Panariti: Kufiri ujor me Greqinë, sipas Kushtetueses

Aug 20, 2012 | 13:46
SHPËRNDAJE

Edmond Panariti

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, tha dje se marrëveshja e re e kufirit ujor me Greqinë do t’i referohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e parë.

Duke folur për “Vizion Plus”, kreu i diplomacisë shqiptare pranoi ngritjen e dy grupeve të punës që po ballafaqojnë të gjitha opsionet e mundshme ligjore mbi të cilën do të hartohet marrëveshja e re e ujërave me shtetin fqinj. “Me urdhër të ministrit janë krijuar dy grupe pune që po punojnë për prodhimin e opsioneve sa më solide për adresimin e këtij problemi. Pika e referimit nga hapat e mëtejshme do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por për të mos qenë i nxituar do të më lejoni që unë të pres rezultatin e grupeve të punës për ta bërë publik dhe për të përcaktuar më pas edhe strategjinë që ne do të ndjekim në raport me Greqinë, për rinegocimin apo për opsione të tjera. Pa dyshim edhe për të mos lejuar spekulime të mundshme nga aktorë apo faktorë, sepse për Ministrinë e Punëve të Jashtme, mbrojtja e interesave kombëtare është prioriteti më madhor”, u shpreh ministri i Jashtëm Panariti. Opozita ka akuzuar ministrin e Jashtëm dhe Kryeministrin e vendit, Berisha, se po negocion në mënyrë të fshehtë një marrëveshje të re për ujerat detare me Greqinë, duke shmangur vendimin e Gjykatës Kushtetuese e duke i dhënë hapësira ujore vendit fqinj për shfrytëzim. Pak ditë më parë, mediat greke shkruan se Greqia kushtëzon dhënien e dakordësisë për projektin e gazit TAP që vjen nga Azerbajxhani me marrëveshjen e ujerave me Shqipërinë. Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, deklaroi se nuk ka asnjë lidhje mes projektit të gazsjellësit transadriatik TAP dhe marrëveshjes së ujërave me Greqinë. Panariti u shpreh se këto janë dy projekte të ndara dhe Greqia nuk kushtëzon realizimin e njërës me tjetrën. “Jam i njohur me interpretimin që i kanë bërë mediat projektit TAP. Dua të them që nuk ka varësi mes këtij projekti dhe marrëveshjes së ujërave. Progresi i njërës nuk do kushtëzohet nga regresi i tjetrës prej palës greke”, tha ai. Panariti shtoi se ka marrë mbështetjen e pakushtëzuar të homologut italian dhe atij grek. “Është e rëndësishme që të tria vendet të nënshkruajnë një marrëveshje për këtë projekt, është e domosdoshme dhe kjo do të arrihet. Jemi në rrugë të mbarë”, tha ai.

Mediat greke, për rolin e Greqisë në projektin TAP

Italia, Greqia dhe Shqipëria duhet të mbyllin në tre muajt e ardhshëm marrëveshjet respektive për gazsjellësin TAP, kohë brenda së cilës duhet të zgjidhet edhe çështja e mbetur pezull e marrëveshjes së ujërave mes Tiranës e Athinës. Mediat greke theksojnë se marrëveshja për delimitimin e kufirit detar me Greqinë mund të kthehet në një pengesë serioze për avancimin e bisedimeve dypalëshe lidhur me projektin e gazsjellësit TAP. Sipas të njëjtave burime, delegacionet e tri vendeve mund të takohen në tetor në Tiranë për të diskutuar lidhur me modalitetet për nënshkrimin e një marrëveshjeje trepalëshe, që do t’i hapte rrugë projektit TAP dhe do të përçonte një mesazh të fortë në Azerbajxhan.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura