Panik në komisariat nga 38-vjeçari që vrau motrën

Apr 30, 2012 | 14:14
SHPËRNDAJE

Komisariati i Policisë së Burrelit

BURREL/ Mirash Miza shfaq shenja dhune. I heqin lidhëset e këpucëve.

Mirash Miza ka ngritur në këmbë drejtues e specialistë të Komisariatit të Policisë Mat. Mesnatën e së shtunës, 38-vjeçari i akuzuar për vrasjen e motrës 27-vjeçare në Ulëz, jo vetëm që është treguar i dhunshëm në dhomën e para-burgimit, por ulërimat kanë bërë që të kërkohet ndihma e mjekëve për qetësimin e tij. Në pritje të masës së sigurisë nga Gjykata e Burrelit, Miza është “sistemuar” në katin e parë të një shtese në godinën e Policisë së Burrelit. Ai është marrë në pyetje nga grupi hetimor dhe dy ditë pas krimit të kryer, ka shfaqur shenja pendese. “Rreth orës 00:30 të ditës së djeshme, Mirash Miza bërtiste me të madhe në dhomën e paraburgimit, madje dëgjohej kur përplaste dërrasat e krevatit ku qëndronte. Punonjësit e Policisë që kryejnë shërbimin këtu i kanë kërkuar të qetësohet dhe të ndalë dhunën e britmat. Mirëpo ai nuk është bindur. Jemi detyruar të kërkojmë ndihmën e mjekëve për qetësimin e tij”, thanë burime të sigurta pranë Komisariatit të Burrelit. Mësohet se shumë shpejt në komisariat kanë mbërritur mjekë të spitalit. Nën shoqërinë e 4-5 punonjësve të Policisë, mjeku e ka pyetur fillimisht Mizën çfarë problemesh kishte. “Më dhemb shumë koka dhe nuk më zë gjumi”, është shprehur 38-vjeçari, që të martën paradite ekzekutoi motrën e tij në Madhesh të komunës Ulëz. Fillimisht ai ka kërkuar ujë dhe më pas nuk ka pranuar të marrë injeksione, duke deklaruar se ka frikë për atë që do t’i injektohej. Burime pranë Policisë lokale thanë se ai pas vizitës së mjekut dhe porosisë së punonjësve të Policisë ka heshtur, madje ka fjetur gjumë. Kanë mjaftuar zhurmat e bëra nga Miza që policia të shtojë masat e sigurisë si dhe t’i heqë atij lidhëset e këpucëve, rripin si dhe një varëse që mbante në qafë. Pritet që sot Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat të japë masën e sigurisë për Mirash Mizën, për veprën penale të vrasjes me dashje, si dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Zyrtarë të Policisë së Matit thanë se asnjë i afërm nuk e ka vizituar Mizën, por është treguar kujdes nga policia për ushqyerjen e tij deri në transportimin në burgun e Burrelit. Deri tani nuk jepet ndonjë konkluzion mbi gjendjen mendore të tij.Sipas Mizës, e gjithë kjo erdhi pasi nuk donte që e motra të përdorte rrjetin social, facebook dhe të krijonte lidhje nëpërmjet tij.

BURREL/ HASAN PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura