Për një mentore si Ermonela Jaho

Mar 16, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Nje gje eshte e sigurt, këta studentë e këngëtarë të rinj që po trajnohen prej saj do t’i jenë gjithnjë mirënjohës fatit! Sopranoja Ermonela Jaho ka qenë në Teatrin e Operës dhe Baletit, për të bërë provat e koncertit të këngëtarëve të rinj lirikë, që u dha mbrëmë në TKOB.

jaho 1

Është i dukshëm pasioni me të cilin angazhohet sopranoja, por kjo, nuk ka pse të çudisë askënd sepse, të mos ishte këtu, nuk do të ishte aty ku është, duke shëtitur teatrot më të mira të botës. “Mendja nuk duhet të jetë një enë që mbushet, po një zjarr që ushqehet gjithmonë”.

Për të dytën herë, sopranoja Ermonela Jaho, nominuar së fundmi nga “International Opera Awards” në Readers’Award, me këtë moto është rikthyer në vendin e saj. Megjithëse me një kalendar tepër të ngjeshur artistik dhe një ngarkesë fizike e emocionale pas interpretimit të “Suor Angelica” në Royal Opera House në Londër, ajo ka përfunduar fazën e dytë të kursit të specializimi për këngëtarë lirikë.

jaho 2

Pas kontributit dhënë në tetor të vitit 2015, Ermonela Jaho, një nga këngëtaret lirike më të kërkuara në skenat botërore, është rikthyer në Tiranë, për të ndarë pak nga eksperienca e saj me artistët e rinj të TKOB-it dhe studentë të Universitetit të Arteve. Ka qenë vetë ajo ideatore e masterklasit “Kurs specializimi për këngëtarë lirikë”, një projekt ky që është mbështetur plotësisht nga TKOBAP.

jaho 3

Ashtu sikurse edhe në fazën e parë, qëllimi i këtij projekti tepër të vlefshëm është të frymëzojë artistët e rinj e të ndihmojë në përgatitjen e përditshme të tyre për të arritur majat e shprehjes artistike. Sipas drejtuesve të TKOBit, “ky kurs specializimi është një mundësi e jashtëzakonshme për rritje artistike për të rinjtë dhe studentë të artit lirik, të cilët shumë shpejt mund të jenë potencial i gjeneratës së re pranë Teatrit”.

Në këtë fazë të dytë, të shoqëruar nga pianistja e institucionit Ardita Bufaj, ishin përzgjedhur të punonin me sopranon Jaho këngëtarët e rinj: Zana Abazi, Ulpjana Aliaj, Denis Skura, Marina Kurti, Antonio Zefi, Ivana Hoxha dhe Enkelejda Kamani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura