Para vendimit të Gjykatës Sportive, Serbia: Mund të dënohemi nga UEFA 3-5 vjet

Apr 14, 2015 | 12:21
SHPËRNDAJE

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës do të mblidhet në 16 dhe 17 prill për të shqyrtuar kërkesat e Serbisë dhe Shqipërisë për fitoren e ndeshjes së luajtur vitin e kaluar.

Lajmi në “Kurir”

Në prag të kësaj mbledhje, zv. Presidenti i Federatës serbe të Futbollit Ivan Ćurković dha alarmin se kombëtarja e vendit të tij mund të pezullohet nga aktivitetet ndërkombëtare 3-5 vjet për shkak të sjelljes së keqe të tifozëve.

“UEFA ka një dosje të madhe për Kroacinë, Serbinë dhe Malin e Zi. Nga vendet e Ballkanit vetëm Sllovenia nuk është në radarët e UEFA-s. UEFA ka filluar ta disiplinojë Ballkanin. Unë kam informacione të sigurta se Kroacia dhe Serbia do të pezullohen nga të gjitha garat e UEFA-s dhe FIFA-s për 3 deri në 5 vjet”, deklaroi zyrtari i lartë i Federatës serbe.

Kjo deklaratë e tij vjen dy ditë përpara se Arbitrazhi Sportiv të shqyrtojë dosjen e plotë të asaj që ndodhi në Beograd mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Pas dhunës ndaj futbollistëve kuqezinj, Komisioni i Disiplinës në UEFA i dha fitoren serbëve 3-0 me argumentin se kombëtarja shqiptare nuk pranoi të futej në fushë.

Ndërkohë që në të njëjtën kohë Serbisë iu hoqën 3 pikët për akte të shëmtuara dhune dhe futjes së tifozëve në fushë.

Në gjykatën e Arbitrazhit Sportiv të dyja skuadrat kanë kërkuar marrjen e 3 pikëve në këtë ndeshje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura