Paolo Conticini: Mungesa e shkollimit më bën inferior

Nov 19, 2015 | 19:32
SHPËRNDAJE

Nga një bodyguard, në një nga aktorët më të kërkuar në Itali, Paolo Conticini zhvilloi dje një takim në Universitetin e Arteve, duke treguar eksperiencën e tij kinematografike përpara studentëve.

Paolo_ConticiniArdhja e Conticinit në Tiranë u mundësua nga Giffoni Albania, i cili feston edicionin e tij të 10-të. Aktori italian ka dashur të ndajë me të rinjtë jo vetëm rrugën e tij, por edhe rëndësinë e të shkolluarit.

“Doja që të isha i pavarur nga prindërit e mi. Që në moshën 16-vjeçare u largova nga shkolla. Për të krijuar pavarësi ekonomike, mora borxh për të hapur një palestër”. Për këtë nisi punë dhe si bodyguard në një pub, atje takoi një kineast që i tha: “A e di se ke një fytyrë të bukur kinemaje?”.

Mirëpo kësaj nuk i kushtoi rëndë- si derisa një ditë e la e fejuara. Kështu që i trishtuar nisi të rrëmonte mes fotografive në sirtar, aty i kap dora kartëvizitën e kineastit. E kontakton dhe me ndihmën e tij nisi bashkëpunimet e para.

“Mirëpo në moshën 30- vjeçare nuk ndihesha i plotësuar nga ana profesionale”, vazhdon të rrëfejë ai. I pyetur nga mediat nëse ndihej një aktor i varfër apo i pasur, ai tha se nuk i mungonte asgjë. “Kjo nuk nënkupton asgjë se mund të jesh shumë i pasur, por prapë mund të mos jesh i plotësuar”, thotë ai.

Shpeshherë është në udhëtime dhe sheshxhirime. I pyetur sa e pengojnë këto angazhime në jetën e tij personale, ai u përgjigj se me gruan e tij, Xhadën, ishte njohur qysh në fillimet e suksesit të tij, madje bashkë janë rritur.

Por, a ndikon të qenët i bukur, e shkuara e tij si model në arritjet e tij? “Do të gënjeja nëse do të thosha se pamja e jashtme nuk ndikon.

Mirëpo kam luajtur edhe në komedi. Vihet re se komikët nuk janë të bukur, prandaj të qenët i bukur në komedi nuk ndikon”.

Për të aktrimi është një nga profesionet më të bukura, por njëkohësisht edhe më të vështira. Paolo u këshilloi studentëve që një nga gjërat më të mira për ta është të studiuarit.

“Kjo gjë në jetën time më ka bërë shpeshherë të ndihem inferior, madje edhe në momentin që jam duke folur para jush”. Ai do të bënte çdo lloj roli, nëse do të ishte në gjendje të rëndë ekonomike.

Mirëpo në një situatë normale, rolin duhej ta studionte dhe të shihte se sa i shkonte përshtat. Nëse ishte një rol që nuk i përshtatej, do të ishte më mirë të hiqte dorë, pasi kjo gjë do të ndikonte për keq tek ai.

Madje, ai pohoi se ishte i gatshëm të firmoste me kinemanë shqiptare, nëse do t’i ofrohej një rol. Kur nuk punon në kinema, preferon të udhëtojë në vendin e tij, Piza.

Gjatë kohës që është bërë i famshëm, shumë miq të tij janë larguar, papritur shumë të rinj janë bërë miq, mirëpo miqtë e vërtetë kanë ngelur po aty. Edhe pse tani kur kthehet në Piza, shumë njerëz e njohin, sjellja e tij nuk ka ndryshuar, raporti dhe shpirti i tij me ta ka ngelur po i njëjti.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura