Pas bllokimit prej dy muajsh, KMSH merr vendimin: Rinis aktiviteti fetar në të gjitha xhamitë e vendit, ja masat që duhen marrë

May 18, 2020 | 15:12
SHPËRNDAJE

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka vendosur të rifillojë aktivitetin fetar në të gjitha xhamitë e vendit, pas bllokimit dy mujor nga koronavirusi.

Në një letër drejtuar të gjitha myftinive në vend, KMSH bën të qartë edhe protokollin e masave, që duhet të zbatohet nga të gjitha xhamitë.

KMSh1-681x450

Sipas KMSH, xhamitë duhet të bëjnë dezinfektimin para se të fillojë frekuentimi, si dhe besimtarët duhet të bëjnë abdesin në shtëpi, të marrin maska e doreza dhe sexhaden personale.

Njoftimi i plotë:

Vendim i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në lidhje me rifillimin e aktivitetit fetar në xhamitë e vendit

Falënderimet i takojnë Allahut, Krijuesit të botëve, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin Muhamed (a.s), familjen, shokët dhe mbi të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, duke vlerësuar situatën dhe ecurinë e zhvillimeve të fundit mbi përhapjen e Covid-19 në Shqipëri, ka marrë vendim për rifillimin e aktivitetit fetar nëpër xhamitë e të gjithë vendit në bazë të protokollit të mëposhtëm.
Protokolli i masave:

• Dezinfektimi i xhamive para se të fillojë frekuentimi.
• Marrja e abdesit në shtëpi.
• Mbajtja e maskës dhe e dorezave.
• Çdo besimtar duhet të ketë me vete sexhade personale.
• Mbajtja e distancës fizike gjatë ritualeve.
• Ndalohet përdorimi i abdesthaneve dhe tualeteve.
• Personat me simptoma të sëmundjes nuk lejohen të hyjnë në xhami, si dhe personat me sëmundje kronike.
• Nuk lejohen grupmoshat nën 12 vjeç si dhe mosha mbi 65 vjeç.
• Ndalohet qëndrimi në xhami para dhe pas ritualeve si dhe prekja e sendeve si libra, Kur’anë, rafte, etj…
• Hytbeja të mos jetë më shumë se 10 minuta.
• Hyrja dhe dalja në xhami të mos jetë në grup.

Ngarkohen të gjitha myftinitë për zbatimin e këtyre masave.

Gjithashtu urdhërohen të gjitha myftinitë që të marrin masat e nevojshme për faljen e namazit të Fiter Bajramit nëpër xhami, duke respektuar të njëjtin protokoll.

H. Bujar Spahiu
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura