Panariti: Në fabrikat e përpunimit vetëm gruri i cilësisë së lartë

Jun 30, 2015 | 14:44
SHPËRNDAJE


“Vetëm gruri me cilësi të lartë do të shkojë në fabrikat e përpunimit”. Kështu ka deklaruar dje ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti. Gjatë një takimi me prodhuesit e miellit në vend, Panariti garantoi zbatimin e standardeve më ta larta të cilësisë, si edhe krijimin e hapësirave për prodhimin vendës. Rreth 70% e nevojave që ka vendi mbulohen nga importi, kryesisht nga Serbia dhe Rusia. Kjo për shkak të çmimit të favorshëm, me të cilin ato ofrohen në treg. Por kjo ka koston e vet dhe si gjithnjë është konsumatori ai që e vuan. Gruri i importuar nga këto vende në jo pak raste ka rezultuar i kontaminuar.

Ministri Panariti u kërkoi prodhuesve që të orientohen dhe t’i japin përparësi tregut vendës. Aplikimi i standardeve të larta të cilësisë do të shërbejë pikërisht për favorizimin e prodhimit vendës. “Ne do krijojmë një marrëdhënie më të qëndrueshme mes blerësve që drejtohen drejt tregjeve, të cilët vërtetë mund të ofrojnë sasi më të mëdha të grurit, por gruri i tyre është i një cilësie shumë më të dobët. Paketa e re e standardeve e ndalon tashmë këtë. Ndërkohë që gruri shqiptar është elitar sa i përket cilësisë dhe meriton të përgatisë bukën e shqiptarëve dhe të eksportohet”, u shpreh Panariti. Për këtë, ministri mori mbështetjen e prodhuesve, të cilët më herët kanë ngritur shqetësimin se nuk ka treg për prodhimin vendës. Kryetari i shoqatës së prodhuesve të grurit, Adi Haxhiymeri, tha se plotësimi i nevojave me prodhim vendës do të bëhet e mundur nëse zbatohet paketa e standardeve. Sakaq, politikat e subvencionimit që aplikohen nga qeveria për fermerët kanë rritur ndjeshëm prodhimin vendës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura