuzohen për akuzën e “shtrëngimit për dhënie pasurie”.

Seanca e parë e këtij procesi e zhvilluar ditët e fundit u shty për shkak të mosparaqitjes së avokatit mbrojtës të të pandehurës. Në këto kushte Gjykata e pati të pamundur të deklarojë të hapur shqyrtimin gjyqësor dhe e shtyu seancën për më 29 korrik. Dy të pandehurit ishin të pranishëm në sallën e gjyqit.

GJOBEVENIA

Referuar dosjes së Prokurorisë, historia e gjobëvënies brenda familjes ka ndodhur në muajin janar të këtij viti, në zonën e Bilishtit.

Kallëzimi për gjobëvënien është bërë nga ana e bashkëshortit të të pandehurës Aleksandra Sh. Kallëzuesi P.Sh. ka rrëfyer para oficerëve të Policisë Gjyqësore se kishte marrë një telefonatë nga një person i panjohur, i cili i kërkonte një shumë parash në këmbim të kthimit në banesë të bashkëshortes së tij. Ai ka rrëfyer se bashkëshortja i kishte ikur nga banesa papritmas dhe se asnjë prej familjarëve nuk kishte dijeni për vendndodhjen e saj.

“Shtetasja Aleksandra Sh. është larguar nga banesa e saj, banesë në të cilën jetonte me bashkëshortin P.Sh. Pas largimit nga banesa, kjo shtetase ka shkuar në banesën e shtetasit Kosta Ago. Gjatë qëndrimit në banesën e të pandehurit Kosta Ago, e pandehura Aleksandra Sh. i ka kërkuar atij që të telefononte bashkëshortin e saj, duke i kërkuar një shumë të hollash në këmbim të lejimit për ta kthyer në shtëpi të bashkëshortes së tij”, thuhej në dosjen e akuzës.

Sipas Prokurorisë, e pandehura ia ka vënë në dispozicion të pandehurit Ago numrin telefonik të bashkëshortit të saj. Më pas, i shtyrë nga 26-vjeçarja, i pandehuri Ago i ka telefonuar kallëzuesit dhe i ka kërkuar shumën e parave. “Nga të dhënat e përftuara rezulton se nga kërkimi që i është bërë shtetasit P.Sh. është një kërkim i padrejtë dhe është përdorur emri i bashkëshortes së tij, me qëllimin për të krijuar frikë te kallëzuesi”, shprehej Prokuroria.

PERGJIMET
Sipas Prokurorisë, përgjimet kanë zbuluar autorët e gjobëvënies. “Si rezultat i veprimeve procedurale është bërë i mundur zbulimi i autorëve të ngjarjes dhe konkretisht është zbuluar se bashkëshortja e kallëzuesit Aleksandra Sh. ka shkuar në banesën e shtetasit Kosta (Roberto) Ago dhe nga banesa e këtij shtetasi kanë marrë në telefon në bashkëpunim me njëri-tjetrin kallëzuesin P.Sh., duke i kërkuar një shumë parash në këmbim të kthimit në banesë së të shoqes, shtetases Aleksandra Sh.

NGA ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura