Panairi i Librit 2022/ Nga Arti i Fjalës tek Arti i të Menduarit, 40 botime të reja në stendën e UET PRESS

Nov 16, 2022 | 10:36
SHPËRNDAJE

Ndërsa Panairi i Librit feston këtë vit jubileun e tij të 25-të, UETPRESS vjen për lexuesit me mbi 40  botime të reja që shënjojnë risi në diskursin publik shqiptar.

UET pres

Nga Mero Baze e Arben Imami, tek Enver Hoxhaj, Gani Mehmetaj e Migjen Kelmendi,  Preç Zogaj, Rudolf Marku e  Vera Bekteshi janë vetëm disa nga autorët e 40 botimeve të reja  që shtëpia botuese UET PRESS sjell në Panairin e Librit. Nga  dokumentet e rëndësishme të historisë së re të Kosovës, filozofia, letërsia artistike, librat e motivimit dhe deri tek ato me receta të një shefi të njohur si Alfred Marku…në stendën e kësaj shtëpie botuese, lexuesi i gjen të gjitha. Edhe debatin mbi nevojën për të normalizuar letërsinë e shkruar në dialektin gegë, por edhe rihapjen e temës së nxehtë mbi standardin e shqipes dhe nevojën për një drejtshkrim modern të tij, nga studiuesi Aristotel Spiro

Republika e Parë – Historia e Kosovës 1989-1999, vjen e rrëfyer mjeshtërisht nga publicisti Mero Baze, i cili është mbështetur në dokumente nga arkivi personal i Bujar Bukoshit dhe i qeverisë së Kosovës për të sjellë një kronikë plot fakte, dëshmi të mbledhura nga intervista personale me protagonistë, përjetime, paskuinta dhe të pathëna mbi bashkëjetesën Bukoshi – Rugova, si “murgj të një rruge që nuk ia dinin fundin. Ata ia dolën të ndërtojnë Republikën e Parë të Kosovës, një shtet me letra që nuk e njohu Perëndimi, por e njohën shqiptarët dhe e besuan më shumë se çdo qeveri tjetër të mëpasshme në Kosovën e lirë.” – thotë autori Baze, duke sjellë për lexuesin shqiptar një libër të mrekullueshëm kujtese historike bashkë me profilet e dy burrështetasve të kalibrit që nuk përsëriten lehtë në historinë e një populli.

 Tri format e mendimit, nga Arben Imami, vjen nën logon e botimeve UET PRESS si një ftesë për të menduar rreth utopisë, arsyes, mitit, religjionit, dijes, së vërtetës, marksizmit, politikës, post-modernizmit, hegjemonisë, funksionit dhe thelbit. Me një pasion të hershëm për filozofinë dhe realizues i “Kolana Filozofike” me emrat më përfaqësues të mendimit filozofik, autori sjell për lexuesin veprën e tij, që prek dhe shtjellon tri forma të mendimit filozofik – mitologjia, racionaliteti dhe religjioni – si një përmbledhje unike në llojin e saj, sintezë e rrugëtimit historik të njeriut drejt arsyes. Sipas autorit ky libër është një tribut për arsyen kundrejt një mendimi jo vetëm filozofik, por edhe në shoqëri e politikë. Me besimin se “Nuk ka fat tjetër, veç të bërit politikë të mirë”, Arben Imami kurorëzon me këtë botim librin e parë të një pune qëmtuese disavjeçare. Tri Format e Mendimit do të jetë në stendën e botimeve Uetpress, krahas pesë librave të rinj të Kolanës Filozofike, përkthimet Koncepti i Politikes nga Carl Shmitt; Hyrje në Filozofinë e Historisë nga Hegel; Shkrime mbi Moralin nga Epikuri dhe Mbi Natyrën nga Lukreci; Dy Ese nga Friedrich Von Gentz- Origjina dhe Parimet e Revolucionit Amerikan krahasuar me Origjinën dhe Parimet e Revolucionit Francez (1800) dhe Pjesë mbi Balancën e Fuqisë në Europë (1804); Nga Kodi i Hamurabit te deklaratat e të drejtave -përmbledhje e dokumenteve politiko-ligjorë më të rëndësishëm të të gjitha kohëve.

Ekrem Bardha sjell një tjetër rrëfim intensiv – E vërteta – pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora, duke zbardhur si një ditar kujtimesh ngjarje, takime, përjetime të një kohe historike me trajektore të gjerë veprimi nga Departamenti i Shtetit, Kongresi, në Kosovë e krejt mjedisin politikëbërës, përcaktues në fatin e Kosovës. Libri sjell përmes dëshmive autentike të protagonistëve, kontributin e spikatur të Diasporës shqiptare në Amerikë si një referencë që duhet ruajtur dhe përfshirë në kujtesën historike të shqiptarëve.

Nën logon UET PRESS  spikat edhe libri i dr.Aristotel Spiro, “Për një drejtshkrim shqip modern”, si një kontribut profesional në atë që është kthyer në ‘debati për gjuhën’. A duhen ndryshuar rregullat e drejtshkrimit të shqipes, rikonceptuar, përmirësuar? Si, kur, në ç’mënyrë dhe nga kush? Krahas qasjes parimore dhe konceptuale, autori Spiro sjell edhe propozimet e tij konkrete për ndryshimet që duhen bërë në rregullat e drejtshkrimit, duke përfshirë ndër të tjera vendosjen e parimit fonologjik dhe të grafemës në themel të shqipes, përkufizimin e normës fjalëformuesese, apo mendimin se mospërfaqësimi i dyshkronjëshave në alfabet i jep gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare atë prestigj kulturor që e kanë gjuhët dhe kulturat e mëdha të Evropës dhe botës.

Kolana Leteratura përfaqësohet në këtë panair me disa autorë të afirmuar shqiptarë.

Romani fitues i Çmimit Kadare 2022, Pusulla të verdha, i autores Vera Bekteshi – një rrëfim tronditës në vetë të parë, ky libër u kushtohet personave me aftësi ndryshe dhe sfidave të tyre në një shoqëri ende skematike dhe përjashtuese për të ndryshmin.

“Çfarë ka dashur të thotë Dante, kur në Rrethin e Pestë ka vendosur të xhindosurit apo të zymtët? Çfarë ka dashur të thotë, të ketë qenë edhe ai aq i drejtë me ne, që jemi të dënuar me atë gjënë, që herë na mposht me zymtësi apo xhindosje? Mos deshi dhe ai të na ridënojë, apo e ka fjalën për njerëz që xhindosen nga pushteti a munden nga zymtësia, kur e humbasin atë? Do të doja ta njihja nga afër jetën e tij, për të qenë disi afër të vërtetës, po hëpërhë më duhet të merrem me spitalin ku kam përfunduar…”, shkruan autorja Bekteshi duke rrëfyer me zërin e një djaloshi që vuan turbullime të mendjes në përpëlitje shpirtërore. Ky roman nuk errësohet nga tunelet e errëta që përshkon personazhi I tij kryesor, përkundrazi është një himn dashurie dhe force njerëzore.

Zemra është një vend i vetmuar – roman i rënies në terr politik dhe i jetës në grackën e tij – është me gjasë romani më i mirë i Rudolf Markut dhe hyn padyshim ndër romanet më të mirë të krejt Letërsisë Shqipe jo vetëm në tre dekadat e saj të fundit, vlerëson studiuesi Gëzim Basha. Në qendër të tij është një vajzë gjermane, Fräulein R.H, një bionde e bukur, e cila pas njohjes në Dubrovnik dhe vendimit për t’u martuar me shqiptarin e hijshëm Martin, mbeti peng në Shqipërinë komuniste për shkak të pafajsisë së saj. Përmes fatit të karaktereve të veta, autori ofron vështrime kaleidoskopike dhe imagjinative në Shqipërinë e tri kohëve; Luftës së Dytë Botërore, diktaturës komuniste, dhe tranzicionit. Rudolf Marku arrin të ruajë dritën e dashurisë në gdhendjen e dy personazheve kryesore të romanit të tij, ndërsa skalit me mjete artistike një kohë të errët historike me të gjithë groteskun, zezonën, absurdin dhe dhimbjen që kjo kohë shenjoi tek njerëzit që e jetuan.

Virgjil Muçi me  BU – Si nuk u bëra anëtar i Bibliotekës Universale, ka guxuar të vijë para lexuesit me një roman që ngërthen një alegori politike – anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Kalvarin e njohim dhe e jetojmë si fat, të gjithë ne. Shkrimtari Muçi befason me këtë roman; zgjedh të dekonstruktojë me mjete letrare mitin e anëtarësimit në Bibliotekën Universale, duke e marrë përdore lexuesin në labirintin e korridoreve të këtij organizmi, parë së jashtmi si i patëmetë. Por personazhi pa emër i Virgjil Muçit, ndërsa njihet me ‘kokat’ drejtuese të BU-së – miqësohet me shefin, flirton me sekretaren e tij, mëson emërtesat pa fund të shkallareve proceduriale që duhet të ngjisë, njeh dritëhijet e korridoreve, kthinat, labirintin e dijes së kyçur – humbet entuziazmin, zhgënjehet, tërhiqet, braktis ëndrrën dhe… i kthehet trillit të tij të vjetër (ballkanik). Kjo pikë kthese në roman shenjon një prag të fortë përjetimi për lexuesin. Duke ndryshuar regjistrin e ligjërimit, me një rrëfim plot ngjyresë autori ndërton një histori thriller, brenda meta-narrativës së tij.

Shkrimtari Durim Taçi vjen me romanin “Liqeni në mes të detit”,  fitues i Çmimit “At Gjergj Fishta” 2022. Autori është gjendur si rastësisht në vendngjarje, është thirrur në heshtje të shkruajë, të zbulojë, të bëjë kronistin e një vdekjeje aksidentale a vrasjeje të paramenduar. Dy histori dashurie të shndërruara në tradhti bashkëshortore janë për romancierin Durim Taçi, më tepër se histori rozë. Gjetjet narrative janë befasuese e funksionale, lënda erotike dimensionohet në kërkime thelbësore të natyrës njerëzore duke i dhënë tekstit romanor përmasa filozofike, rravgime psikologjike që i kthejnë sytë tek individi, marrëdhënia me veten dhe përballja me shoqërinë, vëren kritiku Virion Graçi. Pas romaneve të suksesshëm Extra Time dhe Një prani në ikje, shkrimtari Taçi përmbyll trilogjinë e rrëfimit në vetë të dytë, duke e provuar veten zotërues të një stili rrëfimtar të vështirë sa edhe grishës për lexuesin.

Shkrimtari, publicisti dhe rrokeri i njohur i grupit “Gjurmët” vjen për lexuesin me romanin Gryka e Kohës, një roman i shkruar në gegnisht për të gjithë shqiptarinë e shekullit XX.

“Ata, Grykën e Rugovës ndryshe e quejshin edhe Gryka e Kohës. Nëpër këte Grykë, thojshin, na hini Koha pabesisht, si nji përmbytje, si Bistrica e tranueme vjeshtave me shumë shi, si zalli i nji klepsidre të cilën dikush e kish pas rrotullue mbrapsht, tue i ba rugovasit me ra bum prej Rugove n’Pejë, si prej shekulli XIX në shekullin XX, pa prit e pa kujtue…”

Përmes historisë së një familjeje rugovase, autori shtjell të gjithë shekullin e kaluar në hapësirën shqiptare. E pat botuar fillimisht më 1994-n, në pak kopje. Pothuajse tri dekada më vonë, Migjen Kelmendi e sjell veprën e tij të ribotuar nga shtëpia botuese UET PRESS. Ndryshe nga atëherë, që e botoi në shqipen standarde, ka vendosur ta sjellë në dialektin gegë duke sjellë një prozë të mrekullueshme poetike, pasuruar me metafora befasuese, humor dhe personazhe mbresëlënës. Metoda e ndërtimit të romanit është ajo që njihet në letërsi si Faction-Fiction, një përzierje e fakteve reale e historike me trillin letrar. Autori të fton t’i bashkohesh apo të jesh dëshmitar, por edhe t’i qasesh në një proces njohjeje – përmes syve të dashurisë – një territori, një komuniteti, një gjuhe, një identiteti, që shpërfaqet çlirët në faqet e këtij romani.

Ndërsa shkrimtari Preç Zogaj vjen para lexuesit me librin e tij “më të dashur” – Bija e vjetër e Nënës së re. Marija, 80 vjeçe, në një ëndërr apo zhgjëndërr takon nënën e vdekur vite më parë. Nënë Mara, ishte ashtu siç e mbante mend e bija. Por, nëna nuk e njohu të bijën. Me këtë histori të pazakontë, Zogaj e fton lexuesin në një përjetim të fortë emotiv duke shkrirë kufijtë e kohës, të kujtesës, rendit të gjërave. Një prozë poetike dallueshëm e lazdruar, kjo novelë e spikat shkrimtarin Zogaj sa në ngjizjen e subjektit aq edhe në stilin e tij rrëfimtar.

Dita e fundit e Mesjetës  e sjell autorin e ri Bjorn Kamberi me një debutim dinjitoz në zhanrin romanor, pas sprovës së tij të parë Përsiatje, një përmbledhje tregimesh me natyrë filozofike. Kamberi vendos dy personazhe shqiptarë në qendër të rrëfimit, ndërsa sjell me mjete letrare arealin e ngjarjeve të Konstadinopojës me përshkrime plot ngjyrë dhe kumte që I flasin lexuesit të sotëm.

Pas romanit Një javë në Manastir, shkrimtari dhe publicisti Mustafa Nano vjen me “Gegë e Toskë”, një ripunim i thelluar studimor i librit të tij të shumëdisktuar “Unë jam Gegë”, në rrekjen për të sintetizuar një profil identitar të shqiptarëve të Jugut dhe Veriut. Me skrupulozitetin e studiuesit dhe rrjedhshmërinë e rrëfimit të gazetarit, autori Nano tërheq edhe një herë vëmendjen për një ndalesë të kujdesshme e të ftohtë në ‘veten’ tonë si strukturë njerëzore e historike në rrjedhën e kohës. Libri Sandwich – A është mirë me qenë shqiptar?, nga i njëjti autor vjen si ribotim i publikimit të vitit 2017. Ai është një studim mbi marrëdhëniet e shqiptarëve me fqinjët gjatë historisë, të cilat janë përkufizuar prej historiografisë zyrtare si prore të pamundura e armiqësore.

Avokati Bilal Kola sjell udhërrëfyesin për të përmirësuar jetën – 12 Mentalitete për të përmirësuar në mënyrë radikale cilësinë e jetës, sjell një komunikim me lexuesin brenda mjedisit shqiptar, duke ndërtuar një narrativë të organizuar në 12 kapituj, që nis nga marrëdhënia e gjithsecilit prej nesh me pasqyrën, rrek konceptet e faljes, pranimit, forcës për të ndryshuar, inteligjencës emocionale, sociale, e të gjithë përpjekjes për ta parë veten protagonist në të shkruarit e fatit. Bilal Kola është i pari autor shqiptar që eksploron zhanrin e librave motivues.

Rapsodi në Pjatë, nga Chef Alfred Marku, është një tjetër botim i mrekullueshëm që e gjeni në stendën e botimeve Uetpress. Një rrëfim për jetën, një kërkim të rrënjëve të kulinarisë shqiptare dhe receta që vijnë si një vepër arti. Një libër ku shija gërshetohet me të ushqyerit e shëndetshëm. Çdonjëri gatim vjen i titulluar, ilustruar dhe rrëfyer me përkushtimin e imtësishëm të chef Fredit, çka e shndërron këtë libër në një album të festës familjare shqiptare, me aromat, shijet e ngjyrat që kanë shënjuar fëmijërinë e secilit prej nesh dhe vijnë të freskëta e sfiduese në trendin e kuzhinës moderne. Chef Fredi ndan me lexuesin e pasionuar recetat e tij dhe historinë e lindjes së tyre, ndërsa imazhet e gatimeve zgjojnë të gjitha shqisat e shijes dhe estetikës.

Në botime të tjera nga kolanat tona Scripta Manent, Ide/ese/debate apo Monografi vijnë tituj dhe autorë me kontribute te spikatura si Përplasja e madhe – Sipo e lufton Rusia Kosovën dhe Ballkanin, libri i ri i ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj. Autori sjell vizionin e tij mbi të ardhmen e Kosovës pas rikonfigurimit të ‘skakierës’ botërore që shenjoi lufta në Ukrainë.

“Rugovën, si e kam njohur” – është një tjetër libër kujtese nga Gani Mehmetaj, i cili sjell përmes dëshmive personale kronikën e kohës së Rugovës sa edhe dimensionin e tij si burrështetas.

Në shqipërimin skrupuloz të gjyqtarit Engert Pëllumbi, vjen për herë të parë në shqip një libër mbi figurën e ‘mitit’ – Giovanni Falcone, një hero i vetmuar – një rrëfim nga e motra Maria Falcone dhe gazetarja e njohur Francesca Barra. Kritika italiane e ka vlerësuar botimin e këtij libri si “momenti i duhur për të ballafaquar në dialog dy gjenerata, ajo që nuk ka moshën për të kujtuar detajet, dhe ajo që i kujton ato sepse i ka jetuar. Për këtë qëllim Maria ka vendosur të rrëfejë një Giovanni Falcone të panjohur, dhe vetëm një motër mund të prekte fije kaq të holla”. Duke besuar se mjedisi shqiptar ka nevojë për shembuj si ai i Falcone-s, Pëllumbi u angazhua në përkthimin e këtij libri që e çmon frymëzues dhe të dobishëm për lexuesin shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura