PD hap fushatën në Dibër, Basha: Gjethja e hashashit s’e mbulon dot Ramën e vogël

Aug 26, 2016 | 12:28
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike hapi sot zyrtarisht fushatën elektorale në Dibër, me pjesëmarrjen edhe të kryetarit Lulzim Basha.

basha ne diber1

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, duke kërkuar votën e dibranëve për kandidatin demokrat Sherefedin Shehu, ka premtuar nga Dibra se me PD-në vitin tjetër në pushtet dhe atë kryeministër vjen ndryshimi për vendin.

“PD vitin tjetër është në pushtet dhe mundësitë për realizimin e premtimeve do jenë reale. Nesër ju jap fjalën si kryeministër do mbështes cdo projekt të kryetarit të bashkisë së Dibrës, që do sjellë zhvillim”- tha Basha.

Duke komentuar heqjen e logos së LSI-së, nga xhipat e Doganës me të cilët akuzohet se po behet fushate për kandidatin e shumicës, Basha tha se e vetmja logo që i duhet kandidatit Rama është gjethja e hashashit.

“E dëgjuat se ka hequr logon e LSI nga xhipat e Doganës që ka marrë për fushatë, mirë kanë bërë, ta heqin edhe logon e PS, se xhipat nuk përfaqësojnë as socialistët e ndershëm. Kandidati i tij nuk i përfaqëson dibranet, ta heqë edhe logon e PDIU-së, jo se Dibra nuk ka respekt për camët, se ata ndajnë histori dëbimi, por dega e ullirit nuk bën për xhipat e bardhë, ju e dini se cfarë bime duhet tek ta, kanabisi, hashashi, ajo është emblema e kandidatit të tij, per Ramën e vogël, kandidati kallp, nuk e mbulon dot gjethja e hashashit”- tha Basha.

Ai kërcënoi se kushdo që cënon zgjedhjet dhe votën e lirë të dibranëve do të mbajë përgjegjësi deri më një, ndërkohë që i bëri thirrje ‘cakejve’ dhe ‘kriminelëve’ që sillen vërdallë për manipulim të mbajnë larg duart nga zjarri se do të përvëlohen.

Basha premtoi ndërtimin e Rrugës së Arbërit. “Punët i bitis ai që i nis, ne do e përfundojmë rrugën e Arbrit, ne dhamë para nga buxheti, fatkeqësia e rrugës ishte rilindja, fatkeqësia për Dibrën dhe vendin ishte Rilindja, Rama e varrosi rrugën e Arbrit, si cdo projekt tjetër për vendin, ato që u thotë ju janë gënjeshtra”- tha ai.

Basha ironizoi me vizitën dhe sa deklaroi kryeministri Rama në Peshkopi, duke thënë se ai nuk u tregoi disa të vërteta dibranëve.

“Erdhi në Peshkopi, nuk u kërkoi falje dibranëve, e shau dhe fyeu ish-kryetarin a thua se e gjeti në rrugë, a thua se nuk u bë ai garant me besë burri se ai do rilindte Dibrën, nuk ju tha pse e hoqi Canin nga ministër Financash, ua përsëris, e hoqi se iu bë pengesë për të vjedhur taksat me koncesionin e vëllait të tij, pse u prish projekti me kinezët për rrugën e Arbrit, sepse deshi të caktonte kontraktorin e tij, gjobën e tij”- tha Basha.

 

Mustafaj: Rama do një Shqipëri me pleq të nënshtruar

mustafaj

I ftuar të flasë në mitingun e organizuar, ishte edhe një prej themeluesve të Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj.

“Në këto ditë shoh në fytyrat tuaja kthimin e shpresës si në 1990. U shpërndaftë kjo erë e mirë në të gjithë Shqipërinë. Në këtë lum njerëzor që ka vërshuar sot këtu shoh që shumica janë të rinj, janë lulja e rinisë dibrane. Këta djem dhe vajza janë burimi i mrekullueshëm i lindjes së shpresës. Ata nuk mund të pajtohen me dëshpërimin. Rinia nuk mund të pajtohet me dëshpërimin. Dëshpërimin e sjell korrupsioni, frika dhe mashtrimi qeveritar. Rinia nuk mund të pajtohet me këtë mashtrim. Përmes mashtrimit qeveria do ta zbrazë Shqipërinë nga Rinia dhe do të ketë një Shqipëri me pleq të nënshtruar”, tha Mustafaj në nisje të mitingut.

Ndërsa kandidati i PD-së për Bashkinë, Sherefedin Shehu, akuzoi kryeministrin se prej tre vjetësh po tallet me dibranët.

“E mora vendimin për të kandiduar për të shlyer me punën time borxhin e madh që i kam Dibrës. Dibra më mbështeti në rrugën time si profesionist dhe si politikan, më votoi dhe më nderoi, por mbi të gjitha më dha emrin dibran. Dibra ka provuar në këto tre vite mashtrimin, dhunën e pushtetit. Kjo qeveri i ka poshtëruar qytetarët, ka rritur varfërinë dhe rinia ka humbur shpresën për të jetuar në këtë vend. Pas gjithë këtyre kryeministri vazhdon të tallet me dibranët që tu shtojë të zezat që u ka bërë për 3 vite radhazi”, tha Shehu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura