Pas një vizite dhe prezencës kineze në Europë

May 31, 2013 | 13:00
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI

Vizita e Kryeministrit të ri të Kinës, Li Keqiang, në Europë, ka zgjuar me të drejtë interesin që pritej. Ajo ishte zgjatim i takimit të prillit të vitit të kaluar në Varshavë i paraardhësit të tij me udhëheqësit e gjashtëmbëdhjetë vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, për t’i dhënë jetë nismës kineze, që lidhet me dymbëdhjetë masat konkrete që synojnë bashkëpunim të zgjeruar të Kinës me këto vende, ku përfshihet edhe vendi ynë.
Vendndalimet e vizitës së parë në Europën Perëndimore të Li Keqiang u bënë Gjermania dhe Zvicra. Arsyet janë të qarta. Turbulencat herë pas here prezente në raportet tregtare Kinë-Bashkimi Europian, kërkohet të pakësohen. Të dyja palët ndiejnë nevojën e njëra-tjetrës. BE është partneri më i madh i Kinës në fushën tregtare, secili kërkon rrugët për një mjedis favorizues për investime dhe kooperim.
Kriza aktuale në Europë i afron më tej të dyja palët dhe rrit besimin e vendit të madh për kapërcimin e vështirësive aktuale, tejkalimin e krizës europiane të borxheve. Ndërgjegjësimi për këtë bashkëpunim synon, me sa duket, një zhvillim të brendshëm solid të secilit, stabilizim më të qëndrueshëm financiar, rritje të punësimit etj.
Sipas Organizatës Botërore të Tregtisë, gjatë këtij viti nuk parashihet ndonjë përmirësim i ndjeshëm i treguesve ekonomikë, krahasuar me një vit më parë. Rritja e tregtisë globale prej rreth 3.3 për qind do të jetë më e ulët se niveli mesatar i njëzet viteve të kaluara. Nga ana tjetër, Kina, gjatë vitit 2012 pati rritjen më të madhe, me 7.8 për qind, kur për Azinë ajo ishte 3.8 për qind. Sipas Qendrës Shkencore të Parashikimeve të Akademisë së Shkencave të Kinës, rritja ekonomike për këtë vit mendohet të jetë 8.4 për qind, pra, 0.6 për qind më tepër se një vit më parë. GDP-ja e Kinës për katër muajt e këtij viti u rrit 7.7 për qind, krahasuar me rritjen prej 7.8 përqindësh për vitin 2012. Ndërkohë, investimet kineze në tregun ndërkombëtar për katër vitet e ardhshëm do të shkojnë 500 miliardë dollarë.
Po përse u zgjodhën Gjermania dhe Zvicra në këtë vizitë të parë të Kryeministrit kinez në Europën Perëndimore?
Tridhjetë për qind e tregtisë së Kinës me Europën është prezente në Gjermani, kur dhe investimet gjermane në Kinë u rritën vitin që shkoi në 28 për qind. Kina gjithashtu është investitorja e tretë më e madhe në këtë vend. Tregun më superior për BMW-në e përbën Kina.
Nga ana tjetër, Gjermania është zëri më i fuqishëm në BE. Ajo ka luajtur dhe luan rol të veçantë në zgjidhjen e problemeve globale, mbështetje financiare etj. Me strukturën dhe fuqinë e saj ekonomike është violinë e parë në tejkalimin e krizës së borxhit në Europë. Në marrëdhëniet midis dy vendeve duket se ka tashmë një perceptim dhe vizion të ri. Vizitat e zonjës Merkel në Pekin, shtimi i kontakteve në përgjithësi nga të dyja palët kanë rritur besimin te njëri-tjetri. Në këto kushte, kush më shumë se Gjermania do të ndihmonte përmes një roli aktiv dhe qetësues me vendet e tjera të BE-së për një bashkëpunim dhe trajtim ndryshe të taksave anti-dumping të Unionit për mallra të tilla, si panelet diellore kineze apo ato të industrisë së telekomit që shiten në Europë?  Një betejë në fushën tregtare të Kinës me BE-në nuk do të ishte në interes të tyre, ajo do t’i hapte problem, krahas Kinës, vetë Gjermanisë duke zbehur bizneset e saj me këtë vend. “Gjermania, – tha znj. Merkel, – do të bëjë gjithçka të mundur për të zgjidhur konfliktet që kemi në tregti, përmes diskutimeve të shumta për të parandaluar sa të jetë e mundur rënien në një lloj konflikti që përfundon në rritjen e tarifave nga të dyja palët”.
Bisedimet gjithashtu të Li Keqing në Zvicrën e njohur për qëndrimet neutrale të saj në problemet ndërkombëtare, përcollën mesazhe të reja bashkëpunimi. Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për të konkluduar në një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë midis dy vendeve e sjell Kinën më afër Europës. Kjo është komentuar si milestone-si nga drejtuesit më të lartë dhe nga komunitetet e biznesit të të dyja vendeve. Ekspertë të ndryshëm gjykojnë për avantazhe të të dyja palëve: hyrja e më shumë mallrave zvicerane në Kinë dhe futja e kësaj të fundit më me efektivitet në tregjet europiane, ndërsa media zvicerane e shikon si “një prej marrëveshjeve më të rëndësishme ndërkombëtare për Zvicrën gjatë këtyre dyzet viteve”. Zvicra, si vend i bankave të shumta, mund të nxitë hapjen e një qendre të yanit, që do të ndihmonte në ndërkombëtarizimin e shpejtë të monedhës kineze.
Hapat e mësipërm thellojnë partnershipin strategjik midis Kinës dhe këtyre vendeve, duke shkuar më tej bashkëpunimit bilateral, hyrjes në një fazë të re të marrëdhënieve Kinë-Bashkimi Europian. Në kuadër të këtij partneriteti, diferencat midis tyre, pavarësisht luhatjeve, duket se do të vijnë duke u ngushtuar. Përpjekjet për të arritur një Marrëveshje për investimet me qeverinë e re kineze, sikurse u pa dhe dy ditë më parë në Komisionin Europian, sinjalizojnë vendosmërinë për një partneritet efikas. Natyrisht, dhe më tej kërkohet besim i dyanshëm që kjo Marrëveshje të sigurojë transparencën e nevojshme për të ndihmuar, sipas Karel De Gucht, komisioner i BE-së për Tregtinë, liberalizimin e ri të kushteve për të hyrë në tregun e investimeve të njëri-tjetrit.
*Ambasador

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura