Partneriteti strategjik me SHBA, zgjedhje e mençur

Jul 8, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

Luan Rama

LUAN RAMA

Miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i ligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes  ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkëmbimin e informacionit për verifikimin e terrorizmit” është prova e radhës e konseguencës në bashkëpunimin mes dy shteteve e dy qeverive me objekt luftën kundër terrorizmit dhe angazhimin e përkushtuar të vendit tonë në këtë luftë, angazhim i shoqëruar me kontribute të vyera deri edhe në sakrifica sublime të jetës së ushtarakëve tanë si dëshmorë në luftën kundër terrorizmit.

Për shumë arsye e faktorë, marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të janë strategjike. E në respekt të kësaj cilësie që kanë marrëdhëniet tona me partnerin strategjik, pra me SHBA-të, e gjej të udhës t’u sugjeroj me shumë politesë përfaqësuesve tanë shtetërorë, të mos e konsumojnë vend e pavend gjithkund shkojnë për vizita shtetërore ndër fqinjë a gjetiu nëpër Europë, togfjalëshin “partner strategjik”, sepse jo vetëm dëshmojnë mungesë respekti për partnerin e vërtetë strategjik, por na lënë të kuptojmë se nuk dinë të ndajnë partnerin strategjik, që nuk mund të jenë disa, nga partnerët e tjerë të rëndësishëm ose më pak të këtillë.

Për Shqipërinë është pa dyshim esenciale dhe jetike, është përgjegjësi dhe zgjedhje e mençur partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, le të sillemi si të tillë, seriozë e të përgjegjshëm edhe në etikën politike dhe në terminologjinë me të cilën i përcaktojmë apo tipizojmë ose përveçojmë edhe partnerët tanë.

Sulmet terroriste të 11 shtatorit krijuan një erë të re në çështjet ndërkombëtare të sigurisë. Megjithëse terrorizmi ka qenë një tipar prominent i kushteve globale për pjesën më të madhe të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, aktet terroriste të 11 shtatorit ishin të ndryshme nga ana sasiore dhe cilësore, sepse dëshmuan një planifikim të sofistifikuar dhe afatgjatë, duke i kapërcyer kufijtë nacionalë.

Duke riparë e vlerësuar me objektivitet angazhimet në rritje të Shqipërisë si kontributore ndër dhjetëra e dhjetëra misione në luftën kundër terrorizmit veçanërisht, ndihem mirë që si ish-ministër i Mbrojtjes, bashkë me kryeministrin Majko, vetëm pak muaj pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, nënshkruam urdhrin për praninë e parë të pjesëtarëve të forcave tona të armatosura në përbërje të koalicionit kundër terrorizmit në Afganistan, prej nga nisi për t’u konsoliduar një konstante e vijësjelljes dhe angazhimit tonë shtetëror, një traditë e pasuruar me kontribute që kanë ardhur gjithnjë e në rritje.

Edhe marrëveshja për shkëmbimin e informacionit për verifikimin e terrorizmit është pa dyshim një kontribut i shtuar, është hapi i radhës për zgjerimin e bashkëpunimit dhe të ndërveprimit me SHBA-të në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, duke e shtrirë hapësirën e bashkëpunimit edhe në shkëmbimin e informacionit për verifikimin dhe identifikimin e individëve apo të grupeve që kanë qenë të përfshira në lidhje gjithfarëshe me veprimtarinë terroriste, apo që potencialisht mund të përfshihen në këtë veprimtari.

Jashtë çdo dyshimi, që përmes kësaj marrëveshjeje SHBA-të do të realizojnë apo përmbushin edhe interesat e veta. Si një fuqi me rol primar në sigurinë globale, SHBA-të kanë nevojë t’i zgjidhin problemet e parandalimit të situatave të pasigurisë në distancë, duke kaluar prej konceptit strategjik të sigurisë në kufijtë e jashtëm të SHBA-ve, në konceptin sa më afër së keqes. Dhe, referuar përcaktimit të Samuel Hantingtonit në “Përplasja e Qytetërimeve”, burimi i pasigurisë është edhe pikëtakimi i Perëndimit me Lindjen.

Sot, çështjet e sigurisë nuk janë më çështje të një vendi apo të një shteti, aq më pak e një shteti të vogël si Shqipëria. Sot siguria është një koncept mbirajonal, është një koncept global. Shqipëria është pjesë e kërcënimit me pasiguri, si një zhvillim që vjen nga jashtë, prej të njëjtëve faktorë që kanë rrezikuar Europën, prej të njëjtëve faktorë që cenojnë interesat e Aleancës euro-atlantike.

Në kushtet kur kërcënimi i sigurisë prej rrezikut të terrorizmit është bërë i pranishëm dhe i padukshëm, në kushtet kur faktorët e riskut apo faktorët rrezikues, qoftë edhe në mënyrë modeste, kanë gjetur zëra të veçuar mbështetës apo defekte e mangësi, siç qe rasti i fundit i sfidës që grabitës të armatosur u bënë institucioneve tona të sigurisë në Aeroportin ndërkombëtar të Rinasit edhe te ne, dua të pohoj qartë e të nënvizoj pa asnjë ekuivok: për aq kohë sa interesat tona strategjike përputhen plotësisht me ato të SHBA-ve -dhe me sa duket, për fatin tonë të mirë, kjo do të vazhdojë gjatë- nuk do të ngurojmë të ratifikojmë e miratojmë çfarëdo marrëveshjeje që do të na propozohet, për çështje të sigurisë në tërësi e për ato të luftës kundër terrorizmit në veçanti.

Nuk është çështje indulgjence apo mirëbesimi, është çështje mençurie, për t’i zgjidhur me aleatin strategjik ato çështje që nuk i përballon dot i vetëm asnjë shtet europian, i madh apo i vogël qoftë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura