Partizani-Skënderbeu, një “skaner” për… titullin

Nov 25, 2015 | 13:43
SHPËRNDAJE

Kategoria Superiore ndodhet në prag të javës së 13-të dhe tabela e klasifikimit kryesohet nga Partizani me 32 pikë, i ndjekur nga Skënderbeu me 4 pikë më pak. Për momentin beteja për fitimin e titullit kampion është e përqendruar mes këtyre dy klubeve, por me 24 ndeshje për t’u luajtur, shpresa kanë edhe ndjekësit më të afërt, si Teuta, Tirana dhe Kukësi. Për momentin Partizani dhe Skënderbeu shikohen si pretendentët potencialë për të fituar titullin në edicionin 2015-2016.

partizani skenderbeu

Të besuarit e trajnerit Sulejman Starova mbeten ekipi për t’u mundur, pasi në 12 javë e kanë zero kolonën e humbjeve. Ndërsa Skënderbeu, me stofin e pesë herë radhazi të kampionit, ka treguar oshilacione në ndeshje të veçanta, ku ka barazuar në shtëpi me Teutën, është mundur në transfertë nga Partizani dhe Kukësi. Duke u nisur nga diferenca katërpikëshe, të kuqtë duken më të avantazhuar për të arritur objektivin madhor.

Për momentin “demat” kërkojnë të ruajnë ritmin deri në përfundim të fazës së dytë dhe pas përfundimit të merkatos së janarit, pretendojnë t’i japin një marsh më shumë ecurisë së tyre. Skënderbeu ka dhënë prova, kryesisht në sezonin e shkuar, se nuk lodhet duke qenë ndjekësi i kryesueseve, pasi beson në sprintin final. Partizani është më i uritur për të dalë kampion dhe kjo eufori për titull shikohet si një shtysë për arritjen e objektivit. Të dyja ekipet kryesuese dallojnë nga njëra-tjera me avantazhet dhe disavantazhet, por për momentin po triumfon pragmatizmi dhe forca e grupit te të kuqtë. Në pjesën e dytë të sezonit beteja mes dy ekipeve do të jetë më e balancuar, pasi mendohet se ngarkesa në Ligën e Europës do të përfundojë më 10 dhjetor për Skënderbeun. Të dyja ekipet që mbeten nuk hyjnë në listën e skuadrave që u hahet haku nga gjyqtarët, pasi balancat anojnë më shumë nga favorizimet. Pas 12 javësh kampionat, shanset për të dalë kampion janë 50-50, ndonëse të kuqtë kanë përparësinë e diferencës katërpikëshe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura