Pasojat e tërmetit, Sejko apel bankave: Mos ngadalësoni kreditimin. BSH, plan për familjet e prekura

Dec 4, 2019 | 8:07
SHPËRNDAJE

“Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit të mos shkaktojnë ngadalësim në ritmin e kreditimit të ekonomisë”. Me këtë apel iu drejtua Guvernatori Gent Sejko bankave tregtare, gjatë takimit të zhvilluar dje në ambientet e Bankës së Shqipërisë.

Guvernatori Sejko, dje me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë
Guvernatori Sejko, dje me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë

Ndërsa vlerësoi nismën e ndërmarrë prej tyre për mosaplikimin e komisioneve për të gjitha transfertat pritëse të donacioneve, Sejko kërkoi analizimin sa më të shpejtë të impaktit në cilësinë e portofolave respektivë të kredive dhe iu bëri thirrje të shikojnë të gjitha mundësitë, që pasojat e kësaj ngjarjeje të rëndë të mos shkaktojnë ngadalësim në ritmin e kreditimit të ekonomisë.

Guvernatori kërkoi nga bankat po ashtu që t’u vijnë në ndihmë klientëve të tyre të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, duke u ofruar të gjitha lehtësitë e mundshme, si nëpërmjet rishikimit të kushteve të marrëdhënieve ekzistuese, ashtu edhe trajtimit të kujdesshëm të kërkesave të tyre në të ardhmen.

BANKAT

Nga ana e tyre, drejtuesit e bankave tregtare u shprehën se kanë bërë vlerësimin e situatës së krijuar në qytetet e dëmtuara nga tërmeti dhe, pavarësisht dëmtimeve të disa mjediseve në zona të caktuara, janë angazhuar për vazhdimin normal të ofrimit të të gjitha shërbimeve të nevojshme financiare. Ata theksuan se po vlerësojnë individualisht të gjithë klientët e tyre kredimarrës të prekur nga tërmeti, për të pasur një panoramë më të qartë të situatës.

Ndërkohë, në përgjigje edhe të kërkesës së Guvernatorit, drejtuesit e bankave sugjeruan hartimin e një plani masash për klientët kredimarrës të prekur nga dëmet e tërmetit për të ristrukturuar kreditë përkatëse, nëse do të jetë e nevojshme, pa aplikuar kosto shtesë. Po ashtu, drejtuesit e bankave theksuan se në shenjë solidariteti, secila bankë po vlerëson individualisht mundësinë për të kontribuar me donacione të formave të ndryshme, në ndihme të familjeve të prekura nga kjo ngjarje. Guvernatori u shpreh se në këtë moment vlerësohet çdo kontribut i shtuar nga ana e bankave në kuadër të përgjegjësisë së tyre sociale.

TAKIMI

Takimi i thirrur dje nga Guvernatori Sejko kishte në fokus krahas trajtimit nga aktorët e sistemit bankar të implikimeve të mundshme të shkaktuara nga ngjarjet e rënda të javës së kaluar dhe përcaktimin e veprimeve të përbashkëta, që mund të nevojiten në të ardhmen. Sejko theksoi se në këtë moment bashkëpunimi i ngushtë midis të gjithë aktorëve është i domosdoshëm për të harmonizuar dhe koordinuar masat që do të ndërmerren, me qëllim maksimizimin e eficiencës së veprimeve të të gjitha palëve për kapërcimin e kësaj situate. “Parësor mbetet angazhimi maksimal i bankave tregtare për vijimin e veprimtarisë së tyre të plotë operacionale, me qëllim ofrimin e të gjitha produkteve dhe shërbimeve financiare”, vuri në dukje Sejko, i cili shprehu gatishmërinë e plotë të Bankës së Shqipërisë për të kontribuar aktivisht në çdo përpjekje të përbashkët, në çdo moment.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura