Me koncesion edhe sallat e operacioneve, PD: Ja afera

Feb 24, 2015 | 7:15
SHPËRNDAJE

Qeveria do të japë me koncesion te privati edhe shërbimin e sallave të operacioneve. Partia Demokratike ka zbuluar dje se bëhet fjalë për një tender prej 9.657 miliardë lekësh, rreth 96 milionë USD, me një afat prej 10 vitesh

OSHEE: Deri më 28 shkurt, sportelet për debitorët hapur deri në orën 22:00

Ministria e Shëndetësisë e ka hapur tashmë tenderin dhe dokumentet me ofertat e firmave private do të hapen më datë 3 mars. Sipas dokumenteve të publikuara dje nga Grida Duma në selinë e PD, koncesioni ka të bëjë me “ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale sterile, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”.

Bëhet fjalë për të gjitha sallat e operacioneve në të gjithë vendin. Duma ka akuzuar dje Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj për korrupsion. Sipas saj, llogaritet se vlera reale e këtij shërbimi është 3 miliardë lekë dhe fitimi për kompaninë private në këtë rast shkon deri në 6.7 miliardë lekë. Për Dumën ka një mungesë transparence në garën e hapur prej Agjencisë së Prokurimeve, gjë që tregon se fituesi është i paracaktuar. Por, akuza kryesore e PD është cilësia dhe garancia e shërbimit.

AKUZA
Sipas Grida Dumës, fatura prej 9.6 miliardë lekësh tejkalon disa herë koston e këtij shërbimi. “Sipas specialistëve të fushës, norma e fitimit në këtë rast është të paktën 70%”. Po ashtu, PD akuzon për mungesë transparence në procedurat që po ndiqen në këtë koncesion. “Mungesa e transparencës është premisa e parë që tregon se 96 miliardë lekët janë projektuar tashmë dhe fituesi me siguri është paracaktuar. Pra miku i Edi Ramës që do të fitojë këtë koncesion, do majmet me të paktën 67 miliardë lekë”, tha Duma.

Sekretarja për Marrëdhënien me Publikun në PD deklaroi se aktualisht ky shërbim realizohet me shifra shumë më të vogla dhe me përgjegjësi më të madhe. Ndaj shton se rreziku është dhe më i madh, pasi koncesioni do të zëvendësojë profesionistët që mbanin përgjegjësi për këtë proces. “Dëmi është edhe më i rëndë, sepse ky koncesion i zëvendëson profesionistët që të paktën sot mbajnë përgjegjësi ligjore, me një operator privat, çka krijon më shumë pasiguri shëndetësore”, tha Duma.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura