Parimet e Bashës apo numrat e Ramës?

May 23, 2016 | 13:15
SHPËRNDAJE

u2_agrongjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Botimi i disa formularëve të plotësuar nga deputetë  dhe kryetarë bashkish të parashikuar nga ligji për dekriminalizimin nuk ka qenë aspak ngushëllues! Gjëja e parë që të kalon nëpër krye si vrapi i qoftëlargut është fakti se jemi një shoqëri e mjerë dhe e përdhunuar. Vit pas viti, ose më saktë duke nisur nga viti 1997 si apogje i krimit dhe shpërthimit të perversionit jakobin, partitë politike e kanë ulur nivelin e përfaqësimit për të fituar me çdo kusht.

Politika filloi të përbuzë elitat dhe të joshë një kategori tjetër shoqërore. Pikërisht atë që e kishte mundur shtetin në zbatimin e ligjit. Ajo thirrej për t’u bërë zëdhënëse e ligjit, fytyra me vraga e sistemit. Në Shqipëri ia mbërriti “koha e horrit” dhe rëndom përdorej shprehja “me ndere me thanë i shkolluem”!

Shoqëria lëshoi pe ditë pas dite, duke u shndërruar meritueshëm në bashkëvuajtëse dhe bashkëfajtore më shumë në liri sesa në diktaturë. Në momentin që negocioi të drejtat e veta duke shitur votën apo pranoi nënshtrimin përballë frikës, mori trajtat e një shoqërie të korruptuar dhe të trembur, e cila nuk ngre më sytë të shohë qiellin, por i ul poshtë për të rrokur tokën.

Një intelektuali për t’ia rrëmbyer mandatin, i vihej përballë një “i fortë” dhe mundësisht me lekë shumë për të kombinuar kërcënimin me blerjen. Herën tjetër partia humbëse nuk e shikonte më me sy profesorin, të ndershmin, të urtin, atë që nuk kishte rrëmbyer prona publike dhe njerëz, atë që nuk ishte marrë me trafiqe, atë që nuk kishte qitë pushkë, por i lutej bash atij zhgani, i cili këto gjëra kishte bërë gjithë kohën të shndërrohej në kandidat dhe fitues potencial.

Ata që aspiratë jete kishin të bëheshin miq me shoferët e deputetëve dhe kryetarëve lokalë kuptuan që mund t’u rrëmbejnë atyre karriget. Këta me instinkt u zgjeruan sipas fabulës “grami me vreshtin”, duke u shndërruar në ankthin e përditshëm të qytetarëve, të cilëve u mbeti vetëm sehiri dhe varfëria.

Kulmin e vet ky fenomen e arriti në zgjedhjet politike të vitit 2013 dhe në zgjedhjet lokale të vitit 2015. Metafora më e suksesshme e bashkëkohësisë, ajo për krijimin e “aleancës së qelbësirave”, u shndërrua në aksion politik. Në terren gjeti lëndë të parë me shumicë. Jemi vend i vogël, por qelbësirat made in Albania po çudisin botën.

Ky kontingjent në përputhje me logjikën tribale, në sfidë të hapur me mangësitë e shtetit për të garantuar liri, siguri për individin dhe votën e tij, i përkëdhelur nga premtimet për dominim ekonomik e shoqëror, dëshmoi faqe shqiptarëve dhe botës që të mbushë thesin me vota. Të duhen një milion?! Dyqind që të mungojnë mbase t’i siguron me besë burrash! Po ashtu në zgjedhjet lokale.

Nëse nuk merrej ylyfeja e caktuar nga xhymertet, qytetarët shtrëngoheshin me mjete “paqësore” t’i bindeshin urdhrit për të mos votuar. Fitorja apo humbja në disa raste nuk ishte proces elektoral, por proces psikologjik brenda trekëndëshit taraf-bakshish-dhunë. Banditët dhe bandat u bënë psikologët e rinj. Në këtë dehje nga triumfi ata nuk patën elegancën të rrinin qosheve, por zunë bashin e vendit. Kush e ka ndjekur dinamiken e jetës parlamentare shqiptare, ka pasur rast të kuptojë në çfarë degradimi kemi arritur.

Liria e fjalës po rrezikohej aq sa çdokush duhej të mendohej edhe në sallën e parlamentit, para se të hapte gojë, dhe nëse e hapte, të kthente kokën pas kur ecte. “Nuk keni parë gjë akoma”, tha Kryeministri ditën e parë i sapobërë vezir. U tregua i ndershëm. Në këtë kontekst, Opozita objekt dhunimi disa herë ka bërë një nga betejat më jetike në historinë e pluralizmit me qasjen e saj për çështjen e njerëzve me precedentë penalë në politikë, ose me ligjin e dekriminalizimit siç njihet tashmë.

Sigurisht kjo nuk e çliron nga përgjegjësitë në ato segmente ku ajo vetë ka bashkëpunuar me ta, por i siguron mirënjohje për nismën. Opozita e bëri këtë kur u ndje realisht e kërcënuar nëpërmjet bojkotit dhe komunikimit me ndërkombëtarët. Këta të fundit në fillim ishin skeptikë dhe më vonë u bënë mbështetës konstantë të kësaj emergjence. Çështja e dekriminalizimit duhet parë si një katarsis kombëtar. Ajo është një sfidë parimore mbi të gjitha dhe jo llogari numrash.

Politika me natyrën e saj instrumentalizuese i përdor edhe numrat për të krijuar tendencë. Kështu veproi edhe Kryeministri dje i bërë pis në këtë histori, duke i thënë opozitës: “Na hapët gropën, por po bini vetë brenda”.

Një gjë e tillë më kujton një ushtrim matematikor në vargje, i cili qarkullonte nga fundi i viteve ’80, ku thuhej: “Një kope me ca majmunë po vraponte për në lumë, katrori i gjysmës së çerekut vrapoi për nga bregu, pjesa tjetër një dyzinë mori rrugën në lendinë, pa më thoni djem e çupa, sa majmunë kishte tufa?”. Ky ishte reagimi i një njeriu në hall, reagimi më qyqar, më foshnjor dhe më i paduhuri në historinë e reagimeve. Një rast i humbur për të dhënë ndonjë shenjë shtetari.

Edhe sikur në radhët e opozitës të ketë më tepër të inkriminuar (gjë që nuk rezulton), në këtë konkurs të turpshëm krimi dhe korrupsioni kjo nuk është më problem aritmetik si puna e majmunëve, por fenomeni më shqetësues dhe mbytës për këtë shoqëri, ndaj të cilit opozita gjeti kurajë të reagojë parimisht. Mbetet për t’u parë nëse Basha do t’i qëndrojë parimit deri në fund edhe për të vetët.

Ai ka fituar një prej betejave më principale në historinë e tij politike. Nëse nuk i rri atij (parimit të pastrimit të politikës), ai shndërrohet në spektator të cirkut me numra që po bën Edi Rama, duke cenuar rëndë kredibilitetin e vet politik. Këtë lojë gropash e numrash Kryeministri që ecën mbi skandale si mbi bomba e ka të vetmen mundësi për të relativizuar fajin e tij dhe pse jo për të ruajtur aleancën me objektin e ligjit për vitin 2017.

Parimet mbeten e vetmja mundësi reanimative për besimin e rënë në koma. Basha aleancën me parimet e ka pa kosto, përkundrazi. Ta provojë e të bëjë hesap!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura