“Paratë e Albpetrol, për borxhin ndaj privatëve”

Nov 2, 2012 | 10:10
SHPËRNDAJE
Rruga Tiranë-Elbasan

Borxhi i qeverisë ndaj privatëve 1-2 për qind e PBB-së.

Në kohë të tilla krizash, të ardhurat nga privatizimet duhet të përdoren me zgjuarsi. Për Bankën Botërore, privatizimi i Albpetrolit, i cili mendohet se do të mbyllet me sukses, do t’i sjellë 850 milionë euro buxhetit dhe këto para duhet që të përdoren sa më mirë. Prioriteti i parë për qeverinë, sipas Bankës, duhet të jetë ulja e borxhit publik, i cili nuk lë hapësira për huamarrje të re në rast nevoje, pasi niveli i tij prej 60 për qind e GDP-së është më i larti në rajon. “Nëse privatizimi i Albpetrolit do të mbyllet me sukses, siç e besojmë, këto para duhet që të përdoren me zgjuarsi dhe duhet që të shkojnë për uljen e borxhit, por edhe për shlyerjen e borxhit ndaj sektorit privat”, tha drejtoresha e BB-së, Jane Armitage. Lidhur me borxhin ndaj privatëve, ajo shtoi se ky aspekt mbetet shumë shqetësues, pasi shifrat e sakta nuk dihen, gjithsesi Banka Botërore vlerëson që ky borxh mund të shkojë sa 1-2 për qind e PBB-së. “Situata është edhe më e vështirë dhe e rrezikshme sesa tregojnë numrat, pasi, sikurse e thashë dhe më herët, një nga shqetësimet që kemi ne si Bankë Botërore është ai lidhur me pagesat e detyrimeve të prapambetura të sektorit privat si ato që lidhen me rimbursimin e TVSH-së, por edhe pagesën e sipërmarrësve që kanë kontrata të investimit publik. Ne nuk kemi shifra të sakta për këtë, por mendojmë se mund të jetë diku tek 1 dhe 2 për qind e PBB-së”, tha Armitage. Në këtë aspekt ajo u shpreh se kjo mund të ketë krijuar një efekt zinxhir, ku pamundësia e sektorit publik për të marrë paratë nga qeveria e ka bërë atë të paaftë për të paguar kreditë në sektorin bankar, çka ka rritur kreditë e këqija në nivelin mbi 20 për qind. “Ekziston një problem për faturat e papaguara të qeverisë dhe gjendjen financiare të sektorit privat, e cila sigurisht pastaj çon edhe në mundësinë që kanë subjektet e sektorit privat që të shlyejnë kreditë që kanë marrë nga sektori bankar. Kjo mund të shpjegojë pjesërisht pse kreditë e këqija janë rritur viteve të fundit, duke arritur mbi 20 për qind të portofolit”, tha përfaqësuesja e BB-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura