Pamjet/ Bajram Begaj 90 minuta kokë më kokë me paraardhësit. Ja momenti kur ish-Presidentët largohen nga takimi

Jun 9, 2022 | 11:05
SHPËRNDAJE

Presidenti i zgjedhur i Shqipërisë, Bajram Begaj zhvilloi sot një takim me paraardhësit e tij. Mësohet se Begaj është takuar me ish – Presidentët Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe Rexhep Meidani në ambientet e Pallatit të Brigadave.

Bëhet e ditur se takimi mes tyre ka zgjatur rreth një orë, ndërsa Panorama.al ka siguruar edhe pamjet nga momenti, kur dy ish-Presidentët kanë lënë Pallatin e Brigadave dhe janë larguar.

Kujtojmë që pak dite me parë, Begaj u takua me ish-Presidentin Alfred Moisiu dhe ky i fundit i tregoi mbi përvojën e tij gjatë pesë viteve në Presidencë dhe i dha librin që flet mbi atë periudhë kohe “Midis Nanos dhe Berishës”. Biseda miqësore mes tyre zgjati rreth 1 ore e 30 minuta. Të dy kanë njohje të vjetër pasi vijnë nga i njëjti profesion ai i ushtarakut.

Në një intervistë për Panorama, Moisiu tregoi edhe për këshillat se si të njohë mirë klasën politike dhe të qëndrojë jashtë lojërave të saj politike.

“Kjo klasë politike nuk i ka shërbyer vendit, por vetes së saj. Ka bërë shumë pak për njerëzit dhe shumë më tepër për veten e saj. Përfaqësuesit e saj kanë menduar se si të pasurohen për veten e vet, duke ndërtuar vila, ndërkohë që për popullin nuk bën asgjë. Me çfarë i bën këto vila? Ata kanë bizneset e tyre fitimprurëse, duke shfrytëzuar postet shtetërore. Unë për vete gjatë gjithë jetës sime i shërbeva atdheut, zbatova Kushtetutën e Republikës dhe nuk munda ta kem një vilë. Jam aty ku kam jetuar prej vitesh. Ndaj, me çfarë u ndërtuan vilat e tyre? Është e qartë, duke abuzuar me detyrën dhe pushtetin. Ndaj ka shumë lojëra politike nga të cilat duhet qëndruar jashtë tyre”, tha Moisiu.

LEXO EDHE: EKSKLUZIVE/ “Mendojnë si të pasurohen e të bëjnë vila”- Flet Alfred Moisiu për këshillat që i dha Presidentit të ri Bajram Begaj: Qëndro jashtë lojërave politike

Bajram Begaj u zgjodh të shtunën president i Shqipërisë me 78 vota të deputetëve të Kuvendit.

Kandidatura e Begajt u mbështet nga Partia Socialiste dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e propozoi për president pas dështimit për të zgjedhur president konsensual me Partinë Demokratike në opozitë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura