Për Gjermaninë, pastaj për Partinë!

Apr 10, 2018 | 11:26
SHPËRNDAJE

BASHKIM-ZENELI-17BASHKIM ZENELI

Duhet të jesh një ushtar shumë i verbër i partisë, që të mos arrish të shohësh se në humbjet e 3 herëve radhazi të zgjedhjeve parlamentare, SPD ndodhet para shqetësimeve shumë parimore”. Kështu do të shprehej Peer Steinbruck, një nga figurat më autoritare të SPD-së gjermane, ish-ministër dhe kandidat për kancelar në zgjedhjet e vitit 2013. Në zgjedhjet e 24 shtatorit të kaluar, SPD mori një faturë shumë të rëndë: ajo do të kishte vetëm 20.5 për qind të votuesve ose 5.2 për qind më pak se në zgjedhjet e vitit 2013.

Është rezultati më i ulët që kjo parti (që në maj feston 165 vjetorin e saj), ka marrë që nga viti 1949, në zgjedhjet e para të pas luftës, me afro 30 për qind. Ndërkohë që rezultatin më të lartë të kë- tyre afro 70 viteve e ka arritur në vitin 1972 me 46 për qind. Nën qeverisjet e kancelarëve Brandt, Schmidt dhe Schroder, ka marrë përherë 42 për qind të votave, duke dalë fituese në zgjedhje. Sot SPD, me Bundestagun prej 709 anëtarësh, përfaqësohet vetëm me 153 deputetë.

Humbja ka qenë e gjithanshme, socialdemokratët humbën në të gjitha rajonet, në të gjitha shtresat sociale, në çdo mjedis dhe kategori. Vetëm në Bremën ishte forca më e madhe. Edhe në 15 landet e tjera ka vetëm rënie. Në 8 lande ka rënë nën 18 për qind. Në 4 lande SPD ka më pak se AFD (Alternativa për Gjermaninë). Atje ajo ishte forcë e 4-t, edhe mbas “Të Majtës”. Në radhët e të rinjve nën 30 vjeç, SPD në shkallë vendi ka marrë vetëm 19 për qind të votave. 500 mijë votues të saj shkuan në zgjedhjet e fundit me partinë populiste të djathtë të AFD dhe 700 mijë kaluan me “Të Majtët”.

Erozioni është në dritë të diellit. Analistë e politologë të shumtë e shohin këtë humbje në shumë plane. Disa mendojnë, se, midis të tjerave, ka ndikuar edhe fakti i bashkëqeverisjes me CDU 2 herë, e tani 3 herë radhazi. Ata, apo edhe figura shumë të njohura të SPD-së, nuk shprehen aspak kundër koalicionit me unionin CDU-CSU në interes të Gjermanisë dhe Europës, por më faktin se gjatë këtyre koalicioneve, SPD humbi ndjeshëm thelbin opozitar të saj, profilin e saj.

Dhe mbi të gjitha, duke u marrë thjesht me zbatimin e programit qeverisës, la mbas dore çështje të rëndësishme të programit të saj, të përmbajtjes, të problemeve organizative etj.. Sigurisht, bashkëqeverisja me unionin CDU-CSU, për të qeverisur Gjermaninë dhe për ta bërë përherë e më të fuqishme, lokomotivë të zhvillimeve politike dhe ekonomike në Europë, është një vlerë e jashtëzakonshme përgjegjësie e socialdemokratëve, për të vënë Gjermaninë mbi partinë.

Por në parti u lanë mangët shumë gjëra. Që nga viti 2005, SPD ka ndërruar 6 kryetarë e tani, deri në kongresin e ardhshëm, drejton me një komisar të ngarkuar. Sot në Gjermani, publikisht flitet për “mjerim të socialdemokratëve”. Dhe ky term i referohet një eseje të njohur të politologut të njohur gjerman Ralf Dahrendorf, të publikuar në vitin 1987, në të përmuajshmen “Mërkur”. Dhe krahasohet me situatën e sotme të SPD-së. Vetëm 2 në 10 votues votuan për SPD-në. Dhe për një parti të njohur popullore, kjo krahasohet me një disastër.

SPD, sipas publikimeve, po shkon drejt mplakjes; 54 për qind e anëtarëve janë mbi 60 vjeç; 73 për qind janë mbi 50 vjeç; dhe vetëm 8 për qind janë nën 30 vjeç. Sigurisht, në 2-3 dekadat e fundit, këtë mjerim të socialdemokratëve e kanë ndjerë edhe shumë parti të majta. Në Francë, në zgjedhjet presidenciale të prillit, të vitit të kaluar, kandidati i PS-së (Parti Socialist), që në raundin e parë u largua krejtësisht i dështuar, vetëm me 6.4 për qind. Dhe pak javë më vonë në zgjedhjet për Asamblenë Kombëtare, PS ra edhe më poshtë, në 5.7 për qind.

Në Holandë, Partij van de Arbeid (PVDA) në zgjedhjet parlamentare të marsit 2017 mori vetëm 5.6 për qind të votave dhe përfaqësohet në parlament vetëm me 9 deputetë. Në Austri, SPO ra më poshtë se në zgjedhjet e mëparshme dhe i la rrugë të hapur për bashkëqeverisje me OVP-në, partinë e kancelarit Kurz, një partie populiste të djathë, duke vënë jo pak në vështirësi e provë kancelarin 32-vjeçar. Në Itali ka kohë që Partia Socialiste ka dalë nga skena politike dhe ato që mbetën, iu bashkuan Partisë Demokratike të Mateo Renzit, duke krijuar një hermafrodit, një dy sektor që do të ishte humbëse e madhe në zgjedhjet e marsit që sapo kaloi.

Në Greqinë fqinje PASOK-u me traditë të njohur qeverisëse, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2015 ra në 6.3 për qind dhe tani e përçarë është edhe me rrezikun për të mos kapur pragun për përfaqësimin në parlament. Në Spanjë PSOE, krenare në kohën e Filipe Gonzales-it në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2016, mori vetëm 22 për qind të votave. Në vendet Skandinave, socialdemokratëve, që kanë dominuar në vite, tani i kanë rënë “pendët”. Në Europën Perëndimore, bën një përjashtim Partia Laburiste e Britanisë së Madhe (Labour Party) e Jeremy Corbyn, që duket në rritje.

Por le të ndalemi aty ku e nisëm, te Gjermania. Aty ka një rënie të përgjithshme të elektoratit, jo vetëm në SPD, por edhe të partive të tjera. Edhe CDU edhe CSU kanë marrë në shtatorin e kaluar rezultatin më të ulët që nga viti 1949. Skena e Bundestagut me 709 deputetë nga 630 që kishte 4 vite më parë, tani si forcë e tretë parlamentare ka AFD-në, një parti populiste e djathtë, antieuropiane dhe me pikëpamje raciste.

Ajo ka hyrë në Bundestag për herë të parë që nga paslufta, për “faj” të partive të mëdha… Është folur edhe në SPD që pas zgjedhjeve të vitit 2005 për “rinovim” të Partisë, “për rigjallërim”, për funksionim organizativ efiçentë”, etj.. Por është bërë pak. Dhe këtu u përqendrua edhe Martin Schulz kur u zgjodh kryetar i SPD-së me 100 për qind të votave, në mars të vitit të kaluar, mbas 24 viteve eurodeputet dhe vitet e fundit dhe kryetar i Parlamentit Europian.

Me SPD, zoti Schulz u prit me entuziazëm, sidomos në bazë. Ai foli me theks të fortë se partia humbte dhe nuk analizonte humbjen e asgjë nuk ndodhte. Dhe kjo, sipas tij, duhej të merrte fund. Me këtë gjuhë, me sondazhet gati deri në prag të zgjedhjeve, SPD shkonte nga 33-35 për qind të votave, që do të shqetë- sonte jo pak, edhe vetë kancelaren Merkel dhe CDU-në e saj. Por, u duk se ky rezultat ishte një përzierje midis hipnozës dhe narkozës… (kështu shprehet Steinbruck). Mbas humbjes me zgjedhjet e 24 shtatorit, kryetari Schulz kundërshtoi prerë koalicionin me CDU-në, duke deklaruar se do të qëndronte në opozitë dhe do t’i kushtohej vetëm punës me forcimin e partisë.

Ai fliste vazhdimisht për “ripërtëritje” të SPD-së. Edhe në zgjedhjet e kaluara, në kongresin e partisë, ai siguroi mbështetje nga delegatët, duke u rivotuar për kryetar me 82 për qind të votave. Kryesia e partisë nga 35 anëtarë do të bëhej më 45 anëtarë. Por, në kongres nuk u analizua si duhet as humbja dhe as nevoja e bashkimit të rrymave të ndryshme në parti, as programi dhe as ndryshimet organizative, me idenë për ta bërë këtë jo nën ndikimin e humbjes, por më vonë.

Dhe kjo ndodhte vetëm 2 javë mbas 19 nëntorit 2017, kur ishte mësuar se kishte dështuar koalicioni i mundshëm i unionit CDU-CSU, me Liberalët dhe të Gjelbërit (Koalicioni Jamaika) Dhe për SPD-në, mbas thirrjes së kancelares Merkel për bashkëqeverisje lindi dilema: përgjegjësi për bashkëqeverisje, apo përgjegjësi për përtëritjen e Partisë.

Dhe kjo ishte një provë e vështirë. SPD ishte vërtetë e humbur. Partia ishte përgatitur për opozitë. Gjermania kërkonte qeverisje. Ose do të shkohej në zgjedhje të parakohshme. Në dëm të Gjermanisë dhe ndoshta në favor të AFD-së, që mund edhe të rritej më tej: Po në dëm të Gjermanisë. SPD kishte folur me sloganin “Për më shumë drejtësi” (Gerechtigkeit) në fushatën elektorale.

Por, mbas koalicioneve vërtet shumë të suksesshme me CDU-në, në vitet 2005 dhe 2013, në interes të Gjermanisë, duket se ky slogan elektoral nuk zuri vend në elektorat. Ai nuk mobilizoi njeri. 70 për qind të votuesve nuk e dinin se cila ishte tema themelore e fushatës zgjedhore të SPD-së. Programi i PSD-së fliste për gjithçka, por shumë cekët. Si do të mund të zbërthehej slogani “Koha për më shumë drejtësi” në atë Gjermani të fuqishme, me mirëqenie të lartë, me papunësinë më të ulët në Europë; një vend me një ekonomi shumë të fuqishme, një vend model i shtetit të së drejtës dhe të organizimit, me një politikë të qartë, të fuqishme për Europën e bashkuar, për forcimin e saj, për paqen, lirinë dhe sigurinë në botë… Në një vend ku qytetarët janë të kënaqur me mirëqenien!

Në anketimet në kuadër të fushatës elektorale 80 për qind e popullit gjerman shprehej se “unë jam mirë”, 73 për qind shprehej se “Merkel punon mirë”, dhe 60 për qind e shihnin më të mirë për kancelar zonjën Merkel se zotin Schulz. Madje, zoti Schulz me emocion mbas humbjes do të deklaronte se: “Dua t’ia bëj të qartë zonjës Merkel se unë e bëj atë përgjegjëse personalisht për humbjen e demokracisë gjermane”. Kjo do të vlerësohej nga politikanë të njohur të së majtës si e pavërtetë dhe me një pamje të gabuar për vendin, për Gjermaninë dhe për shoqërinë e saj.

Schulz, me këtë u nxitua. Politologë të shquar gjerman sot flasin për një program elektoral të SPD-së që nuk elektrizoi askënd. Në të 113 faqet e këtij programi kishte më shumë thjesht mesazhe, se sa qëndrime e politika qeverisëse në çdo fushë. Ndaj dhe slogani elektoral ishte krejtësisht abstrakt bosh, që nuk prekte nervin e popullsisë. Duke u nisur nga ai rol i padiskutueshëm i Gjermanisë në Europë me zhvillimet e saj, socialdemokratët gjermanë dhe çuditërisht kryetari Schulz (ish-Kryetari i Parlamentit Europian) folën shumë pak për Europën.

Ndryshe nga sa foli Emanuel Macron në zgjedhjet parlamentare në Francë. Dhe ky ishte një boshllëk i madh ideor, politik, strategjik dhe pragmatist i SPD-së. Sot nuk ka Europë të fortë pa Gjermaninë dhe roli i saj sidomos në këtë BE me probleme e jo në gjendjen më të mirë të saj ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm. Dhe u fol se dhe kjo do të ishte pjesë e analizës në humbjen, por më shumë se çdo gjë, “rigjallërimi” i partisë. Dhe opinioni në parti u mbush aq shumë me të qëndruarit në opozitë për t’u “rigjallëruar”, saqë mbas thirrjes së zonjës Merkel, për herë të dytë për koalicion, SPD ishte krejtësisht e hutuar dhe e paqartë në shumicë.

Tani përgjegjësia rritej. Ishte një përgjegjësi për Gjermaninë, për Europën dhe partia nuk mund t’i shmangej kësaj. Dhe u mblodh përsëri një kongres i jashtëzakonshëm. Kryetari Schulz tani duhej e do të fliste ndryshe. Po sa do të bindej partia? Tani shtrohej më hapur se kurrë dhe nga Presidenti i vendit, Steinmeier, alternativa midis përgjegjësisë dhe besueshmërisë politike për bashkëqeverisje për përgjegjësinë politike shtetërore dhe thjesht në vetvete, organizimit për të ringritur dhe ringjallur partinë. Kongresi nuk do të vendoste dot dhe u shkrua një referendum partiak, që SPD me mbi 60 për qind i tha “Po” koalicionit me unionin CDU-CSU (Organizata e Rinisë Socialdemokrate mbeti deri në fund kundër bashkëqeverisjes).

Kryetari Schulz, pavarësisht nga ç’kishte deklaruar më parë, punoi me shumë përgjegjësi për të bindur partinë për koalicionin bashkëqeverisës me zonjën Merkel. Dhe kur e arriti këtë, ai dha dorëheqjen si kryetar i SPD-së. Edhe në këtë gjendje të vështirë që po kalon socialdemokracia gjermane, përgjegjë- sia dhe interesi për Gjermaninë fitoi mbi thjesht interesin për “rigjallërimin” dhe “riorganizimin” e partisë. Është një fakt shumë domethënës, se në dy koalicionet e mëdha që nga 2005 (tani i treti), SPD ka qenë një partner i jashtëzakonisht i besueshëm në qeverisje.

Ministrat e saj kanë qenë ndër figurat më autoritare të partisë dhe me përgjegjësi në fatet e vendit. Për Gjermaninë kanë qenë përherë idealistë dhe pragmatistë të vendosur dhe të përkushtuar. Tani pritet një analizë e thellë në parti për humbjen, për gjithçka lidhet jo vetëm me këtë humbje të 24 shtatorit 2017, por në të gjitha humbjet që nga 2005-a. Flitet për një reformë të plotë programuese dhe organizative të SPD-së, flitet edhe se partia duhet t’i rikthehet më shumë mendjeve të ndritura e të shquara në çdo fushë, kapacitetit intelektual që ose janë larguar, ose që nuk janë afruar.

Tani flitet se përsëri, më shumë se asnjëherë tjetër, partisë i duhet udhëheqësi i tipit Villy Brand, Helmut Schmidt, Gerhard Schroder, por edhe të kontribuuesve aq të shquar në dekada në SPD si Carlo Schmidt, Egon Bahr, Horst Ehmke, Peter Gloz, Erhard Eppler etj., etj.. SPD sot kërkon bashkim, kërkon t’i japë fund meftëshisë, përçarjes, grindjeve, rrymave, kultura e debatit flitet nga udhëheqës të saj, se ka ardhur duke rënë përherë. Kjo do të jetë një nga sjelljet parimore të “rigjallërimit”. Udhëheqës dhe figura me peshë në parti, sot duke kërkuar një analizë të shëndoshë, që deri më tani, në 13 vite ka munguar si e tillë.

Theksojnë se ajo nuk duhet të jetë thjesht si qëllim në vetvete, por duhet të lidhet ngushtë me tre faktorë: Së pari, Europa dhe përgjegjësi e madhe për të; së dyti, liri në kapitalizmin digjital; dhe së fundmi, solidaritet në shoqërinë gjermane. Një SPD e fuqishme i shërben më mirë një Gjermanie të fuqishme. U deshën plot 171 ditë për të krijuar koalicionin e ri të kancelares Merkel, nga 87 ditë që ishte dashur të pritej në më të shumtën e kohës gjatë 70 viteve, në vitin 2013.

Dhe Europa i mbante sytë te Gjermania, pse jo edhe bota… Dhe këtë përgjegjësi të spikatur politike, morale, institucionale, partiake, e ka pakkush në Europë, për të mos thënë askush si Gjermania dhe gjermanët. Dhe ky është një shërbim i madh jo vetëm për atdheun e tyre, Gjermaninë, por për të gjithë Europën, për paqen, lirinë, programin, bashkëpunimin, mirëkuptimin, për sigurinë. Në fund të fundit, kjo përgjegjësi e madhe e Gjermanisë është edhe për ne ballkanasit, të hallakatur siç jemi. Është edhe për ne shqiptarët që me vepra e jo me fjalë, spirancën duhet ta hedhim te Gjermania!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura