Paloka: Zhiti, intrigë e Ramës për të kaluar fëmijët e Bllokut

Feb 12, 2015 | 9:00
SHPËRNDAJE

Kandidatura e Visar Zhitit për ambasador të Shqipërisë në Vatikan konsiderohet si një intrigë e Kryeministrit Rama për të marrë firmën e Presidentit Nishani dhe për tre kandidatët e tjerë, atë të Fatos Rekës në Maqedoni, Ravesa Lleshit në OSBE dhe Bardhyl Camit në Izrael.

Edi Paloka

“Kjo është dhe pjesa e intrigës që ka bërë Rama, që ka futur një ish-të përndjekur, një figurë të nderuar si Zhiti, për të kaluar tufën e madhe të fëmijëve të Bllokut”, tha për “Panoramën” Edi Paloka. Ai shprehet se nuk mund të ketë diferencime dhe për këtë rast nga kreu i shtetit, pavarësisht vlerësimit pozitiv për Zhitin. 

“Pavarësisht mendimit personal absolutisht pozitiv për Zhitin, për mua nuk mund të ketë diferencime. Ndryshimi është se për Zhitin kam mendim absolutisht pozitiv”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka. Nga ana tjetër, Paloka shprehet se maxhoranca po kërkon të emërojë ambasadorë të Shqipërisë pasardhësit e atyre që izoluan Shqipërinë për 45 vite, çka për të është e papranueshme.

“Bijtë e Bllokut po rikthehen të përfaqësojnë Shqipërinë. Bijtë e atyre që izoluan Shqipërinë, sot duan të përfaqë- sojnë Shqipërinë në botë. Ky është rikthimi i Bllokut”, shprehet Paloka në reagimin e tij. Kjo duke iu referuar faktit se Reka i propozuar ambasador në Maqedoni, është djali i Iljaz Rekës, ish-kryetar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Durrësit gjatë kohës së sistemit komunist.

Ndërsa Bardhyl Cami i propozuar ambasador në Izrael, është dhëndri i ish-anëtares së Byrosë Politike të PPSH-së, Lenka Çuko. Ravesa Lleshi, e propozuar për ambasadore në OSBE, është e bija e Ismail Lleshit, ish-ministrit socialist të Mbrojtjes, nip i Haxhi Lleshit. Megjithatë për Palokën edhe forma e paraqitjes së kandidaturave nuk ka qenë e rregullt. “Për mua Presidenti ka të drejtën e tij të konsultohet”, tha Paloka.

Reagimi i kreut të parlamentarëve të PD-së vjen vetëm pak ditë nga miratimi i propozimeve në Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura