PD: Qytetarët do paguajnë 52 milionë USD për legalizimet.

Apr 30, 2014 | 13:46
SHPËRNDAJE

Aldo Bumçi
Partia Demokratike e cilësoi mashtrim premtimin e Kryeministrit Rama për legalizim falas të ndërtimeve pa leje. Deputeti Aldo Bumçi tha se në asnjë nga nenet e projektligjit që maxhoranca po diskuton në Kuvend, nuk përmendet legalizimi falas. “E kemi paralajmëruar Edi Ramën që në krye të herës se dita e përballjes me popullin për megamashtrimet elektorale nuk do të ishte e largët. Sot kjo ditë ka ardhur dhe Edi Ramës i duhet të japë llogari për çdo mashtrim, duke nisur nga ai për legalizimet falas”, tha Bumçi. Sipas tij: “Çdo shqiptar e ka kuptuar sot se legalizimet falas ishin kryemashtrimi i Ramës, legalizimi falas është tullumbacja e tij e cila ka plasur, dhe si e tillë, çfarëdo që të bëjë Edi Rama, nuk e fryn dot më”. Duke analizuar projektligjin që është në diskutim, Bumçi tha se drafti e nxjerr zbuluar qeverinë nga premtimet elektorale. “Në asnjë prej 26 neneve të projektligjit me firmë e vulë të Kryeministrit nuk flitet për legalizim falas. Sipas nenit 9 të projektligjit, vetëm tarifa do paguhet nga shteti. Kjo tarifë për ata që nuk e kanë paguar është maksimumi 20 mijë lekë”, tha ai. Për deputetin demokrat, ajo që qeveria ka planifikuar të mbledhë nga procesi i legalizimit falas, sipas Bumçit shifrat flasin vetë se nuk kemi të bëjmë me legalizim falas. “Qeveria ka planifikuar të arkëtojë nga pagesat e legalizimeve të ndërtimeve pa leje afërsisht 52 milionë dollarë deri në vitin 2017. Legalizim “falas” për Edi Ramën do të thotë që qytetarët të paguajnë mbi 1.3 miliard lekë çdo vit, për vitet 2014, 2015, 2016 dhe 2017. Nuk ka sot shqiptar që beson se një qeveri mund të arkëtojë një shumë të tillë nga një proces falas”, tha Bumçi.

Reagon PS: PD dështoi me legalizimet
Partia Socialiste reagoi ndaj akuzave të demokratit Bumçi. Deputeti Pjerin Ndreu tha se qeveria e mëparshme dështoi me procesin e legalizimit, ndërsa me ligjin e ri përfitojnë 67 mijë familje legalizim falas. “Pasi iu doli turpi për çka nuk kanë bërë tetë vjet rresht, kanë filluar të na kërkojnë edhe llogari për dështimet e tyre. Premtuan tetë vjet rresht legalizime e sot që legalizimet po kryhen, derdhin lot krokodili. Nga projektligji i ri përfitojnë legalizime falas plot 67 mijë familje në Shqipëri. Ashtu siç kemi premtuar, kjo qeveri do t’i kryejë legalizimet”, tha Ndreu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura