PD nuk humbet asnjë shans për të humbur një shans

Jul 28, 2021 | 9:47
SHPËRNDAJE

adri-nurellari-e1506504241437

ADRI NURELLARI

Konventa e Partisë Demokratike, në vend që të shërbente si një dëshmi që kjo parti ringrihet në këmbë kur rrëzohet dhe di të rigjenerohet për t’iu dhënë qytetarëve ofertën më të mirë politike në vend, la një shije të hidhur të ngjashme me garën e ngutshme për kryetar. Konventa qe një shans për të rikthyer a besimin e munguar të shumë shqiptarëve dhe për të bërë një diferencë të qartë morale me partinë-shtet që sundon në Shqipëri. Pra, do duhej të nxirreshin mësime nga pësimet. Mësimi kryesor nga këto zgjedhje të humbura duhej të ishte që Rama nuk mund të mundet me armët e tij dhe në terrenin e tij, ku ka epërsi, përvojë e talent, por me të kundërtat. Terreni dhe armët që mund ta mundin Ramën dhe Partinë Socialiste janë demokracia, transparenca, meritokracia, përgjegjësia, vizioni, patriotizmi, idealizmi, të cilat duhet të kishin ardhur në konventë nëpërmjet reformimit të statutit, programit dhe përzgjedhjes së kuadrove.

Në Shqipëri nuk tregon ndonjë guxim të madh apo fisnikëri kur kritikon opozitën, sidomos kur ajo përballet me një qeveri abuzive dhe me tendenca autoritare. Gjëja më e lehtë dhe më e palavdishme që mund të bësh është të godasësh të dobëtin, sidomos kur nuk ke takat të kritikosh më të fortin. Shoqëria civile, bota akademike, mediat e forcat e tjera të gjalla kanë për detyrë që të vënë para përgjegjësisë dhe kërkojnë llogari ndaj qeverisë sepse ajo i ka fatet e vendit në dorë dhe menaxhon me taksat tona dhe pronën tonë publike. Shumë si unë mbyllën sytë e hundën ndaj shumë problemeve që kishte PD-ja, pikërisht sepse besonim sinqerisht që, pavarësisht të metave, një rrotacion i pushtetit ishte shumë i dobishëm për Shqipërinë duke i dhënë një frymëmarrje demokracisë shqiptare.

Megjithatë, nëse para zgjedhjeve kritikat ndaj PD-së do ishin të dëmshme sepse rrezikonin rezultatin e zgjedhjeve, pas zgjedhjeve ato janë shumë të dobishme sepse do të nxisnin ato reforma të brendshme që do ta bënin PD-në fitimtare në betejat e ardhshme. Për më tepër, PDja i ka humbur tashmë goxha shanse sikurse qe ai i pjesëmarrjes në ndarjen administrative që do pengonte gërrymanderrin, humbja e shansit për të marrë pjesë në zgjedhje lokale, gjë që do ndalte betonizimin e pushtetit të PS-së edhe në nivel lokal apo humbja e shansin për të penguar në Parlament atë reformë elektorale që dëmtoi rëndë opozitën. Në kushtet kur Partia Demokratike është e vetmja mundësi e zbehtë për një kthesë, atëherë është e pashmangshme që të mos flasësh ndonjëherë edhe për të. Si organizata që mban mbi kurriz barrën e rëndë së shpresës për ndryshim të këtij vendi, do duhej që të shqetësohemi për shëndetin e saj.

Prandaj, Konventa ishte shqetësuese sepse në përgjithësi ngjasonte me të ashtuquajturën “Dhome te Jehones”, një term ky i shkencave sociale që përdoret shpesh si metafore për te përshkruar një situate ne te cilën bindjet apo qëndrimet përforcohen nga komunikimi i përsëritur brenda një sistemi te mbyllur e të izoluar prej mendimeve alternative apo opinioneve ndryshe. Një dhomë jehone nënkupton që anëtarët dëgjojnë vetëm jehonën e zërit te tyre, qe është kthyer prapa pasi është përplasur brenda mureve te dhomës. Kështu bunkerizohen në psikologjinë e grupit, duke e trajtuar jehonën e zërit të tyre si rikonfirmim apo vërtetim te opinionit që kanë shprehur. Besimi për personat e tjerë të brendshëm fillon të rritet në mënyrë të pakontrolluar. Njëherazi fillojnë gjithnjë e më shumë të mos besojnë te të gjithë ata që ndodhen jashtë kësaj dhome (pra, që flasin ndryshe), edhe kur janë dashamirë, sikurse është autori i këtij shkrimi.

I vetmi që ia shpëtoi disi fytyrën Konventës ishte Mark Marku, i cili u shpreh hapur, me kurajë qytetare e ndershmëri intelektuale. Shumë të tjerë që mendonin si Marku dhe që kritikojnë kur janë në tavolina private, heshtën, duke u konfirmuar. Mirëpo, ajo që e bëri akoma më të habitshme Konventën, ishte mungesa e një fjalimi të rastit prej dy kandidatëve të garës së brendshme për kryetar, Shehaj dhe Harxhi. Ata si sfidantë ua kishin borxh, sidomos mbështetësve të tyre, por edhe mbarë anëtarësisë dhe opinionit publik që të shpreheshin e deklaroheshin për qëndrimet e tyre dhe të ardhmen e partisë.

Me pak fjalë, konventa ishte një mundësi e humbur për të bërë diferencën apo kontrastin e qartë moral me Partinë Socialiste, duke dëshmuar se PD-ja ka vlera të qenësishme të përbrendësuara, të cilat do t’i aplikojë nëse vjen në pushtet. PD mund të rikthehet fitimtare përkundrejt tendencave autoritare të Ramës, duke mishëruar thellësisht brenda saj vlerat të demokracisë së brendshme që nënkuptojnë ndikimin e anëtarësisë dhe strukturave në vendimmarrje, respektimin e ligjit dhe statutit, kultivimin e debatit të hapur të brendshëm, garën e shëndetshme dhe të ndershme si dhe formalizimin e fraksioneve të ndryshme brenda partisë. Prandaj, PD-ja do duhej për shembull në konventë një statut të ri të përditësuar që të përqafojë normat dhe praktikat më të avancuara demokratike të partive perëndimore duke e bërë sërish një model pararoje në vend.

Formalizimi i fraksioneve të ndryshme të partisë mund të ishte një ndër mjetet kryesore, me anë të të cilit do të sigurohet që të shmangen skizmat apo largimet e dëmshme që kanë ndodhur në periudhat e kaluara, por edhe do të mundësojë hyrjen në parti të figurave apo grupimeve të reja që aty do të gjenin një ambient të përshtatshëm mikpritës për të bërë jetën politike. Gjithashtu, një ndër elementet thelbësore që do duhej të mishërojë PD-ja te statuti i saj është fryma e mundësisë. PD do duhet të ishte partia e mundësive e hapur për prurje të reja, ku ka shanse të shumta për çdo aktivist të zotë, të dedikuar apo të suksesshëm që të bëj karrierë. Kjo do të thotë së pari që të largohen ata funksionarë partie që tashmë kanë pasur disa mundësi për ta dëshmuar veten duke hapur rrugën për figura të reja të pakomprometuara e të pashantazhueshme. Madje, edhe të krijonte një qeveri në hije, një praktikë karakteristike e sistemeve partiake të dominuara nga dy parti, për t’u projektuar gradualisht te qytetari si një alternativë e besueshme qeverisëse.

Po ashtu, kjo nënkupton edhe ndërtimin e një sistemi që bën të mundur garimin, konkurrencën e ndershme, monitorimin, matjen e vlerësimin transparent e të ndershëm të punës së secilit anëtar. Kjo lloj reforme jo vetëm që rrit efikasitetin dhe mobilizimin e anëtarësisë, duke rritur për rrjedhojë edhe suksesin, por edhe përmirëson imazhin e PD-së tek elektorati si një parti me integritet që ofron mundësi meritokratike, gjë që i shtyn ata të besojnë se kjo gjë do të reflektohet edhe në qeverisje. Prandaj në rrethana të tilla do të duhej që statuti i reformuar të garantonte rregulla të qarta të konkurrimit të brendshëm si dhe që të mundësonte maksimumin e meritokracisë në karrierën e aktivistëve të saj. Pra, do duhej që t’i jepnin fund nepotizmit dhe të mundësonin që brenda partisë të avancojnë anëtarët që kanë më shumë talent, përkushtim apo rezultate.

Po ashtu, konventa do duhej që të propozonte e nxirrte një program të ri të freskuar politik. Sot nevojitet hartimi i programit të ri të PD-së, që siguron orientim të qartë ideologjik dhe shpalosje të qartë të identitetit dhe vlerave të PD-së. Qytetarët janë gjithnjë e më të zhgënjyer e të neveritur ndaj pragmatizmit dhe oportunizmit politik të skajshëm që mbizotëron te ne. Kjo situatë bën që qytetarët t’i konsiderojnë të gjitha partitë njësoj joparimore e jokoherente. Thënë më shkoqur, qytetarët nuk besojnë te politikanët që përkulin e spërdredhin idealet apo qëndrimet e tyre sa herë që iu leverdis. Madje, ky ka qenë një ndër shpjegimet kryesore të studiuesve për valën e partive ekstremiste populiste që u shfaqën në mënyrë të suksesshme anembanë Europës para pak vitesh dhe që lanë në hije partitë tradicionale që dukeshin gjithnjë e më shumë si njëra-tjetra.

Në rastin tonë, ky besoj ka qenë edhe një ndër arsyet që shpjegon fenomenin masiv të blerjes së votës, te qytetarët e varfër që mendojnë se partitë politike nuk dallojnë nga njëra-tjetra e nuk do sjellin ndonjë ndryshim thelbësor në jetën e tyre nëse ka rrotacion. Në një situatë të tillë, atëherë thjesht përpiqen të sigurojnë ndonjë përfitim imediat material në shkëmbim të votës sepse nuk besojnë që vota e tyre mund të sjellë ndonjë ndryshim tjetër më cilësor për jetët e tyre. Unë jam i bindur që shumica e atyre që kanë shituar votën, kanë menduar se rrotacioni nuk sjell ndonjë shkëputje radikale nga e kaluara. E kanë konsideruar ardhjen e opozitës në pushtet jo si një lojë të re, por si vazhdim të skenarit të mëparshëm që kësaj radhe do të luhej me aktorë të tjerë që pjesërisht janë provuar tashmë në të kaluarën. Rrjedhimisht mendoj se për të rikthyer besimin e qytetarëve cinik tek PD-ja ajo duhet të japë një ofertë të qartë programore parimore dhe të përfaqësohet me personalitete të panjollosur më parë nga pushteti.

Kjo nënkupton ballafaqimin me kurajë të problemeve më të mëdha therëse të Shqipërisë si varfëria, papunësia, korrupsioni, emigracioni, kriminalizimi etj., duke nxjerrë ofertë konkrete përmbajtjesore të frymëzuar nga orientimi ideologjik i partisë. Konkretisht, oferta programore do duhej të nxirrte në pah parimet konservatore të qendrës së djathtë që nga ana sociale promovojnë mbrojtjen dhe kultivimin e krenarisë kombëtare, çuarjes përpara të çështjes së pazgjidhur kombëtare, konservimin e traditës, folklorit, natyrës e monumenteve, vlerave historike dhe figurave si dhe të institucioneve karakteristike shqiptare si familja, kleri, besa etj.

Nga ana tjetër do duhej të kishte të bënte me një ekonomi të lirë të tregut që funksionon në kuadër të sundimit të ligjit dhe të institucioneve demokratike, të cilat ndërhyjnë aq pak sa të jetë e domosdoshme në ekonomi. Po ashtu, këtu do të pritej nga PD-ja që të tregonte se synon rritjen ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të nëpërmjet derregullimit, decentralizimit, privatizimit, konkurrencës së lirë, hapjes ndaj tregtisë ndërkombëtare, mbrojtjes së pronës, garantimit të kontratës dhe nxitjes së sipërmarrjes private. Për të dëshmuar gjithashtu që kjo parti e djathtë ecën në hap me kohën, do të ishte me rëndësi që në një program të ri të përfshiheshin edhe zgjidhje konkrete të djathta për tema të rëndësishme bashkëkohore sikurse janë ambientalizmi, barazia gjinore apo kujdesi për kafshët. Të gjitha këto, por edhe më shumë ndryshime të tjera në statut, program, strukturë kuadri, do duhej të ndërmerreshin në një konventë dinjitoze të hapur e inovatore të Partisë Demokratike për ta rikthyer atë fitimtar nëpërmjet rrugëve institucionale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura