Pas zbulimit të variantit të ri të koronavirusit, vendet e BE-së bien dakord, pezullojnë udhëtimet nga…

Nov 26, 2021 | 20:05
SHPËRNDAJE

udhetimVendet e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të pezullojnë përkohësisht udhëtimin në vendet e Afrikës jugore pas zbulimit të variantit të ri të COVID-19.

Lajmin e ka bërë të ditur presidenca sllovene e BE-së, e cila thotë se një komision ekspertësh të shëndetësisë nga 27 vendet e BE-së “ranë dakord mbi nevojën për të vendosur kufizime të përkohshme për të gjitha udhëtimet në BE nga Afrika jugore”.

Më herët Komisioni evropian u kishte sugjeruar të gjitha vendeve të bllokut të ndalonin fluturimet nga vendet ku është identifikuar një variant i ri i koronavirusit.

Autoritetet në gjithë botën po reagojnë me alarm pas lajmeve për variantin e zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut, që mund t’i shmanget efektivitetit të vaskinave ekzistuese. Vlera e aksioneve ra ndjeshëm në bursat e Azisë dhe Evropës.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen foli të premten ndërsa një numër vendesh në gjithë botën po fusin në fuqi ndalime udhëtimesh për shkak të variantit të ri.

“Tani është e rëndësishme që të gjithë ne në Evropë të veprojmë me shpejtësi, me vendosmëri dhe të bashkuar”, tha ajo.

Von der Leyen tha gjithashtu se prodhuesit e vaksinave janë të detyruar t’i përshtasin ato që të funksionojnë për variantet e reja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura