PD: Si Rama po kap drejtësinë, shembulli i ”gjyqtares kamikaze”

Aug 4, 2018 | 16:17
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike shprehu shqetësimin për procesin e vetingut duke akuzuar se me diktimin e Kryeministrit Rama, po mbahen në sistem gjyqtarë e prokurorë të korruptuar.

Këtë herë, PD denoncoi rastin e Brikena Ukperaj, gjyqtarja e Apelit në Vlorë. Sipas Ina Zhupës, zëdhënëse e PD-së, ky është një nga rastet kur vetingu ka vepruar me dy standarde, duke ligjëruar pasuri të  pajustifikuara të gjyqtares.

zhupa

“Mosjustifikimi dhe mungesa e një hetimi të thelluar nga organet e vettingut për një shtëpi në emër të bashkëshortit. Problemet për blerjen e një automjeti, për të cilin organet e vetingut nuk hetuan me vëmendje, si dhe mosverifikimi i plotë i ankimit të familjes Bodo kundër vendimit të dyshimtë për aferën e 200 hektarëve tokë në Karaburun që favorizoi deputetin socialist Fidel Ylli. Këto janë tre pikat e errëta të vendimit të organeve të vetingut, që po mban në sistemin e drejtësisë gjyqtarë të korruptuar”, tha Zhupa.

Sipas saj, arsyeja përse Brikena Ukperaj ka kaluar shkallën e parë të vetingut, shpjegohet me skemën e Edi Ramës për të kontrolluar Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Brikena Ukperaj është person kyç në skemën e Edi Ramës, dhe po nxitet  prej tij të aplikojë për ta zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë  Gjyqësor, tha Zhupa nga selia blu.

“Me shumë gjasë, gjyqtarja e Apelit të Vlorës, me pasuri të  pajustifikuar, por e konfirmuar në detyrë, do të mbetet e vetmja  kandidate potenciale për në KLGJ, duke qenë kështu një kamikaze në këtë Këshill dhe zbatuese e qartë e skemës së Edi Ramës për të kapur  sistemin gjyqësorë, veçanërisht Gjykatën Antikorrupsion. Me një gjyqtare lehtësisht të shantazhueshme për pasuritë e  pajustifikuara dhe vendimet e dyshimta, Edi Rama e ka më të lehtë kapjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor akoma pa u ngritur, duke e shndërruar reformën në drejtësi në një farsë politike dhe duke shuar shpresat e shqiptarëve për një drejtësi që ndëshkon politikanët e  korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura