“Pallati vdekjes”, 8 familje rrezikojnë jetën në Poliçan

Jan 26, 2017 | 21:35
SHPËRNDAJE
Një pallat dykatësh, në lagjen Pronovik të qytezës së Poliçanit, është shpallur i pabanueshëm prej 5 vitesh. Megjithatë, në “pallatin e vdekjes” jetojnë ende 8 familje, të cilët rrezikojnë jetën.
thumbnail_Still0125_00001
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar e ka shpallur të pabanueshëm dhe ka rekomanduar largimin e banorëve nga kjo godinë. Po në vitin 2012, zyra e Urbanistikës në Bashkinë Poliçan e vlerësoi pallatin si të rrezikshëm për të jetuar. Por, përveç këtyre vlerësimeve, në këtë pallat jetojnë ende 8 familjet.
Emisioni Fiks fare solli problemin e 8 familjeve të lagjes Pronovik në qytetin e Poliçanit. Gazetarët e Fiksit udhëtuan drejt këtij qyteti pas informacionit se banorët e një pallati në këtë qytet ishin në rrezik serioz për jetën. Pallati në të cilin jetojnë është shpallur i pabanueshëm që në viti 2012 nga shërbimi Gjeologjik Shqiptar.
Banorët e pallatit thanë për gazetarët e Fiksit se po rrezikojnë jetën duke jetuar ende aty, por kjo pasi ata nuk kanë ku të shkojnë. I janë drejtuar me shkresa zyrtare të gjitha institucioneve përgjegjëse që nga ‘Ministria e Zhvillimit Urban”, “Ministria e Brendshme”, “Prefekti i Qarkut Berat” e deri tek Kryeministri z.Edi Rama.
Nebi Çela është njëri prej banorëve të pallatit, i cili thotë se është ndjerë shumë i rrezikuar në këtë banesë, kësisoj është  detyruar të marrë një banesë me qera. Ai pohon se të ardhurat e familjes së tij nuk i përballojnë dot të gjitha shpenzimet. “I largonim krevatët sa në një cep në një tjetër, se binte suvaja” tregon gruaja e Nebiut. Shumica e familjeve në pallat hapën dyert për Fiksin për të treguar shtëpitë e tyre, suvatë e rëna dhe frikën që i shoqëron gjithë kohës.
Fundi i rrëfimit të secilit prej tyre ishte: “Ku të vemi?! Ku të mbytemi?!”. Në katin e dytë jeton e vetme një 80 vjeçare, të cilës nga lëvizja e dyshemesë si rezultat i rrëshkitjes së tokës, asaj nuk i mbyllet asnjë derë në shtëpi. Ajo shpjegon se herë pas here merr usta për të suvatuar dhe për të zënë të plasariturat e mureve. ” Unë jetoj e vetme të keqen nëna, as dyert s’më mbyllen edhe po të vdes duhet të heqin derën që të më nxjerrin”- tregon e moshuara.
Banorët prej vitesh u drejtojnë kërkesa të gjitha institucioneve, por akoma nuk kanë marrë asnjë zgjidhje. Në dosjen e tyre të kërkesave kishte edhe kthim përgjigje, ku të gjitha institucionet ia linin përgjegjësin Bashkisë Poliçan. Ndaj gazetarët e Fiksit ju drejtuan bashkisë për të marrë një përgjigje. Kryetari i saj , Adriatik Zotkaj, tha se ne nuk kemi mundësi për të ndërtuar një pallat të ri, e vetmja mundësi është të marrim shtëpi me qera për banorët. Ai thotë se ka kërkuar ndihmën e të gjitha ministrive për t’i ofruar fonde, por ato luajnë kukafshehti me banorët dhe ia hedhin fajin bashkisë. “Unë jam i gatshëm t’ju ofroj banorëve banesa me qera , koha filloi për zgjidhje, ne do t’i nxjerrim menjëherë banorët nga pallati” thotë kryetari i bashkisë.
Gazetarët e Fiksit ju drejtuan prefekturës së Qarkut Berat. Prefekti tha për Fiksin, “Unë në këtë moment do merrem personalisht me këtë çështje, pavarësisht se është e gjitha përgjegjësi e Bashkisë Poliçan”.
thumbnail_Still0125_00002 thumbnail_Still0125_00003 thumbnail_Still0125_00007 thumbnail_Still0125_00008
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura