Pandeli Koçi: Fatos Arapi, rebel e polemist, përmbysi poezinë retorike

Oct 12, 2018 | 19:32
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Poeti dhe studiuesi Pandeli Koçi i kujton vargjet e fatos Arapit qysh kur shkonte në gjimnaz. I dukej një poet ndryshe dhe kur shkoi në Tiranë pati mundësi ta njohë nga afër.

pandelikoci

Koçi flet për kontributin e Arapit në letërsinë shqipe, të renë që solli në poezi bashkë me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin, të cilët u vunë para kritikave të një brezi poetësh e kritikësh, të cilët parapëlqenin vargjet himnizuese për Partinë.

Si e keni njohur poetin Fatos Arapi?

Si poet e kam njohur që në gjimnaz, aq më tepër si vlonjat që ishte. Poezia e tij dukej ndryshe nga e të tjerëve. Kur erdha në Tiranë, kemi kaluar orë të tëra, bënim shëtitje, na fliste dhe ne gjenim tek ai një mendim të freskët për poezinë, një mendim të ri dhe na nxiste t’i rrinim afër dhe të ndiqnim shembullin e tij. Dhe të them të drejtën, shumë nga brezi ynë vazhduan të ecin në frymën e Fatosit. Pati shumë ndjekës dhe u shquan si individualitete. Me të drejtë studiuesi Behar Gjoka e quajti “Pulëbardha e fundit e Vlorës”. Dhe në të vërtetë ai jetoi me Vlorën, detin dhe ishin frymëzim i dashurisë dhe poezisë së tij.

Cili është kontributi i Fatos Arapit në letërsinë shqipe?

Fatos Arapi ishte dhe ngelet një nga tre korifenjtë e poezisë shqipe, pas Luftës së Dytë Botërore. Fatosi si poet, krahas Kadaresë, Agollit, Qiriazit pruri një përmbysje të poezisë që notonte në ujërat e një retorizmi mbizotërues, politiko-ideologjik, por mbi të gjitha një poezie rutinë. Ai solli në poezinë shqipe një figuracion dhe një ritëm të ri. Poezia e tij ishte sa e gjallë, sa jetësore aq edhe e fuqishme. Krahas lirizmit, që ishte sa shpërthyes aq dhe i ndierë dhe i butë kur fliste për jetën, dashurinë, poezia e tij ishte e mbërthyer nga një dramatizëm i fuqishëm, që është një nga tiparet e veçanta që karakterizojnë individualitetin e poezisë së tij. Fatos Arapi që adoleshent mori pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, më vonë vazhdoi studimet për ekonomi për Bullgari, por vazhdoi të shkruante që në të mesme. Punoi edhe si gazetar dhe pedagog, por ajo që e karakterizoi dhe e mbajti në nivelet më të larta të letërsisë sonë ishte poezia e tij. Krahas poezisë mund të përmend disa poema si “Drashovica”, “Republika”, “Antiburokratike” etj., që u pritën mirë nga kritika e kohës, duke sjellë një frymë të re në poezinë shqipe. Librat e parë të tij janë “Shtigje poetike”, “Ritme të hekurta”, “Drejt qindra shekuj shkojmë”, “Pikëllimi i dritave” etj.. Ka fituar disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, madje në “Netët strugave”, festivalin e letërsisë, ishte shqiptari i parë që fitoi çmim në këtë aktivitet ndërkombëtar. Është përkthyer në disa gjuhë të botës. Fatosi ka shkruar edhe prozë, romane dhe novela, që kanë ngjallur kërshëri dhe janë pritur mirë nga lexuesi. Ishte një mënyrë të shkruari, një konceptim i ri, që dallohej dhe kjo nuk ishte pak për një poet. Duke qenë një intelektual me një kulturë të gjerë, ai ka shkruar edhe një sërë esesh dhe studime të mirëfillta. Këtu dallohet karakteri i Fatosit, përpjekja e tij për të polemizuar, për t’u thelluar dhe për të dhënë një mendim origjinal për çështje të letërsisë. Ka shkruar dhe një libër publicistik “Çështja shqiptare dhe kriza ballkanike”, ku ai mban një qëndrim qytetar dhe atdhetar ndaj dukurive historike që ka kaluar vendi ynë. Nuk është thjesht një poet, por ka dhënë ndihmesën e tij si intelektual në disa fusha. Por Fatosi është shquar edhe për tekstet e këngëve. Do përmendja “Globi rrotullohet”, “Kur vjen pranvera” ose “Mesnatë”, kompozuar nga kompozitorët tanë më të shquar, që kanë marrë edhe çmime në festivalet e RTSH-së. Të gjitha këto janë copëza që formojnë mozaikun e ndritur të figurës së Fatos Arapit.

Ka pasur një debat të ashpër në vitet ’60 kundër poetëve të rinj, siç ishin Arapi, Agolli e Kadare…

Në vitet ’60, pas poezive të botuara te “Nëntori” e më pas te “Shtigje poetike”, pati një reagim negativ ndaj poezisë së Arapit, Kadaresë dhe Agollit. Në revistën “Nëntori” u botuan një sërë artikujsh negativë, por ata e kapërcyen me talentin e tyre dhe arritën t’i japin një drejtim dhe ngjyrim të ri, duke hedhur poshtë retorizmin, i cili ishte një sëmundje dhe pjesë përbërëse e realizmit socialist, t’u këndoje vetëm fitoreve në mënyrë deklarative. Duke prurë një koncept dhe figuracion të ri, ai ishte sa poet meditativ aq edhe lirik. Me një figuracion origjinal. Në fund të jetës së tij ai botoi katër vëllime me poezi të zgjedhura, në të cilat u përfshinë krijimet e tij më të mira e bashkë me to dhe një sërë poezish që nuk mund të botoheshin para ’90-ës, poezi “sirtari”.

Pas viteve ’90, u bë e modës që shkrimtarë e poetë të ndryshëm ta “shisnin” veten pasdisidentë, cili ishte raporti i Arapit me regjimin?

Ai ishte një shpirt rebel, polemist, fliste për poetët e rinj, shkruante, mori pjesë në diskutime e në artikuj, por në atë kohë nuk mund të flitej për disidencë, sepse regjimi ishte i tillë. Por këto personalitete brenda burgut të realizmit socialist, brenda kësaj skeme, u përpoqën të gjejnë një lloj lirie, të nxirrnin shpirtin e poetit dhe të vërtetat që i mbanin përbrenda dhe s’i shprehnin dot, në mënyrë të figurshme. Përmes metaforës dhe simbolit ata mund të thoshin më tepër se një himn i thjeshtë për realitetin socialist.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura