A dështoi sigurimi në zyrën e kryeministrit? Policia jep detaje për pakon me tritol

Aug 9, 2018 | 18:10
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Policia e Kosovës ka thënë se ka testuar sigurinë në zyrën e kryeministrit Ramush Haradinaj, mirëpo nuk ka dhënë detaje nëse ka parë ndonjë lëshim të sigurisë. Më herët, gjatë ditës, është raportuar se në zyrën e kryeministrit është futur një sasi eksplozivi për ta testuar sigurinë. Policia nuk ka pohuar dhe as nuk ka mohuar raportimet e tilla.

zyra-e-kryeministrit-1533371248-8810604_1533830033-4128994

“Nuk bëhet fjalë për ndonjë tentim sulmi apo hyrje të ndonjë mjeti eksplodues në objektin në fjalë, por ju informojmë se Policia e Kosovës në vazhdën e inspektimeve periodike, me qëllim të avancimit të punës, profesionalizmit, si dhe vlerësimin e punës dhe gatishmërinë e zyrtarëve policorë që janë të angazhuar në ofrimin e sigurisë së objekteve policore dhe institucioneve shtetërore, si dhe testimin e nivelit të funksionalitetit të pajisjeve të sigurisë në dispozicion, ndërmerr edhe testime simuluese të situatave nga më të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Policia thotë se nëse rezulton se ka dështuar sistemi i sigurisë në zyrën e kryeministrit Haradinaj, do të marrë masa disiplinore ndaj zyrtarëve policorë.

“Varësisht prej rezultateve dhe të gjeturave nga këto inspektime (testime) dhe pas analizave të mirëfillta, PK-ja planifikon trajnime adekuate për stafin e angazhuar, inicion kërkesa për blerjen e pajisjeve më të avancuara dhe që do t’i përgjigjen kohës, apo në rast të ndonjë lëshimi eventual ndërmerr masa disiplinore ndaj zyrtarëve policorë”, thuhet në përgjigje.

Policia e Kosovës ka marrë veprime të tilla edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me qëllim të zbulimit të ndonjë hallke në sistemin e sigurisë që mund të përdoret nga kriminelët.

Pako me tritol në zyrën e kryeministrit të Kosovës, pak pas kërcënimit me jetë

Në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj ka arritur një pako nga “Xhorxh Majkëll” me dy kilogramë eksplozivë të llojit tritol, siç raportojnë mediat kosovare.

Agjencia e Lajmeve FaktePlus mëson se e gjitha ishte bërë për ta testuar sigurinë në Zyrën e Kryeministrit dhe objektin e Qeverisë. Nga kjo del se gjithçka kishte dështuar në këtë aspekt, duke kaluar të gjithë filtrat e sigurisë.

Simulimi është bërë në koordinim me Zyrën e Kryeministrit.

Zyra e Kryeministrit e pyetur për këtë çështje, kanë thënë se nuk kanë pasur raste të tilla.1533310742_ramushharadinaj

“Ne nuk kemi pasur ndonjë incident në praktikë, për të cilën ju po aludoni dhe as informacione për një gjë të tillë”, ka thënë zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi.

Ajo ka shtuar se për sigurinë e kryeministrit dhe objektit të Qeverisë kujdeset Policia e Kosovës. Por jo vetëm kaq – edhe dy raste tjera të simulimit në ndërtesën e Qeverisë kanë rezultuar të suksesshme.

Rasti tjetër ka qenë kur një “mekanik” ka arritur të hyjë në ndërtesën e Qeverisë me dy armë të llojit zolë. Kurse një person në cilësinë e një “invalidi” ka arritur që brenda objektit ta fusë në pushkë të gjatë. Krejt kjo në kuadër të simulimit.

Sipas mediumit, për dështimin e sigurisë në Zyrën e Kryeministrit dhe në objektin e Qeverisë janë shkarkuar katër persona, përfshirë dy policë dhe një rreshter.

Simulimi është bërë nga Njësia Antiterrorizëm në kuadër të Policisë së Kosovës, e cila bën simulime për sigurinë në institucione.

Po ashtu është provuar të merret përgjigje edhe nga Policia e Kosovës, e cila është përgjegjëse për sigurinë e kryeministrit dhe objektit të Qeverisë, por deri më tani nuk kanë dhënë asnjë sqarim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura