PD: Ministri i Brendshëm i lidhur me krimin e organizuar. Tahiri ngre padi për shpifje kundër Palokës

Jan 23, 2015 | 16:48
SHPËRNDAJE

Edi Paloka

Pas akuzave që  kryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Edi Paloka, bëri ndaj ministri i Brendshëm, duke thënë se ai është i lidhur me krimin e organizuar, Saimir Tahiri ka kërkuar nga institucioni që drejton, ngritjen e padisë penale dhe civile ndaj deputetit të PD-së.

Njoftimi u bë nga ministria e Brendshme dhe vjen pas deklaratave që kreu i grupit parlamentar demokrat, Paloka, bëri gjatë mesditës së të premtes, i cili tha se “Ministri i Brendshëm shantazhoi mbrëmë përfaqësuesit e medias dhe të prokurorisë, në një tur telefonatash në dy prej studiove televizive më në zë të vendit, ku debatohej dhe ngrihej shqetësimi për mungesën e rendit dhe të sigurisë në vend”.

Ministria e Brendshme thekson në njoftimin e saj se padia ngrihet për “derdhjen në publik të një sasie shpifjesh të pazakonshme edhe për një shpifës profesionist si Edi Paloka. Edi Palokën e njeh mirë çdo qytetar, që ndjek jetën politike shqiptare dhe s’ka dyshim se jo vetëm mes qytetarëve pa dallime partiake, po edhe mes vetë kolegëve të tij partiake, ka konsensus të plotë për faktin se ky individ jeton me profesionin e shpifësit”,-thuhet në njoftim.

Më herët, Partia Demokratike dënoi ndërhyrjet e Ministrit të Brendshëm në nëj debatet televiziv mbrëmjen e së enjtes, duke thënë se ministri ushtroi presion ndaj medias e ndaj përfaqësuesit të Prokurorisë.

Sipas PD-së, lidhjet e tij me krimin dhe dyshimet që lindin pas fabrikës së Kokainës sjellin nervozizmin e deklaratat e papranueshme të Tahirit.

“Ministri i Brendshëm shantazhoi mbrëmë përfaqësuesit e medias dhe të prokurorisë, në një tur telefonatash në dy prej studiove televizive më në zë të vendit, ku debatohej dhe ngrihej shqetësimi për mungesën e rendit dhe të sigurisë në vend. Me tone të larta, skandaloze, të papranueshme Tahiri përsëriti disa herë kërkesën që analistët të rishikonin qëndrimet e tyre e të mos kritikonin, si dhe i dha urdhra politikë përfaqësuesit të prokurorisë, drejtpërdrrejt në sytë e mbarë opinionit.”,-thuhet në deklaratën e kreut të grupit të PD-së.

Gjithashtu Paloka tha se tha se gjithkush e di sot, “se Saimir Tahiri është i lidhur me krimin e organizuar, se është mik i Emiliano Shullazit. Sic dihet se sot është e premte, ashtu e dinë qytetarët edhe për këtë kumbari mes tyre , ky është dhe burimi i nervozizmit të Ministrit të Brendshëm”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura