Paralajmëron Ahmetaj: Amnisti e plotë për kapitalet

Jul 21, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, paralajmëroi hartimin e një amnistie të plotë fiskale, duke përfshirë dhe faljen e kapitaleve.

Ministri Arben Ahmetaj
Ministri Arben Ahmetaj

Ministri Ahmetaj tha në emisionin “Ekopolitikë”, në “Ora News”, se do t’i dërgojë Parlamentit propozimin për amnistinë e kapitaleve, por që do të duhet të miratohet edhe me votat e opozitës.

Ministri i Financave, Ahmetaj, tha se nuk do të ketë tjetër amnisti. “Kjo është amnistia e fundit e këtij dimensioni. Unë, po të kisha mundësi, po të ishte edhe dakortësia e opozitës, do të bëja një amnisti kapitali, do ta propozoja dhe do ta mbyllja njëherë e përgjithmonë këtë historinë e faljeve. Do ta bëj propozimin për amnisti të plotë, pra, amnisti kapitale në Komision, dhe në qoftë se do të më mbështetet, të jeni të bindur se do ta bëjmë”, tha Ahmetaj. Ministri i Financave vlerësoi rëndësinë e amnistisë fiskale për formalizimin e ekonomisë.

“E dini sa është borxhi sot. Është afërsisht 1.4 miliardë dollarë. Por 1.4 miliardë dollarë është gati 10 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. A mund të jetë një ekonomi ku fisku ka akumuluar 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo është e padrejtë. Pse është akumuluar i gjithë ky borxh? Sepse nuk kanë funksionuar instrumentet në mbledhje. Fakti është fakt! Nuk është mbledhur 10% e GDP-së. Mos e shikoni paketën veç e veç, por të plotë. Është një ingrident i rëndësishëm për të mos krijuar këtë lloj borxhi dhe pas shumë vitesh të mos themi ne paskemi 10% borxhe”, u shpreh Ahmetaj.

AMNISTIA

Në thelb, amnistia e kapitalit përbën deklarimin vullnetar nga qytetarët dhe bizneset për zotërimin e parave brenda dhe jashtë vendit, me kusht që të paguhet një tarifë që këto para të depozitohen në një bankë të nivelit të dytë. Kusht për legalizimin e kapitalit është që qytetarët apo personat duhet të deklarojnë se kërkojnë të legalizojnë vullnetarisht kapitalin, të cilin nuk e kanë deklaruar më parë, ose për të cilin më parë kanë deklaruar një vlerë më të vogël se ajo çfarë duhej të deklaronin.

Në amnistinë e 2011-s parashikohej se individët mund të legalizonin paratë e tyre duke paguar vetëm 3 për qind të shumës së legalizuar. Por në këtë pikë kishte edhe një kusht, që kapitali i legalizuar nuk duhet të nxirret jashtë vendit në më pak se tre vjet, në të kundërt, mbahen penalitete që rëndohen sa më herët të jetë koha e transferimit. Për rastet kur paratë e legalizuara transferoheshin jashtë vendit, brenda vitit mbaheshin penalitete në 13 për qind të shumës së legalizuar.

Brenda dy vjetëve nga data e legalizimit, mbaheshin penalitete 6 për qind e shumës së legalizuar. Nëse paratë transferoheshin brenda 3 vjetëve nga data e legalizimit, mbaheshin penalitete 3 për qind të shumës së legalizuar.

Pas afatit kur transferohen shuma më të mëdha ose më të vogla, shuma e penalitetit përllogaritet në raport me shumën e transferuar, por në çdo rast nuk mund të kalojë 3 për qind të shumës së legalizuar që do të transferohet jashtë shtetit. Amnistia e kapitalit në 2011-n nuk mori konsensusin e opozitës. Zbatimi i amnistisë përfshiu vetëm faljen e detyrimeve të makinave, faturave të dritave dhe detyrimet e biznesit.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura