“Pasojat shëndetësore të izolimit 40-ditor”, flet profesor Mihal Tase: Sa rrezikohen moshat e treta nga karatina

Apr 21, 2020 | 18:06
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/Konfirmimi i rastit të parë me COVID-19 në vendin tonë u pasua nga një paketë masash gati-gati drastike.pjimage

Për 40 ditë me radhë, vendi u fut në karantinë dhe lëvizjet ishin të kontrolluara e në një fashë të caktuar orari. Pensionistëve iu kërkua të mos e kalonin pragun e shtëpisë. Për shumëkënd, masat e distancimit social u konsideruan si domosdoshmëri për të mos u përballuar me një situatë të ngjashme me atë të vendit fqinj, Itali. Megjithatë, duhet thënë që ky izolim ka edhe anën tjetër të medaljes, që është jeta sedentare.

Mungesa e aktivitetit fizik konsiderohet si një ndër shkaktarët më madhor të sëmundjeve të zemrës, hipertensionit, diabetit, veshkave etj. Në këto kushte, pyetja që shtrohet është nëse mbrojtja ndaj këtij virusi, a po na ekspozon ndaj këtyre sëmundjeve ose më keq akoma, a po shpie në përkeqësim të gjendjes shëndetësore për të sëmurët kronikë dhe të moshuarit?mihal tase

PASOJAT

Profesor Mihal Tase thotë se qëndrimi brenda është faktor risku kardiovaskular veçanërisht për moshën e tretë. “Pa asnjë dyshim, jeta sedentare është faktor risku kardiovaskular i rëndësishëm, për të gjitha moshat e veçanërisht për moshën e tretë. Në këto subjekte, jeta sedentare është faktor risku jo thjesht e vetëm për sëmundjet kardiovaskulare, por edhe për humbje të forcës muskulore, qe edhe pa këtë situatë, është e alternuar.

Po ashtu, qëndrimi mbyllur, pa aktivitet fizik, ndikon në sferën psikologjike, trishtimi, ankthi dhe ulja e humorit, që nuk lidhet vetëm me jetën sedentare, por edhe me pasigurinë që mbart kjo pandemi me ende shumë të panjohura e COVID-19”. Por në mesin e “dy të këqijave”, profesori këshillon që të respektohen masat e distancimit social.

“Unë besoj se, si për çdo rast pandemie, si për çdo situatë me rrezik të madh për jetën, te të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, kardiovaskulare, pulmonare, diabet etj., rreziku është shumë i madh dhe nëse konsiderojmë të dyja problemet, natyrisht, unë besoj se peshorja shkon në favor të respektimit të distancimit social dhe respektimit të rekomandimeve për të kufizuar në maksimum daljet nga shtëpia. Dhe kjo jo vetëm për moshat me rrezik të madh për humbje të jetës nga ky virus, por edhe për të rinjtë që mund ta kalojnë lehtë sëmundjen, që po ashtu, shumë lehtë dhe shumë më shpesh mund të jenë vektor i përhapjes të virusit”.

MASAT

Shefi i shërbimit të Mjekësisë Iterne dhe Hipertensionit në QSUT është i mendimit po ashtu se “bashkëjetesa” me këtë virus, do të jetë e gjatë. Lehtësimi apo zbutja e masave, sipas tij, duhet të jetë graduale, për të mos provokuar një valë të re infeksioni.karantine

“Ky kufizim do të jetë i gjatë, do duhet të zbutet me shumë kujdes dhe do të na duhet të jetojmë për një kohë si dikur, me autocensurë, me ndryshimin e vetëm se në këtë periudhë duhet të autocensurojmë kontaktet e afërta me të dashurit, me fëmijët, nipërit e mbesat dhe me shokët. Albert Camus në fund të romanit tij, na kujton se bacili i pestës (murtajës) nuk vdes, ai ri me vite i fshehur dhe pret në ambientet tona, në rrobat tona dhe minjtë mund të shfaqen përsëri, së bashku me vdekjen. Prandaj, duhet kujdes dhe vetëm kujdes. Të gjitha të tjerat me kohë mund të ekuilibrohen”, vë në dukje profesor Tase.

Këtë të hënë, qeveria vendosi të lehtësojë masat shtrënguese, duke lejuar hapjen e qepenave për pothuajse 10 mijë aktivitete të kategorizuara me risk të ulët. Aktualisht, në vendin tonë janë 584 persona të konfirmuar pozitivë me COVID-19./Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura