Pensionet, Qeveria plan për rritje 2-3 për qind

Apr 28, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Qeveria ka parashikuar edhe për këtë vit të rrisë pensionet, ku shtesa që do të përfitojnë pensionistët do të jetë më shumë se indeksimi i inflacionit. Burime në Ministrinë e Financave thanë për gazetën se rritja e parashikuar pritet të jetë në kufijtë e 2 deri në 3 për qind.

1Nga Ministria e Financave kanë nisur përllogaritjet që do të finalizohen në muajin korrik, dhe përfitues do të jenë rreth 600 mijë pensionistë të skemës. Llogaritjet për rritjen e pensioneve po kryhen mbi transfertën e buxhetit që akordohet për rritjen e pensioneve me vlerë 1,112 milionë lekë. Me fondin 1,2 miliard lekë që kanë në dispozicion, Financat përllogarisin që rritja e pensioneve të variojë 2 deri në 3 për qind.

Në këto shifra, indeksimi i pensioneve kalon normën aktuale të inflacionit të ushqimeve në 0,2 për qind. Përfitues do të jenë rreth 600 mijë pensionistë, përkatësisht 453,511 pensionistë që jetojnë në qytet dhe 145,800 që jetojnë në fshat. Ministria e Financave, edhe për këtë vit vendimin për rritjen e pensioneve do t’ia paraqesë qeverisë në muajin korrik, ndërsa efekti financiar i rritjes nis nga 1 gushti.

SKEMA

Me përdorimin e fondit për rritjen e pensioneve me vlerë 1,2 miliard, e përkthyer në rritjen e pensioneve në masën 2 deri në 3 për qind, qeveria synon të rrisë konsumin privat. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë raportuan për rënie të besimit të familjeve shqiptare në blerjet e mëdha dhe në raportin e të ardhurave me shpenzimeve.

Për këto arsye, Qeveria parashikon që rritja e pensioneve të ndikojë në rritjen e shpenzimeve, çka pritet të sjellë rritjen e konsumit, me kontribut të rritjes së pensioneve. Në muajin korrik pensionet do të pësojnë gati dyfish rritje më të lartë se vitin e kaluar.

Në 2015-n, qeveria nuk përdori të gjithë fondin e transfertës për rritjen e pensioneve. Në total, për pagesat e pensioneve të të gjithë kategoria, për pensionet e ish-ushtarakëve, pagesat e të verbërve dhe shtresave në nevojë, fondi i përdorur nga qeveria për 2016- n është në vlerën e 108,180 milionë lekëve.

Në 2015-n, qeveria indeksoi pensionet 1,4 për qind dhe fondi i akorduar ishte në vlerën e 554 milionë lekëve, kjo mbetet rritja më e ulët e regjistruar ndonjëherë. Për 2014-n pensionet u indeksuan në masën 2 për qind. Skema e pensioneve e përdorur që nga 2015- a parashikon indeksim të pensioneve.

Për 2017-n, qeveria parashikon të kryejë rritjen e pagave për punonjësit e administratës. Gjatë viteve të fundit, administrata është përjashtuar nga rritja e pagave, ku qeveria ka akorduar fonde për dhënie shpërblimesh për mjekët, mësuesit dhe studentët e ekselencës.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura