Paketa fiskale 2019, Ahmetaj: Ul taksat për qytetarët dhe biznesin, përfitojnë 15,400 të punësuar

Nov 7, 2018 | 9:50
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, dje gjatë prezantimit të paketës fiskale 2019 në Komision e Ekonomisë, deklaroi se ndryshimet sjellin ulje të taksave për qytetarët dhe biznesin.

ahmetaj komision

Ahmetaj tha se ulja e taksave po shoqërohet me uljen e borxhit. “Qëllimi i paketës fiskale është ulja e barrës fiskale për qytetarët dhe biznesin, nëpërmjet uljes së normës tatimore të tatimit mbi të ardhurat, tatimit mbi fitimin dhe detyrimeve të tjera. Lehtësimin e të bërit biznes, nëpërmjet thjeshtimit të procedurave, reduktimit të kohës për çregjistrimin e biznesit. Incentivimin e sektorëve dhe industrive të caktuara, nëpërmjet lehtësimeve dhe përjashtimeve tatimore. Vendosjen e rregullave transparente në taksim, duke parandaluar keqpërdorimin e ligjit dhe përfitimin e incentivave të padrejta fiskale. Mbrojtjen e interesave fiskale te vendit dhe të bazës së tatimit, duke parashikuar rregulla të reja, të aplikueshme edhe në nivel ndërkombëtar”, u shpreh Ahmetaj.

TATIMI PËR PAGAT

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në prezantimin e projektligjit për ndryshimin e tatimit mbi të ardhurat, tha se do të përfitojnë 15,400 të punësuar. Ndryshimet e ligjit parashikojnë rritjen e fashës së taksimit 23 për qind për pagat, nga 130,000 lekë në mbi 150,000 lekë. “Do të ketë ulje e kufirit të taksimit të pagës me 23 për qind për 15,400 të punësuar me pagë mbi 130,000 lekë në muaj, të cilët përfitojnë 25,8 milionë lekë çdo muaj, ose 310 milionë lekë në vit. Dua që të kujtojmë që nëpërmjet çmontimit të taksës së sheshtë, armike e të gjithë të punësuarve, sidomos atyre me paga më të ulëta, ne vendosëm taksën progresive ku u përfituan, sot përfitojnë, në përllogaritje të punësimit total dhe të fondit total të pagës në Republikën e Shqipërisë, 120 milionë dollarë, të cilat dikur shkonin në buxhetin e shtetit, e mos harroni se po bëjmë dhe konsolidim fiskal, po ulim borxhin, sot shkojnë në xhepat e qytetarëve 120 milionë dollarë. I shtohet dhe një 3 milionë dollarësh tjetër, 123 milionë dollarë shkojnë në xhepat e qytetarëve. Mos harroni që jemi duke ulur borxhin publik, jemi duke shëndoshur financat publike. Pra, po ndodhin dy procese në të njëjtën kohë, lehtësimi i barrës dhe ulja e borxhit, në qendër qëndron përgjegjshmëria e kësaj qeverie”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj

TATIMI MBI DIVIDENDIN

Paketa fiskale parashikon edhe uljen tatimit mbi dividendin nga 15 për qind në 8 për qind. Ministri Ahmetaj tha se ulja e dividendit do të rrisë investimet e biznesit. “Tatimi mbi dividendin ulet nga 15 për në 8 për qind. Përfitojnë mbi 15 mijë kompani ose rreth 50 mijë individë investitorë të kapitalit. Parashikohet stimul për gjithë fitimet e akumuluara/ kapitalizuara nga vitet e kaluara, duke zbatuar edhe për ato shpërndarje normë tatimore 8 për qind nëse tatimi paguhet brenda një afati të caktuar me ligj, që mendohet se është gjysma e parë e 2019-ës”, u shpreh Ahmetaj. Ministri tha se nga TVSH e importit do të përjashtohen edhe lëndët e para të medikamenteve dhe të makinerive bujqësore. “Përjashtim nga TVSH-ja edhe i lëndëve të para të industrisë së prodhimeve farmaceutike, duke e vendosur në kushte konkurrencë të njëjta me medikamentet e importuara, të cilat janë të përjashtuara. Përjashtim nga TVSH-ja i importit të makinerive bujqësore, me qëllim lehtësimin e mundësive për fermerët dhe nxitjen e tregut të brendshëm të importimit dhe tregtimit të tyre”, u shpreh ministri.

MASAT KUNDËR INFORMALITETIT

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi se paketa fiskale parashikon edhe masa antievazion për biznesin. Ahmetaj u ndal te biznesit e mëdha, të cilat regjistrohen si të vogla me qëllim shmangien e taksave. “Paketa parashikon masa dhe ndryshime, të cilat synojnë të mbrojnë bazën e tatimit në Shqipëri dhe kufizimin e keqpërdorimit të tarifave të ulëta dhe taksave zero. Biznesi i madh i regjistruar si i vogël me disa NIPT-e, pra, rregulla të forta. Individët tradicionalisht me kontrata punësimi dhe paga në nivele të larta, që fiktivisht shndërrohen në biznes i vogël, për të përfituar taksën zero”, tha ministri. Kreu i Financave tha se përmes statusit “person fizik” shumë qytetarë më të ardhura të larta kanë paguar më pak taksa. “E dini që ka kompani, që nuk dua t’i them me emër këtu, sepse do të ishte thyerje e kodit, që janë persona fizikë, nuk janë kompani. Janë të painkorporuar që e kanë të ardhurën 2 milionë euro dhe nuk paguajnë asnjë lekë. Do ta korrigjojmë tani! Çdo të thotë kjo?! Merr 2 milionë euro të ardhura dhe ka gjithë partnerët që i ka të vegjël, kanë bërë ‘shifting’ të të ardhurave fiskale, nga të punësuar kanë dalë persona fizikë, kanë shmangur 23%- shin”, tha ministri. Ahmetaj tha se ndër të tjera, paketa fiskale ul TVSHnë për autobusët elektrikë në 10 për qind me synim kufizimin e përdorimit të mjeteve ndotëse të ambientit.

PAKETA FISKALE

LIGJI “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”

  • Pagat mbi 150 mijë lekë do të taksohen 23 për qind, ndërsa aktualisht taksohen në këtë masë pagat mbi 130 mijë lekë. Nëpërmjet kësaj mase synohet të ulet barra tatimore për rreth 15.400 punëmarrës
  • 8 për qind do të jetë tatimi mbi dividendin, nga 15% që paguhet sot me paketën e re fiskale, ku pritet të ulë ngarkesën fiskale të investitorëve, duke nxitur alokimin më të shpejtë të kapitalit në ekonomi si dhe shtimin e konsumit
  • Dispozitë antishmangie për fitimet kapitale të jorezidentëve në lidhje me shitjen e kuotave të kompanive apo aktivet që ndodhen në Shqipëri

LIGJI “PËR TAKSAT KOMBËTARE”

  • Kalimi nga taksimi i ambalazheve plastike, te taksimi i materialeve plastike
  • Nga 6% në 9% do të rritet renta minerare për eksportin e kromit

LIGJI “PËR AKCIZAT”

  • Nga 4 mijë lekë/kg në 6 mijë lekë/kg do të rritet akciza për duhanin e përpunuar
  • 2 lekë/kg do të jetë akciza për produktin “zhavorr bituminoz” që përdoret si lëndë djegëse alternative
  • Llogaritja e akcizës për biokarburantet nga lekë/kg në lekë/litër
  • Hiqen nga lista e mallrave të akcizës fishekzjarrët, llambat dhe pilat/bateritë, si dhe produktet “rërë bituminoze”

LIGJI PËR TVSH

  • 10% do të jetë TVSH-ja për importin e autobusëve elektrikë të transportit publik, nga 20 për qind që paguhet aktualisht me qëllim mbrojtjen e mjedisit nga ndotja
  • Importi i lëndëve të para për fabrikat e prodhimit farmaceutik do të përjashtohet nga TVSH-ja
  • Përjashtimi nga TVSH-ja i furnizimit të nënkontraktorëve për kontraktorët në industrinë fason

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura