Paskal Milo: PS të shkëputet nga mentaliteti i PPSH

Aug 31, 2011 | 10:20
SHPËRNDAJE

Kreu i PDS-së, Paskal Milo, e cilëson formal koalicionin opozitar, duke bërë përgjegjëse PS, e cila sipas tij vazhdon të ketë mentalitetin e Partisë së Punës dhe funksionon si parti-shtet.Duke folur për sesionin e ri parlamentar, Milo apelon që dy partitë të mos bllokojnë njëra-tjetrën për interesa partiakë, por të venë interesin kombëtar mbi gjithçka.
Zoti Milo, fillon një sesion i ri politik me nisjen e Parlamentit në ditët e para të shtatorit, ju si PDS, pjesë e koalicionit opozitar, çfarë prisni nga aleatët tuaj të PS, të cilët përfaqësohen në Parlament, por dhe nga opozita të tërësi pas zgjedhjeve të 8 majit?
Në çdo shtator ka një sesion të ri politik, për shkak të hapjes së sesionit të ri parlamentar, por ky sesion këtë herë vjen pas zgjedhjeve të 8 majit dhe rezultateve që u përftuan nga këto zgjedhje dhe ka një veçori, mbi të gjitha ky sesion i ri parlamentar do të ballafaqohet me një problematikë shumë të rëndësishme, që ende nuk po gjen zgjidhje në Shqipëri, siç janë reformat shumë të rëndësishme për vijimësinë e integrimit europian të Shqipërisë, që ka mbetur pezull dhe që rrezikojnë ta dënojnë Shqipërinë edhe këtë vit për të mos marrë statusin e vendit kandidat, është reforma zgjedhore e cila përsëri qëndron pezull dhe nuk ka vullnet politik për të kryer realisht një reformë të tillë, janë mjaft ligje të tjera të rëndësishme që po pengojnë në përgjithësi funksionimin normal të institucioneve. Mendoj se rreth këtyre çështjeve do të debatohet qoftë në Parlamentin shqiptar, qoftë edhe më gjerë, me qëllim që të gjenden rrugët sa më të përshtatshme në procesin e zhvillimit të institucioneve në Shqipëri dhe të integrimit europian të vendit.
E shihni Parlamentin në këtë sesion më shumë të bllokuar, të kushtëzuar apo në një seri reformash që pritet të kenë vullnet nga të dyja palët për t’u realizuar?
Mendoj se deri tani dy partitë e mëdha politike kanë ecur me filozofinë e bllokimit reciprok për të penguar njëra-tjetrën, për interesa të tyre partiake. Këtej e tutje duhet të hiqet dorë përfundimisht nga një filozofi e tillë e gabuar. Për mendimin tim duhet të ndahen dy çështje themelore; E para çfarë ka në funksion të interesit kombëtar, nuk duhet të bëhet pjesë e luftës së egër dhe të paprincipë politike, por përkundrazi duhet të bashkohen dhe të miratojnë të gjitha reformat e domosdoshme. Këtë gjë e kërkon koha dhe të gjithë shqiptarët, e kërkon interesi kombëtar. Interesi politik që ka dominuar mbi interesin kombëtar deri tani, duhet të kalojë në plan të dytë dhe të bëhet pjesë e betejës rreth alternativave politike për zgjidhjen e problemeve dhe të halleve që kanë shqiptarët, në planin ekonomik, institucional etj. Nëse nuk do të ndahen interesat politikë të dy partive të mëdha nga interesi kombëtar, nëse ato nuk do të shihen veç e veç, por interesi politik i gjithsecilës parti do të identifikohet gabimisht me interesin kombëtar, atëherë përsëri në sesionin e ardhshëm parlamentar do të kemi atë mish-mash politik që kemi pasur deri tani.
Kolegu juaj, zoti Gjinushi, është shprehur se nuk mund të ketë dialog me zotin Berisha. Ndani dhe ju të njëjtin mendim?
Unë e njoh prej vitesh përqasjen e zotit Berisha ndaj Kryeministrit Berisha, ndaj kundërshtarit tonë politik shumëvjeçar. Por ka ardhur koha që të mendojmë jo me emocione dhe as të mos përcjellim përqasje dhe vlerësime të pamundura në ambientin politik shqiptar. Zoti Berisha është një realitet politik, na pëlqen apo nuk na pëlqen ne. Ai dhe partia e tij votohet nga një pjesë e madhe e shqiptarëve, duam apo nuk duam ne. Për rrjedhojë, ai imponohet si një alternativë politike në Shqipëri, të cilin opozita e do apo nuk e do është e detyruar ta marrë në konsideratë, aq më tepër që është në maxhorancë e në qeveri dhe, për rrjedhojë, do të ulesh për të biseduar, për të arritur kompromiset e domosdoshme pa të cilat nuk mund të bëhet politikë, qoftë në Parlament, qoftë dhe jashtë Parlamentit. Unë nuk mund ta kuptoj tani në këto momente që flasim se si mund të largohet nga pushteti një maxhorancë dhe një kryeministër, kur të gjitha rrugët u provuan këto 2 vjet që shkuan dhe rezultuan të pasuksesshme në objektivin e tyre madhor për të cilin u nisën. Pyetja shtrohet: Pasi kanë kaluar 2 vjet, a do të vazhdohet përsëri me të njëjtat taktika që u përdorën në luftën politike për të rrëzuar qeverinë e zotit Berisha? Unë nuk besoj që është e nevojshme që opozita t’u kthehet të njëjtave instrumenteve të protestës apo të bllokimit politik. Opozita duhet të dëshmojë një filozofi të re dhe një qasje të re ndaj problemeve shqetësuese të shqiptarëve. Se si do ta bëjë këtë, është detyrë e saj dhe unë mendoj se ky është dhe problemi kryesor që ka opozita sot, të reflektojë seriozisht, të organizojë një kurs të ri politik, jo se e tha selia e Partisë Socialiste, por ky kurs të jetë gjithëpërfshirës, të tërheqë edhe mendimin e aktorëve të tjerë politikë opozitarë dhe jo t’u imponohet atyre si një paketë e gjykuar, e miratuar, vetëm në selinë e PS dhe aleatët e saj të ngrenë dorën e ta miratojnë këtë kurs politik, pa e ditur se çfarë përfaqëson, pa u tërhequr atyre mendimin paraprakisht aq sa ato vlejnë. Pra, ndodhemi në një fazë shumë të rëndësishme që, duke pasur parasysh edhe rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit dhe betejën e ardhshme elektorale të 2013-s, është më se urgjente që opozita të mos bëjë gabimet që ka bërë deri tani, sidomos në mënyrën se si funksionon, si vepron brenda saj, si organizohet si e tërheq mendimin, si e përpunon atë, derisa çon në një qëndrim të përbashkët, të unifikuar, të ratifikuar, jo formalisht në një tavolinë sa për të pirë kafe, por pas debateve dhe diskutimit të mendimeve brenda saj.
Meqenëse jemi tek tryeza opozitare, përvoja e fundit e bashkëpunimit opozitar, koalicioni “Aleanca për të ardhmen”, mendoni se pati dobësi dhe defekte, gjë që ndikoi dhe në rezultatin e përgjithshëm të opozitës dhe çfarë mund të ishte bërë më mirë?
Unë e kam thënë në mjaft raste jo vetëm në tavolina të ngushta brenda opozitës, por edhe në mënyrë publike që koalicioni opozitar ka një problem të madh konceptual. Ai në substancë nuk konceptohet si koalicion efektiv, një aleancë e njerëzve të barabartë që kanë të drejtë të shfaqin pikëpamjet e tyre dhe të diskutohet me ta për problemet që shqetësojnë opozitën. Deri tani ky koalicion ka qenë formal dhe formalizimi i tij nuk është një gabim i rastit, i një lideri, qoftë ky i kryetarit të PS apo i zëvendësve të tij. Është koncepti i rrënjosur thellë në PS që vjen nga e kaluara e saj dhe vazhdon të ketë rrënjë të thella. Partitë dhe individët e tjerë politikë shihen vetëm si satelitë në funksion të idesë qendrore socialiste, “gjithë pushtetin sovjetëve”, thoshte Lenini, “gjithë pushtetin socialistëve”, thotë sot PS. Që nga ky moment nuk mund të ketë kohezion të vërtetë opozitar, ku unë si kryetar i PDS, zoti Gjinushi apo të tjerë në opozitë, të ndihemi se jemi në një familje opozitare dhe se në selinë e PS të na shohin vërtet si partnerë dhe jo si rivalë brenda familjes së majtë, të mos kenë frikë nga fakti se ka dhe të tjerë përveç PS që mendojnë si të majtë, që kanë një personalitet, që duhet bashkëpunuar me ta në mënyrë të ndershme dhe serioze dhe jo sa për të kaluar radhën dhe për të krijuar imazhin e një opozite të rreme dhe që në fakt nuk funksionon si e tillë.
Ky rivalitet që ju thoni, u vu re në terren dhe gjatë zgjedhjeve të 8 majit?
Pa dyshim që u vu re, u vu re që gjatë diskutimit të kandidaturave tona, të cilat u hodhën poshtë me prepotencë nga selia e PS dhe në mënyrë të veçantë nga mjaft njerëz që rrethojnë kryetarin e PS, të cilin e ushqejnë me një frymë antiopozitare, lokaliste, grupore e klanore për interesa të ngushtë. Partia Socialiste duhet të çlirohet nga disa bajraktarë lokalë që i shikojnë zonat elektorale si prona private dhe që duan t’i menaxhojnë gjithnjë jo në interes të fitores së opozitës, por në interes vetjak. Vetëm duke u ndarë nga këto dhe fenomene të tjera që janë vënë re në PS, mund të krijohet një kohezion i fuqishëm, i domosdoshëm, për t’u ballafaquar nesër me sukses në betejën e ardhshme elektorale.
Keni konsultime me PS pas 8 majit për kursin e ri politik opozitar, por dhe për teza të tilla si amnisti politike e partiake brenda të majtës, që janë propozuar nga zoti Xhafaj në një intervistë për “Panorama”?
Pas datës 8 maj, ne nuk jemi takuar si koalicion opozitar me gjithë kërkesat e mia të vazhdueshme për të mbledhur tryezën, ose për të pasur një takim informal, kjo nuk është realizuar dhe mendoj se kryesisht ka ardhur, sepse nuk është dashur të dëgjohet zëri i partive aleate para se Partia Socialiste të përpunojë përfundimisht atë që ajo e quan kurs të ri politik dhe që pastaj t’jua japë në tavolinë partive opozitare për ta miratuar formalisht. Unë mendoj se kjo është një përqasje e gabuar që nuk i shërben koalicionit dhe synimit të tij për të ardhmen, është më se e nevojshme që këtej e tutje, duke pasur parasysh edhe gabimet që janë bërë në funksionimin e koalicionit opozitar, duhet të krijohet një front unik ku zërat të harmonizohen, jo të izolohen. Jo të ketë miratime formale, sepse ato nuk mund të krijojnë një atmosferë të shëndetshme brenda koalicionit. Rreziku më i madh për koalicionin nuk janë partitë e vogla, rreziku më i madh është gjithmonë ai mentalitet i prapambetur, i gabuar i partisë-mëmë, ose i partisë-shtet, që ende ekziston në qarqe të caktuara të PS.
Një nga reformat që pritet të zhvillohet shpejt, është dhe reforma zgjedhore, për të cilën partitë e vogla dhe në koalicionin e djathtë keni shprehur rezervat tuaja. Ju si PDS, çfarë do t’i kërkoni PS në këtë reformë?
Ne kemi bërë të qartë disa herë domosdoshmërinë e ndryshimit të Kodit zgjedhor. Kemi qenë kundër dhe i kemi votuar kundër ato në 2008 dhe koha na dha të drejtë. Ende nuk e dimë se cili është mendimi i PS, sepse ajo nuk i ka bërë të qarta deri tani mendimet e veta për Kodin Zgjedhor, nuk e ka mbledhur tryezën e koalicionit opozitar për të tërhequr mendimet e aleatëve të vet, ndofta do ta bëjë gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme. Ne mendojmë që Kodi Zgjedhor ka nevojë për ndryshime cilësore, me qëllim që ai të zhvishet nga fryma e tij në shërbim të dy partive të mëdha dhe të bëhet një kod në shërbim të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ky duhet të jetë boshti dhe jo futja e neneve që garantojnë supremacinë paraelektorale të dy partive të mëdha dhe favore të pamerituara elektorale. Nëse kjo do të jetë fryma e Kodit të ardhshëm Zgjedhor, atëherë mund të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse dy partitë e mëdha do të bëjnë ndryshime të stilit të vjetër, ku më shumë do mendojnë se si të garantojnë dhe çimentojnë bipolarizmin në politikën shqiptare dhe të merren vesh me njëri-tjetrin siç janë marrë vesh në të kaluarën, dhe të diskriminojnë aktorët e tjerë politikë, atëherë nuk do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ju kërkoni dhe përfshirjen e partive të vogla në administrimin e zgjedhjeve?
Patjetër, në proces dhe administrim zgjedhor. Konkretisht, ne bashkohemi me propozime mjaft konstruktive edhe të partive të tjera, të cilat ashtu si dhe ne kërkojmë korrigjimin e sistemit elektoral, minimalisht korrektimin kombëtar, lista të hapura, votim elektronik, komisione realisht të pavarura të të gjitha niveleve dhe pa dyshim respektimin dhe vënien në jetë të të gjitha rekomandimeve që ka bërë ODIHR qoftë pas zgjedhjeve të 2009, qoftë dhe pas 8 majit.
Si duhet të jetë KQZ e ardhshme sipas qëndrimit tuaj?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ardhshëm duhet të jetë një institucion administrativ zgjedhor i pavarur, jashtë politikës. Përvojat ekzistojnë, të gjendet një mekanizëm që të mos ketë varësi politike. Po të vritet mendja dhe të bëhet një diskutim i hapur, gjendet zgjidhja. Por, nëse do të duan të ruajnë bipolarizmin në mënyrë artificiale jo të merituar, atëherë mund të gjenden formula për të krijuar një KQZ të kontrollueshme prej tyre.

 

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura