PD: Antimafia italiane në alarm për drogën shqiptare, Rama krekoset me Tahirin

Sep 29, 2015 | 11:28
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka vijuar me akuzat dhe denoncimin e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, si i lidhur me trafikun e drogës.

Duke iu referuar një deklarate nga Prokurori i antimafias së Leces, Cataldo Motta, para dy ditësh, i cili tha se “droga nga Shqipëria në Itali vazhdon me të njëjtat ritme”, PD-ja thekson se “këto këmbana alarmi nga vendi fqinj vijnë në kohën kur Shqipëria është mbuluar nga droga, dhe kur në krye të ministrisë së rendit, qëndron personi i akuzuar me prova e me fakte si i lidhur drejtpërdrejt me bandat e trafikut”.

Keltis Kruja 29 Shtator 2015

“…më shqetësuesja thotë zyrtari i lartë Italian, është se tani ka nisur edhe trafiku i armëve. Prokurori i antimafias tha gjithashtu se krerët e këtyre grupeve kriminale që veprojnë në Itali e më gjërë, gjenden në Shqipëri.

Eshtë normale që të shqetësohen autoritetet e vendit fqinj për trafikun e drogës, kur bandat e narkotrafikut përdorin makinën personale të Saimir Tahirit, gëzojnë imunitet të plotë dhe nuk preken dot nga policia.

Sigurisht që trafiku i drogës drejt Italisë do të vazhdojë kur të afërmit e ministrit, një grup kriminal i mbajtur nën vëzhgim, të njohur si kontigjentë, përdorin edhe makinën e ministrit, edhe skafin e tij.

Edi Rama mund të vazhdojë me propagandën e tij, mund të vazhdojë të jetë krenar me Saimirin e targës AA003GB, por e vërteta që dinë autoritetet italiane është ndryshe, është tronditëse”,- tha Keltis Kruja në një deklaratë për mediat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura