Përgjigje një insinuate

Jul 1, 2016 | 12:20
SHPËRNDAJE

Bilal KolaBILAL KOLA

I dashur Z. Kripa!

Meqenëse në shkrimin tuaj të dt. 27/06/ 2016 në median e shkruar më luteni (dhe këtë lutje ma keni bërë edhe herë të tjera) t’u kthej përgjigje disa pyetjeve që vetë ju me anë të insinuatave aspak të holla u jeni vetëpërgjigjur. Në respekt të moshës së thyer dhe origjinës suaj familjare, me modesti po jua plotësoj dëshirën dhe po ju jap disa përgjigje faktike.

Por, së pari, më lejoni t’ju rikujtoj një premtimin tim publik të para rreth dy vjetësh (sapo pranova ta marr detyrën aktuale), kur kam deklaruar se: “Nuk ka forcë tokësore që më vendos mua përballë të përndjekurve. Unë qëkurse jam kthyer nga studimet në vitin 2000, jam dhe do mbetem në krah të komunitetit tim si një aktivist i kauzës së të përndjekurve politikë”.

Desha t’ju rikujtoj këtë premtim publik, pasi ju siguroj se nuk ka insinuatë, shpifje, fyerje a çdo lloj forme tjetër komunikimi privat ose publik që më bën mua të devijoj nga qëndrimi im. Është fakt që çështja e Memorialit është diskutuar prej vitesh nga komuniteti i të përndjekurve.

As më ka shkuar ndonjëherë në mendje të mendoj, jo më të them se këtë çështje e “shpika” unë. Por është po ashtu fakt se me të ardhur unë në krye të Institutit, e kam vënë këtë çështje në katër prioritetet e punës sime. Në këtë kontekst, kam bërë bisedime me Drejtorin e mëparshëm të Fondacionit Konrad Adenauer, si dhe Drejtorin aktual, z. Walter Gloss.

Më pas kemi zhvilluar një takim me rreth 20 përfaqësues nga komuniteti i të përndjekurve në zyrat e Konrad Adenauer, ku i pranishëm ishte Kryetari juaj dhe njëkohësisht miku im i dashur, Simon Miraka (me të cilin kam një bashkëpunim të shkëlqyer, sikurse e kam me të gjithë kryetarët e shoqatave të ish-përndjekurve).

Është fakt se Konferencën Ndërkombëtare për Memorialin e kam iniciuar unë (në cilësinë e pozicionit që kam) dhe kjo konferencë është bashkë-organizuar nga Instituti dhe Fondacioni Konrad Adenauer.

Është fakt se në këtë konferencë kemi ftuar Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Ministrin e Mirëqenies Sociale, Kryetarin e Bashkisë, Avokatin e Popullit, rreth 20 deputetë të PD-së, kryetarin e Ballit dhe Legalitetit, si dhe të gjithë kryetarët e shoqatave kombëtare etj., duke përfshirë natyrisht Kryetarin tuaj, Z. Simon Miraka (por jo ju – se nuk jeni ende i tillë, kurdo që të bëheni, lutem më njoftoni që ta mbaj shënim).

I dashur z. Kripa, ju më pyesni mua ku ndodhen ata që kanë kryer krime ndaj kësaj shtrese dhe po vetë i përgjigjeni pyetjes që ngrini duke thënë që ndodhen në pozicione të larta… Është fakt që unë nuk kam qenë ndonjëherë Kryetar Shteti, Kryeministër, Ministër, anëtar KLD-je apo deputet. Përgjegjësinë kush i ka emëruar dhe promovuar kriminelët kërkojua atyre që kanë qenë në këto pozicione.

Është fakt se në pozicionin ku jam, unë kam kontribuar me pasion në përgatitjen e ligjit të dosjeve, i cili ka një nen eksplicit, sipas të cilit institucionet janë të detyruara të bëjnë kallëzim dhe çojnë për ndjekje penale cilindo person që ka kryer krime kundër të përndjekurve gjatë diktaturës. Është fakt se unë kam mbajtur publikisht gjithmonë qëndrimin tim të palëkundur që ky ligj pa lustracion nuk është perfekt, por së paku nxjerr në pah përçudninë dhe terrorin e ushtruar nga Sigurimi i Shtetit dhe krijon mundësinë për dënimin e kriminelëve.

Është fakt se që prej 9 muajsh unë kam denoncuar publikisht shpërfilljen e hapur që i bëhet zbatimit të këtij ligji nga parlamenti (m.q.s ju njihni google, lutem vijoni kërkimin për mua dhe ju siguroj që do gjeni dhjetëra prononcime të miat në median e shkruar dhe atë vizive në lidhje me këto denoncime).

E pra, unë e kam bërë energjikisht këtë gjë duke qenë pjesë integrale e draftimit të ligjit që krijon mundësinë e dënimit të kriminelëve, të njëjtën gjë pres ta bëni edhe ju – dhe nëse nuk ua dini adresat këtyre personave që në 25 vjet nuk kanë dashur dhe ende nuk duan ta bëjnë, me kënaqësi jua jap unë.

Është fakt se prej 25 vitesh ka vazhduar demagogjia me gjetjen e eshtrave të martirëve të lirisë dhe viktimave të komunizmit (ju dhe shumëkush e di që unë kam 12 familjarë të mi të pushkatuar pa gjyq nga komunizmi). Por gjithashtu është fakt se duke e pasur një prioritet të punës sime, unë kam dhënë kontributin tim maksimal në afrimin e organizatës ndërkombëtare më prestigjioze në botë, Komisionit Ndërkombëtar për Gjetjen e të Zhdukurve (ICMP), për ta nisur këtë proces dhe si Institut kemi mbështetur ICMP për thithjen e fondeve nga BE (ju bëj me dije se BE është shumë pranë akordimit të një fondi të tillë për ICMP).

Është fakt që unë kam ngritur zërin kundër qeverisë aktuale, duke kërkuar që ajo të kontribuojë me fonde, por deri më sot asnjë qeveri nuk e ka bërë një gjë të tillë (lutem vijoni me google…). Ju besoj nuk keni qenë gjithë kohën në gjumë gjatë këtyre 25 vjetëve, pasi qartazi zgjuar atë pjesë respektive të ditës keni refuzuar t’u kërkoni llogari atyre që e dështuan në mënyrë spektakolare me dashje këtë proces fisnik.

Është fakt se gjatë këtyre dy vjetëve që jam në këtë detyrë, me mundësi financiare tejet modeste, por duke bashkëpunuar me donatorë institucionalë, kemi kontribuar në promovimin e një numri të lartë të librave të ishtë burgosurve politikë, projekte të kujtesës kolektive, ngritjen e memorialit në kampin famëkeq të Tepelenës, vendosjen e pllakës memoriale në ish-Burgun e Spaçit, aktivitete të ndryshme përkujtimore, duke përfshirë edhe mbështetjen e nevojshme financiare për këtë të fundit në Shkodër (lutem interesohuni dhe verifikoni këto fakte).

Është fakt se ligji i Statusit nuk është zbatuar qëkurse është miratuar, por është gjithashtu fakt se unë përballem çdo ditë me institucione shtetërore në kërkim të mbrojtjes së të drejtave të komunitetit që përfaqësoj. Çudi e madhe që ju si aktivist “i flaktë” i çështjes së të përndjekurve keni mbyllur sytë dhe duke bërë sikur nuk shikoni që partia ku ju militoni e ka shpërfillur plotësisht de facto, por pa e abroguar de jure këtë ligj. Por unë, ndryshe nga ju, nuk falem dhe as kam milituar ndonjëherë në ndonjë parti të majtë (refuzoj të përdor termin “parti e djathtë”, se në Shqipëri partitë që kanë dominuar skenën politike këta 25 vjet janë të gjitha të majta) e për rrjedhojë falë Zotit nuk jam peng i askujt, partia ime e vetme është komuniteti që unë përfaqësoj.

Ju nga padija ose nga keqdashja (për hir të moshës dhe origjinës që keni uroj me zemër të jetë e para), më thoni që unë nuk kam kërkuar dënimin dhe heqjen e dekoratave të diktatorit gjakatar, Enver Hoxha?!

Ju sugjeroj të vijoni kërkimet në google dhe mbasi ta keni bërë kërkimin e të shihni prononcimet e mia pa fund, ju ftoj të kërkoni ndjesë publikisht, pasi, nëse nuk e bëni, do konfirmoni që këtë akuzë e keni bërë me keqdashje (unë keqdashje pres nga shumë syresh që kanë ende teserën e “partisë mëmë ose mëmës parti” në partinë ku ju militoni, por kurrsesi prej jush)! Më kërkoni t’ju përgjigjem se me cilin subjekt do kandidoj për t’u bërë deputet, duke e dhënë vetë përgjigjen në mënyrë krejt të trashë dhe tërësisht pa kripë se “jam hedhur në krahët e së majtës…”.

I dashur Z. Kripa, kjo përgjigje nuk është vetëm për ju, por është për gjithë komunitetin tim, i cili përfaqëson rreth 35% të popullit shqiptar, por nuk përfaqësohet as edhe 1% në Parlament, administratë qendrore, vendore, diplomaci apo çdo hallkë tjetër të vendimmarrjes në Republikën e Shqipërisë. Kjo provon faktin e pakontestueshëm që partitë që kanë dominuar skenën politike në Shqipëri janë thellësisht të majta – nëse nuk je “i bindur” (megjithëse unë e di fort mirë që ti e di, por thjesht “bën” sikur nuk e di), pyet ndonjë syresh që të përfaqëson ty me “devotshmëri”, si p.sh. Kastriot Islami.

Përpara se ta jap këtë përgjigje, më lejoni të ndaj me ju një fakt tjetër të lashtë sa vetë njerëzimi: “Përveç empirikes, asgjë tjetër nuk është dije, por është thjesht një hipotezë ose spekullim”. Për këtë arsye më lejoni të ndaj me ju disa DIJE:

1. Stërgjyshi i gjyshit tim, Nezir Kola, përpara rreth 200 vjetësh u ka prirë matjanëve në Luftë kundër garnizonit turk të Dervish Pashës. Gjyshi i gjyshit tim, Ahmet Kola, ka marrë pjesë me delegacionin e Matit në Lidhjen e Prizrenit.

Babai i gjyshit tim, Islam Kola, ka shoqëruar Ahmet Zogun në Shpalljen e Pavarësisë. Gjyshi im, Bilal Kola, ka qenë krahu i djathtë i Abaz Kupit, i cili i kishte besuar gjithë organizimin e mbrojtjes përgjatë zhvillimeve të Konferencës së Mukjes. Im atë, Kurt Kola, ka qenë disident i palëkundur i diktaturës dhe një nga simbolet e qëndresës në burgjet komuniste. 22 familjarë të mi e kanë filluar kalvarin e internimeve në maj 1945- shtator 1991 (disa prej tyre të lindur në internim, duke përfshirë edhe mua);

2. Një herë të vetme kam kandiduar për deputet deri më sot. Në vitin 2005 kandidova me Lëvizjen Për Zhvillim Kombëtar – Leka Zogu I, një koalicion i përbërë nga subjekte tradicionalisht të djathta (dhe nëse nuk e di, elektorati më dha më shumë vota se çdo kandidati tjetër në këtë subjekt elektoral, dhe po të mos ishte për grabitjen e votave që është pjella e të gjitha të këqijave në këta 25 vjet, me siguri do isha duke përfaqësuar dhe mbrojtur kauzën komunitetit tim në Kuvend).

Ndava me ju këto fakte empirike për të konfirmuar se me mua është vështirë të spekullohet (ju sugjeroj të vijoni kërkimet në google për të vërtetuar këto fakte)! Po, unë aspiroj të kandidoj për deputet dhe do konkurroj për deputet me një subjekt realisht të djathtë, pasi vetë jam gjenetikisht dhe ideologjikisht i djathtë dhe do kërkoj votën e gjithë shtresës që përfaqësoj, duke përfshirë edhe votën tënde (nëse tani në moshë tejet të thyer do të lësh zemrën dhe idealin e të parëve ta marrë vendimin)!

Pa paragjykuar askënd, ju do keni mundësinë e zgjedhjes për t’u përfaqësuar në Kuvend midis një djali të këtij komuniteti dhe le të themi Kastriot Islamit a dikujt të ngjashëm (që jam i sigurt që thirrjen për thyerje kafkash ta thotë ty përsëri nëse i do t’i paraqitej konteksti i duhur)…, zgjedhja ka për të qenë ekskluzivisht në ndërgjegjen tuaj personale, pasi shtresa që unë përfaqësoj as që e diskuton këtë gjë!

Tani që ju dhashë përgjigjen, më lejoni t’ju them arsyen pse aspiroj të jem në Kuvend! Unë aspiroj të jem atje, pasi komuniteti që përfaqësoj ma kërkon me insistim këtë gjë – për të përfaqësuar kauzën e papërfaqësuar të së djathtës në Shqipëri dhe për të kontribuar energjikisht, intelektualisht në adresimin e të gjitha çështjeve që ju parashtroni si të pazgjidhura, por që komuniteti im i di fort mirë që politika e 25 vjetëve (së cilës fatkeqësisht me ose pa ndërgjegje i shërben edhe ti), nuk ka dashur t’i zgjidhë!

Meqenëse jeni në moshë tejet të thyer dhe meqenëse keni shprehur vlerësim për mua si individ dhe origjinën time familjare (për origjinën tuaj familjare ju siguroj se kam respekt dhe nderim të thellë), me zemër dëshiroj t’ju konstatoj një fakt dhe t’ju ofroj, nëse më lejoni, një këshillë:

Fakt: Maskaradat i kanë bërë dhe i bëjnë maskarenjtë që kanë denigruar shtresën më fisnike të kombit shqiptar, atë shtresë që fitoi paqen, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe aspiratën tonë kombëtare për integrim euroatlantik. Unë i përkas kësaj shtrese dhe jam munduar me të gjithë energjinë time fizike dhe mendore të jem në shërbim të shtresës që përfaqësoj e të askujt tjetër! Unë e kam shumë të qartë (druaj dhe më vjen keq të konstatoj që këtu ndryshojmë bashkë) përkatësinë time familjare dhe KURRË nuk komprometoj me gjakun e të parëve të mi!

Këshillë: Jeni shumë i vjetër për t’u përdorur, lutem për hir të origjinës suaj familjare mos gaboni duke bërë insinuata kundër shtresës suaj, se nuk do keni kohë më ta shlyeni gabimin!

*Drejtor i Institutit për Integrimin e ishtë Përndjekurve Politikë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura