“Për lotët e fëmijëve dje në Marsejë, kjo ishte një humbje e fituar”

Jun 16, 2016 | 20:17
SHPËRNDAJE

Gazetari Blendi Fevziu ishte edhe dje në stadium për ta parë nga afër ndeshjen e kombëtares kuqezi me Francën. Në një shkrim publikuar në “Opinion.al”, ai përshkruan se çfarë ka parë dhe si e ka përjetuar dhimbjen e më të vegjëlve që ishin në stadium.

Gazetari Blendi Fevziu ne stadium per ndeshjen Francë-Shqipëri
Gazetari Blendi Fevziu ne stadium per ndeshjen Francë-Shqipëri

“I pashë të qanin në dyert e daljes së Velodromit në Marsejë! Veshur me fanelën e ekipit kombëtar dhe me fytyrën pikturuar kuq e zi.

Shumica mbanin në duar flamuj dhe shalle dhe përsërisnin me zërin fëmijënor thirrjet e më të rriturve: o sa mirë me qenë shqiptar, oe oe! Vinin nga gjithë viset e botës ku jetojnë e po kaq nga Shqipëria.

Qanin me lot të vërtetë, të sinqertë dhe pyesnin prindërit e tyre se përse nuk kemi fat, përse humbim gjithnjë dhe humbim në fund. Ndër gjithë dhimbjet, ajo e fëmijëve është me e trishtuara. Ata e përjetojnë më fort dhe më me sinqeritet. Ndaj doja të shkruaja diçka për ta”.

Sipas Fevziut, “ishte një Shqipëri e bukur ajo dje. Në fushë dhe jashtë fushe. Në Velodrom dhe në rrugët e Marsejës”.

“Pak rëndësi ka humbja. Kemi humbur kaq shumë në historinë tonë sa një më tepër s’ka asnjë rëndësi. Kjo ishte një humbje e fituar. Madje fitorja jonë më e madhe.

Ndaj, doja t’ju thoja atë që prindërit ju thoshin dje ndërsa ju fshinin lotët: do fitojmë ndeshjet e tjera, sepse ndryshe nga dikur, ne dimë të jemi sot fitues.

Mos e humbisni kurrë besimin tek ekipi juaj kuq e zi. Sot dhe në vitet që vijnë. Ai është krenaria jua, dhe ju jeni krenaria e tij!”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura