PD koalicion me Mediun, Ndokën, Shehin dhe legalistët. Ja bashkitë që kërkojnë të vegjlit

Mar 13, 2015 | 9:13
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ende nuk ka vendosur një afat për arritjen e marrëveshjes me aleatët për përzgjedhjen e kandidatëve që do të garojnë për kryetar bashkie në zgjedhjet e 21 qershorit.

Basha gjate nje takimi me aleatet

“Panorama” duke iu referuar burimeve shkruan sot se në parim është rënë dakord që si PD, edhe aleatët të paraqesin listën e kandidatëve në zonat ku mendojnë se kanë më shumë mundësi për të fituar.

Pas kësaj faze do të bëhet dhe një ballafaqim i të dhënave për të parë se cili prej kandidatëve ka më shumë mundësi për të fituar.

“Vetëm pas kësaj analize do të vendoset të dilet me kandidatin e përbashkët”, thanë burimet në PD. Deri më tani, kreu i PDK-së Nard Ndoka është shprehur se mund të ketë kandidatë të fortë në zonat Fushë-Arrëz, Lezhë, Rrëshen dhe Kurbin. Ndaj dhe ka nisur të përgatitet për të dalë me një emër, i cili do të paraqitet në tryezën e PD-së.

Nga ana tjetër, republikanët kanë kërkuar të kenë kandidat në Durrës ku kanë propozuar emrin e Agron Dukës, si dhe në Shijak. Po ashtu, PR pritet të kërkojë dhe një tjetër zonë, por pa e përcaktuar se në cilën bashki do të synojnë të kenë kandidatin e tyre.

Po ashtu, edhe PLL pritet të paraqesë kërkesën e saj për të dalë me një kandidat në një zonë ku mendon se mund të fitojë zgjedhjet. Nga ana tjetër, LZHK e Dashamir Shehit pritet të kërkojë të firmosë për koalicion me PD-në në listat për këshilltarë të bashkive.

Megjithatë, duket se tryeza përfundimtare me aleatët nuk do të arrihet pa përfunduar procesi i përzgjedhjes së kandidaturave prej degëve të PD-së në rrethe.

Sipas urdhrit të kreut të PD-së Lulzim Basha, brenda datës 15 mars krerët e PD-së në rrethe duhet të paraqesin emrat në Kryesinë e PDsë, për të nisur më pas procesi i përzgjedhjes dhe miratimit të listës përfundimtare, e cila do të jetë e përbashkët me të aleatëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura