Paradokset e një viti pandemik/ Teste me pikatore dhe mbi 7 mijë humbje jete! Vetëm 1939 prej tyre janë raportuar nga COVID-19

Mar 8, 2021 | 14:00
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI / Sot një vit më parë, COVID-19 depërtoi edhe në vendin tonë. Autoriteteve iu deshën jo pak, por disa javë për të gjurmuar rastin e parë. Mbrëmjen e 8 marsit u konfirmuan 2 persona të infektuar, përkatësisht atë e bir.


Kjo shënoi edhe pikënisjen e një kalvari jo pak të mundimshëm, që i kushtoi shtrenjtë çdo familjeje, në këtë betejë, që ende s’dihet ku e ka fundin. Por teksa bota vlonte nga lajmet mbi COVID-19, Kryeministri Rama zgjodhi anxhendën politike.

Pakkush mund ta ketë harruar shprehjen që kreu i qeverisë përdori gjatë një takimi me banorët e Shijakut të shtunën e 7 marsit, ndërsa prezantonte projektin e rindërtimit. “Ma vaffanculo virusi”, tha Rama, ndërsa shtrëngoi duart me arkitektin italian. Një ditë më vonë, ethet, ankthi dhe frika e pandemisë do të përfshinin vendin.

URDHRI

Por, edhe pse u gjendëm të pambrojtur dhe të papërgatitur, për qeverinë nuk do të ishte një “rrufe në qiell të hapur”. Prej fundit të janarit, në korridoret e Ministrisë së Shëndetësisë koronavirusi nuk ishte një term i panjohur. Këtë e dëshmon edhe urdhri i Ministres Manastirliu, që mban datën 24 janar, me anë të të cilit kërkohet që “Instituti i Shëndetit Publik të përforcojë survejancën e infeksioneve respiratore të rënda si edhe të marrë mostra nga Spitali Infektiv dhe ai ‘Shefqet Ndroqi’.

Nga ana tjetër, po ashtu kërkohet që të rritet kontrolli në pikat kufitare. Kjo provon edhe bindjen e mjekut epidemiolog, profesor Eduard Kakarriqi, që virusi ka nisur të qarkullojë që në janar. Por, me sa duket, masat kanë qenë thjesht dhe vetëm në letër, sa kohë qeveria zgjodhi futjen e vendit në karantinë. Mëngjesin e 13 marsit, Tirana dhe gjithë Shqipëria do të zgjohej e zbrazët dhe kjo vazhdoi për disa javë me radhë.

Sikur të mos mjaftoheshin me frikën që ngjallte “armiku i padukshëm”, qytetarët u përballen edhe me terrorin e tankeve që pushtuan rrugët e kryeqytetit. Lehtësimi gradual i masave nisi në muajin maj, duke sjellë një verë thuajse pa kufizime. Me ardhjen e vjeshtës, e vetmja masë e ndërmarrë ishte ajo për përdorimin e maskës në ambientet jashtë dhe brenda, mbyllja e universiteteve, mësimi i alternuar për shkollat si edhe kufizimi i lëvizjes në orët e mbrëmjes deri në mëngjes.

Thënë kështu, duket se pandemia ka qenë thuajse gjithë kohës nën kontroll. Por, në fakt, kjo është bindje që qeveria kërkoi të ngjizte. E vërteta mbetet ajo që përjetoi dhe po përjeton çdo familje dhe “Tirja” do të jetë shëmbëlltyra e kësaj pandemie.

NJË VIT MË PAS

Një vit më pas mbartim akoma të njëjtat problematika. Vështirë të thuash se në ç’pikë jemi sot, sepse nuk dimë sa persona e kanë kaluar koronavirusin. Shifrat zyrtare flasin për rreth 113 mijë të infektuar që prej fillimit të pandemisë, por kjo nuk pasqyron situatën reale. Shkalla e infeksionit në anën tjetër vijon të jetë mbi 25 për qind, çka dëshmon se “çelësi” mbeten testimet.

Nëse testet nuk do të bëheshin me pikatore, me siguri shifrat do të ishin disa herë më të larta se ato të publikuara. Nga ana tjetër, ne ende sot nuk e dimë po ashtu nëse qarkullojnë variantet e reja të COVID-19 apo jo. Ministria e Shëndetësisë vijon të fshihet pas togfjalëshit: “Kemi dyshime të arsyeshme”. Rritja me shpejtësi e shifrave të infeksionit solli shtim të numrit të pacientëve që kanë nevojë për kujdes spitalor.

Por të dhënat zyrtare tregojnë se më pak se 2 për qind e të infektuarve aktivë janë të shtruar, ndërkohë që anembanë, ky raport, pra, raporti mes të infektuarve dhe të shtruarve është 4 apo deri edhe në 5 për qind. Sipas ekspertëve, nëse në spitalet publike ka më pak të shtruar, kjo ndodh sepse pacientët preferojnë trajtimin në shtëpi për shkak edhe të stigmës.

FATALITETET

Çfarë e bën edhe të zymtë këtë situatë, janë pa dyshim fatalitetet. Me statistikat e qeverisë, shkalla e vdekshmërisë nga COVID-19 në vendin tonë është nën 2 për qind. Por kjo është veçse maja e ajsbergut. Janë më shumë se 8 mijë humbje jete më shumë përgjatë vitit pandemik, kjo në raport me mesataren e 5 viteve të kaluara.

Sipas raportit zyrtar të INSTAT, vitin e kaluar u regjistruan 27 mijë e 605 humbje jete ose 5668 më shumë se viti 2019. Ndërkohë, përgjatë dy muajve të parë të këtij viti, sipas Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile janë më shumë se 2 mijë vdekje shtesë. Çka do të thotë se janë mbi 7 mijë vdekje shtesë. Shifrat më të larta të mortalitetit vihen re në fund të vitit.

Me përfundimin e karantinës, në gjashtëmujorin e dytë të vitit, shifrat janë përkeqësuar ndjeshëm. Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë u regjistruan rreth 1600 vdekje më shumë se e njëjta periudhë e 2019-ës, me një rritje prej 32 për qind. Ndërsa në tremujorin e fundit, rritja ishte 73%, ose gati katër mijë jetë më pak se në tetor-dhjetorin e 2019-ës. E njëjta situatë është edhe në muajt e parë të këtij viti, ku vetëm në muajin shkurt janë 1540 humbje jete më tepër në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Teksa ndodhemi në këto kushte, me mbi 7 mijë humbje jete më tepër, me pacientë që kanë kthyer banesat në dhoma spitali, qeveria ka lënë në stanjacion masat. Shtrëngim apo një mbyllje e dytë do të kishte faturë, gjë që qeveria përpiqet ta shmangë me çdo kusht. Shpresa e vetme mbetet imuniteti natyror, sa kohë vaksinimi vijon me këto ritme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura