Përfituesi kryesor nga grabitja e pronave në bregdet, zbardhet emri i biznesmenit nga Tirana. Pse u liruan ish-drejtoresha dhe ish-juristja

Oct 28, 2019 | 13:34
SHPËRNDAJE

KADASTRA-MASA-MBULIM.mpg_snapshot_00.15

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ/ Nga tre ish-drejtorët e Hipotekës së Durrësit, të arrestuar për përfshirjen në skemën e tjetërsimit të mbi 6 hektarë tokë në zonën bregdetare të Gjirit të Lalzit, vetëm njëri është lënë në burg.

Gjykata e Durrësit mbajti dje seancën për vlerësimin e masave të sigurisë për 17 nga 20 personat e arrestuar për tjetërsimin e 68 mijë metrave katrorë tokë shtetërore, kryesisht në zonën turistike të Gjirit të Lalzit dhe Kepit të Rodonit.

Vetëm 9 nga të arrestuarit u lanë në burg, mes të cilëve janë ish-drejtori i Hipotekës, Ardian Iljazaj, dhe ish-kryetari i Komunës Ishëm, Sulejman Ibrahimi. Për 5 të akuzuar të tjerë u vendos masë sigurie “Arrest me burg”, kurse tre të tjerë u lanë në “Detyrim paraqitje”.

Për ish-drejtoreshën Edlira Nova, 34 vjeçe, e akuzuar për “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, u vendos masa “Detyrim paraqitje”, nisur dhe nga fakti se ka një djalë me çrregullime të spektrit autik e duhet të kujdeset për të.

Masë të tillë u caktua dhe për Malvina Deçka, 34 vjeçe, ish-juriste në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Durrës, e dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, pasi është shtatzënë.

Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë u mbajt me dyer të mbyllura, ndërsa mësohet se të arrestuarit nuk e kanë pranuar akuzën.

Ardian Iljazaj
Ardian Iljazaj

Nga hetimet ka rezultuar se përgjatë 5 viteve, nga viti 2013 e në vazhdim, personat nën hetim kanë bashkëpunuar për të tjetërsuar tokën shtetërore përkundrejt përfitimit të vlerave të ndryshme monetare.

Përfituesi kryesor, një biznesmen nga Tirana

Përveç personave të arrestuar, në hetim janë dhe 3 persona të tjerë, të cilët rezultojnë ende të shpallur në kërkim. Mes tyre është dhe biznesmeni Lush Osmani, i cili dyshohet se është përfituesi kryesor. Osmani akuzohet se ka përfituar një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhe një godinë në mënyrë korruptive, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Ai akuzohet për “Falsifikim i dokumenteve” më shumë se një herë dhe “Përvetësim i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”. Sipas hetuesve, sipërfaqja e madhe e tokës u është kaluar 5 personave, 4 prej të cilëve të arrestuar, ndërsa vetëm Osmani është në kërkim. Nga hetimet që kanë zgjatur për rreth një vit, mësohet se këta punonjës, mes tyre drejtues, juristë, hartograf, topograf, specialist, duke shpërdoruar detyrën, kanë tjetërsuar këtë hapësirë nga tokë shtetërore pa frut në tokë are, ua kanë shpërndarë personave të ndryshëm kundrejt përfitimit. Këtë sipërfaqe toke ua kanë shpërndarë personave me banim në Durrës, të cilëve nuk u takonte të merrnin tokë në pronësi sipas ligjit.

“Fillimisht, toka shtetërore pa frut është regjistruar si tokë arë, pastaj është ndarë në bazë të ligjit 7501 dhe më pas u është kaluar personave të ndryshëm kundrejt përfitimit”, thanë burime nga grupi hetimit. Këto burime thonë se skema e tjetërsimit të pronës ka nisur vite me parë, në ish-Komunën Ishëm, që ka bërë kompensim pronash në mënyrë abuzive, ndërsa vitet e fundit, këto toka janë regjistruar edhe në Hipotekë.

Po përmes falsifikimit të të dhënave dhe zhdukjes së dokumentacionit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme janë regjistruar dhe më pas tjetërsuar. Skema është zbuluar nga hetimet e nisura gjatë këtij viti, ku ish-zyrtarë dhe përfitues janë mbajtur në përgjim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura