“Pa kancelaren, Ballkani do kishte një boshllëk”, Rama falenderon Angela Merkel: S’do ishte e njëjta Europë pa…

Sep 14, 2021 | 14:47
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët me kancelaren Angela Merkel, ka vlerësuar kontributin e saj në Ballkanin Perëndimor. Sipas kreut të qeverisë, Merkel do i mungojë Europës dhe veçanërisht Ballkanit Perëndimor pasi është e vetmja që e ka kuptuar më mirë rajonin dhe i ka kushtuar një vëmendje të madhe.

 

Rama deklaroi se arritja më e madhe e Merkel për Ballkanin Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit është vendosja e një fryme bashkëpunimi dhe për të ardhmen e rajonit.

“Dua të them që kjo është njëkohësisht një ditë e bukur për ne dhe një ditë e trishtuar. Është një ditë e bukur sepse kemi privilegjin të presim në Tiranë, një mike të Ballkanit, të shqiptarëve, të gjithë popujve të këtij rajoni, një ditë e trishtuar sepse në njëfarë mënyre kjo është vizita e lamtumirës e Angela Merkel si kancelare e Gjermanisë. Unë besoj që askush nuk ka bërë për këtë rajon pas kapërcimit të luftës më shumë se sa kancelarja gjermane, dhe ajo që është akoma më e rëndësishme sipas meje, është se askush nuk e ka kuptuar këtë rajon më mirë se sa kancelarja gjermane.

Me të është gjithmonë një problem sepse nuk i ka qejf fjalimet me shumë fjalë të bukura, por njëkohësisht është shumë e sinqertë dhe shprehja e fjalëve më të mira lidhur me çka ajo bëri duke iniciuar procesin e Berlinit, një proces i cili është një vision largpamës, jo thjesht për të kaluar një fazë disavjeçare por për të parë të ardhmen të gjithë sëbashku.

Përtej çdo rezultati konkret, arritja më e madhe është vendosja e një fryme bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe e sensit të të ardhmes të përbashkët. Ishte privilegj të ishte në Tiranë në pamundësi për të vizituar të gjithë vendet. Këtu të kishim takimet me të gjithë liderët e rajonit. Dua t’i shpreh mirënjohjen në emër të të gjithë shqiptarëve.

Nuk po hyj t’i numëroj se janë shumë në aspektin e mbështetjes bilaterale dhe për atë që kancelarja ka bërë për rajonin. Nga ana tjetër duke respektuar faktin që kancelarja është një lider që drejton Gjermaninë prej shumë vitesh, por që asnjëherë nuk ka munguar t’;i japë zemër politikës europiane. Është gjermane dhe kohën e ka të shtrenjtë. Oraret i ka të rëndësishme.

Dua vetëm të them se sot Ballkani Perëndimor është një vend shumë më i mirë përpara se Angela Merkel të niste procesin e Berlinit. Pavarësisht se do ketë vazhdimësi në politikën gjermane, Angela Merkel do i mungojë këtij rajoni. Të gjithë më shumë besojnë fjalët e saj se fjalët e mia. Është një moment për të gjithë ne, ku jemi të vetëdijshëm qoftë për atë që ka bërë dhe qoftë për atë boshllëk që ka lënë. Shpresoj që më herët se vonë ky boshllëk të mbushet, pa kancelaren Merkel, Ballkani dhe Europa nuk do ishte njësoj.

Kancelarja e cila në detyrën e saj ka pasur impenjime në të gjithë globin, do jetë më e lirë dhe shpresoj që të ketë kohën për t’u rikthyer në ballkan dhe Shqipëri për të lexuar më afër aktualitetin tonë dhe të shijojë detin dhe natyrën” – tha kryeministri Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura