Përfaqësimi i grave në politikën shqiptare është 20 për qind, OSBE: Partitë të rrisin numrin

Mar 6, 2015 | 18:27
SHPËRNDAJE

Në kuadër të afrimit të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, theksoi nevojën për një rritje të dukshme të përfaqësimit të grave në politikën shqiptare, si një element kyç për zhvillimin e mëtejshëm të demokracisë.

Kreu i OSBE-se ne Shqiperi, Florian Raunin

“Përfaqësimi i ndjeshëm i grave në vendimmarrje është thelbësor për çdo vend që dëshiron të arrijë potencialin e tij të plotë. Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm, veçanërisht përmes rritjes së numrit të grave në qeveri në 30 për qind”,-tha Raunig. “Megjithatë, ka ende sfida, pasi gratë përbëjnë vetëm 20 për qind në anëtarëve të Kuvendit, dhe veçanërisht në qeverinë vendore, ku vetëm 12 për qind e anëtarëve të këshillave bashkiakë dhe vetëm një për qind e kryetarëve të bashkive e komunave janë gra”.

Raunig përshëndeti nismën e grave deputete dhe të organizmave të tjera për të rritur numrin dhe pjesëmarrjen e grave në politikë. “Disa parti politike janë zotuar se do ta rrisin numrin e grave në listat e kandidatëve. Kjo është për t’u lavdëruar dhe shpresojmë të jetë një tregues që klasa politike shqiptare synon ta trajtojë seriozisht çështjen e barazisë gjinore në politikë. Po ashtu, është thelbësore që partitë t’i vendosin gratë në pozicione të tilla në listat e kandidatëve që u japin një mundësi të ndershme dhe realiste për t’u zgjedhur”,-tha ai.

Me afrimin e zgjedhjeve vendore të 2015-s, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri thotë se ka shtuar përpjekjet për të promovuar barazinë gjinore dhe për t’i fuqizuar gratë për të marrë plotësisht pjesë në jetën publike dhe politike. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura