Ornela Vorpsi: Punoja në një kub diskoteke, merrja shumë para, fati deshi që aty… (E plotë)

Apr 19, 2018 | 8:12
SHPËRNDAJE

Pas hapjes së ekspozitës në COD, Ornela Vorpsi u tregua tepër e hapur për të folur për veten dhe artin e saj. Ndër të tjera, ajo ndaloi edhe në studion e Blendi Fevziut, në “Opinion”, ku tregoi për jetën e vet, nënën, babain e burgosur, largimin, dashurinë për Edi Ramën, raportin e ndërprerë me të motrën, Laurën, dhe njohjen me bashkëshortin, kur punonte si kubiste në një diskotekë në Milano.

ornela-vorpsi1

Ju keni kaluar gjysmën e jetës suaj në Shqipëri dhe gjysmën tjetër jashtë vendit, çfarë përfaqëson Tirana për ju?

Përfaqëson vendin tim të lindjes, me të cilin kam rrënjë të thella dashurie dhe përfaqëson atë që jam unë sot

Vini shumë rrallë…

Kam ardhur në mënyrë të heshtur. Nuk kam dalë në media, por në Shqipëri kam qenë edhe 5-6 muaj më parë. Pushimet verore i bëra në Shqipëri. Nuk është ditur në mënyrë publike, por kam ardhur.

Ndërkohë, edhe librat që keni publikuar, botuar në 18 gjuhë, ende nuk kanë ardhur në Shqipëri. Nuk keni dashur apo..?

Jo, kam dashur. Bëmë një tentativë me një shtëpi botuese, por nuk isha shumë e kënaqur me përkthimin. Ishte profesoreshë universiteti. U bë një kontratë mes shtëpisë botuese “Dituria” dhe shtëpisë sime botuese në Francë “Actes sud” dhe nuk isha fare e kënaqur me cilësinë e përkthimit, gjuha shqipe m’u duk me shumë parazitizma. Nuk kisha as mundë- si, as kohë të rimerrja dhe rishikoja përkthimin nga e para.

Ju keni shkruar në italisht, tani në frëngjisht, në shqip nuk keni shkruar asnjëherë?

Kam shkruar kur kam qenë në Shqipëri. Kam botuar te revista “Pionieri”, por kam filluar të shkruaj në tokë franceze në moshën 28-29 vjeçare dhe nuk ishte fare në planet e mia. Piktura ishte projekti im kryesor, ndërsa letërsia, shkrimi, më kanë befasuar në jetën time. Nuk kisha ëndërruar kurrë të bëhesha shkrimtare. Ëndrra ime ishte shumë e qartë në shpirtin tim, por jeta të befason me surpriza.

ornela

Si nisët të shkruanit?

Nisa të shkruaj në një moment kur isha shumë perplekse karshi artit kontemporan, nuk gjeja veten. Në momentin që lashë Shqipërinë dhe u futa në Akademinë e Arteve të Bukura në Itali, isha me pikturën dhe më kujtohet një profesor që më ka lënë shumë mbresë, i cili më tha: “Piktura ka vdekur me kohë”. Sepse kishin hyrë format e “reja” të artit kontemporan, që gjithsesi nuk ishin aq të reja, pasi Marcel Dushamp i kishte bërë ato që në 1900-ën, por ishte moda e këtyre formave, që quhen art konceptual. Dhe unë në këtë lloj arti nuk ndihesha fort mirë.

Ky është një refren i njohur, piktura ka vdekur, letërsia ka vdekur…

Absolutisht, në një prej librave më të bukur të Biblës, “Ekleziasti”, thuhet: “Nuk ka asgjë të re nën këtë diell”. Çdo gjë riciklohet, por thelbi është po ai. Dhe tani ka një rikthim të pikturës, por në ato momente unë isha në një lloj hezitimi të dhimbshëm, ku piktura nuk kishte vend dhe kur shkoja në një galeri me një pikturë, ishte thuajse e papranueshme, pasi ishin në modë, performancë, instalacioni…

Ju u larguat nga Instituti i Lartë i Arteve, në Akademinë e Arteve të Bukura në Itali, në vitet ’90-’91, si ndryshonte mënyra e mësimdhënies në pikturë nga ajo klasike, në një botë ku piktura kishte kaluar në një stad modern prej dhjetëra dekadash. A ishte shokuese?

Sigurisht që po. Unë shkova me pikturën time dhe pedagogu që më tha piktura ka vdekur, Diego, ekspozita merrej me instilacionin, që për mua dukej si një dekor i brendshëm. Nuk kishte lidhje me konceptin tim për artin, jo sepse unë në ILA bëra pikturë figurative, por sepse unë thellësisht doja dhe dua pikturën. Është edhe një piktor i famshëm sot, që thotë në një anë është piktura dhe në një anë është arti bashkëkohor. Unë jam me pikturën. Më pëlqen ngjizja e ngjyrave, modelimi, kompozimi. Instalacionet, performancat, nuk ma ngrohin shpirtin.

Duket sikur kaloni nga njëri pasion në tjetrin, nga arti figurativ në instalacion, fotografi, letërsi, pse kjo shkapërderdhje në shumë fusha?

Nuk është shkapërderdhje, është kërkesë ndaj vetes, në një mënyrë sa më të plotë. Është shumë e vështirë të gjesh veten, sepse jemi në një gjendje transformimi të vazhdueshëm.

Ku e keni gjetur veten më shumë?

Në pikturë dhe letërsi. Ndaj edhe e kam lënë fotografinë. Ndoshta e kam gabim, por më dukej tepër e kollajshme, unë kam nevojë për beteja të vërteta, me ato matem. Dhe betejat e vërteta janë piktura dhe letërsia.

Duket se prozhektorët më shumë janë në letërsi. Si erdhi letërsia dhe pse nisët të shkruanit në italisht?

Isha me një Erasmus në Paris, dhe në këtë humbje të dhimbshme karshi artit kontemporan, në dilemën se ku do të vendosesha unë në atë që ndodhte sot, isha pezull. Dhe në një nga këto ditë, u ula në një kafene në Rue Montorgueil dhe më erdhi vetiu të shkruaja një tregim, pa e menduar fare. Më erdhi në jetë. U ula të pija një çaj dhe nisa të shkruaj, ndoshta sepse nuk mund ta pranoja që unë të mos prodhoja. Kam një lloj dëshire dhe nevoje të justifikoj ekzistencën time

A pate ndjesinë se fëmijëria dhe adoleshenca ju vjen më e kthjellët se në kushte normale?

Vjen e kthjellët, por më vjen edhe ndryshe nga ç’e kam jetuar, për shkak të distancës. Dhe kjo i deformon.

Jeni kthyer të analizoni momentin kryesor të formimit tuaj?

Më duket se kam bërë goxha luftë, pas 15 vjetëve, të ndryshoj thelbin tim.

Përse?

Sepse u rrita me një alfabet, me një gjuhë, jo në sensin e gjuhës së mirëfilltë, por si edukatë, si sjellje, që më vonë nuk më pëlqenin më.

Cilat ishin? Ju lindët në Tiranë, familja juaj kishte probleme me regjimin, babai juaj ishte burgosur dhe për një fëmijë nuk ishte shumë e thjeshtë. Si e keni përjetuar?

E kam përjetuar shumë vështirë. Pas zhdukjes së babait tim, nisën ankthet e mia. Për 6 muaj, ne nuk e dinim se ku ishte. Në polici na thoshin që duhet të ishim ne që duhet të tregonim se ku ishte babai, ndërsa ne nuk dinim asgjë. Mbaj mend, nëna ime ishte tejet e tronditur. Unë isha 7 vjeç, nëna ime 29. I thanë: “Na trego ku është yt shoq, ndryshe të varim nga gjuha”. Nëna ime u sëmur, sepse u tmerrua.

Çfarë dilema kishit, mendonit se ishte arrestuar apo arratisur?

Nuk di të them, sepse për fëmijët nëna dhe babai janë bota dhe të të heqin babain, të kanë hequr gjysmën e botës. Dhe fëmijët për një lloj mbijetese mundohen të presin atë që nuk duan dhe bëjnë sikur nuk ekziston. Këtë kam bërë edhe unë. Më dukej sikur babai nuk ekzistonte dhe nuk e doja më. Ishte një formë vetëmbrojtje për të përballuar një traumë. Sepse fëmija nuk e ka kapacitetin të përballojë një dramë të tillë.

Pas 6 muajsh mësuat që babai ishte arrestuar?

Babi ishte i dënuar politik për 7 vite në burgun e Spaçit. Kam shkuar ta takoj me nënën time dhe nuk e njoha. Ai ishte jashtë mase i dobësuar dhe diçka mungonte në fytyrën e tij, unë nuk mundesha dot ta kuptoja. Pata frikë ta takoja, pasi ai donte të më përqafonte, por unë isha një fëmijë që kisha frikë ta prekja këtë të huaj, që ishte i veshur me një lloje pizhameje me vija. Në fytyrë kishte ndryshuar, ndërsa më vonë e kuptova se çfarë kishte ndryshuar në fytyrë. Kur erdhëm në shtëpi, babai i kishte dhënë nënës sime një gjë të vogël, një qese të vogël, ku kishte futur dhëmbët. Ato i ishin thyer nga torturat ..

Përse u akuzua babai juaj?

Nuk e di, pasi gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura. Asnjëherë nuk e kemi marrë vesh. Gjëra tërësisht absurde. Sepse kishte thënë që babai i tij ishte dënuar kot, pasi edhe gjyshi ka qenë në burg; sepse kishte thënë që në dyqan nuk ka patate… këto janë ato që kemi mësuar më vonë.

Pra, ju u rritët pa babain, vetëm me nënë. Ishte e vështirë?

Ishte tej mase e vështirë. Sepse nëna ime u sëmur, vuante nga mania e persekucionit, i dukej sikur e ndiqnin gjatë gjithë kohës dhe mbaj mend që ankthet e para të jetës sime kanë filluar në atë periudhë.

Ndërsa shumica e njerëzve që kishin probleme me regjimin, ktheheshin në hije, ju dhe nëna juaj dilnit çdo natë shëtitje në rrugët e Tiranës, ishte kjo një lloj sfide?

Besoj se edhe ne ishim hije, po nëna ime binte në sy se ishte e bukur. Për këtë fakt ishte kjo zhurmë e madhe, sepse nëna ime ishte e bukur dhe pa burrë. Por edhe ne si hije kemi jetuar. Kemi jetuar jashtë jetës sociale, pa miq dhe ajo shëtitja ishte e vetmja mënyrë e ekzistencës sonë.

Në shkollë kishte diferencime?

Qartë që kishte. Unë nuk mund të vazhdoja Liceun Artistik, me gjithë pasionin për pikturën.

E kishit pasion që 14 vjeç?

Që në moshën 6-vjeçare. Për mua ishte zgjedhur që piktura do të ishte jeta ime. Në atë kohë, piktura ishte fillimi dhe fundi i botës sime. Edhe në 8-vjeçare e kam vuajtur shumë që kisha një baba të burgosur politik.

Babai juaj doli nga burgu, por ju nuk u bashkuat më, përse?

Nuk u bashkuam, sepse kishte kaluar shumë ujë nën urë. Nënën time e detyruan të divorcohej, sepse në të kundërt do të na internonin. Historia na ndau

Ç’raport krijuat më vonë me babanë?

Kam një raport shumë të dashur. U desh kohë për mua që të rigjej babanë tim, pasi për një fëmijë që nuk e sheh babanë për 7 vjet, nuk është e lehtë. Ka gjithmonë një pjesë të jetës ku ai është i munguar dhe një pjesë ku ai bëhet i pranishëm, por nuk është si një familje me nënë e me baba?

Cila ishte ndjesia kur e takuat?

Akoma e ndieja të huaj. Kisha një dhimbje të madhe dhe një ndjenjë faji që e ndieja të huaj. Emocioni ishte kaq i fortë, saqë nuk mund t’i bëja dot ballë. Isha si e mpirë.

Po me nënën, ç’raport kishit?

Ishte një raport tej mase i vështirë, sepse unë u ktheva në qendrën e botës për të. Ajo jetonte me mua. Ishte një lloj fuzioni, që ishte e vështirë t’i bëje ballë. Nënat shqiptare bëjnë shumë mbi fëmijët, por ajo ishte edhe më shumë.

Në vitin 1987 fituat të drejtën për të vazhduar Institutin e Lartë të Arteve, si ndodhi që vajzës së një ishtë dënuari politik i jepej kjo mundësi?

Sepse Enver Hoxha kishte vdekur dhe diçka ishte zbutur. Mora pjesë në konkurs dhe fitova.

Si ishte ILA dhe shoqëria e lartë e asaj kohe? Ndihej që ishte fundi?

Fundi ishte i prekshëm. Në Institutin e Lartë të Arteve kam mësuar më shumë se ç’kam më- suar në Brera. Jepte mësime konkrete, si ndërtohej një figurë, kompozimi, dritëhija, kurse ajo që kalova në Milano ishte për mua një humbje kohe. ILA më bëri kjo që jam sot, hodhi themelet. Mësova si pikturohej. Në akademitë e botës rrallëherë ndodh kjo. Për një njeri që do pikturën, kjo është shumë e rëndësishme.

Ju u larguat në 1990, cila ishte arsyeja?

Sepse nuk e gjeja veten. Kishte shumë që u larguan për arsye ekonomike, për një jetë më të mirë, unë u largova për shumë arsye. U largova nga një shoqëri që më kishte vënë në marzhat e saj, pa perspektivë. Kisha nevojë të gjeja vendin tim dhe të largohesha nga ky opinion që ishte i papërballueshëm. Në Itali qëndrova 5 vjet dhe më pas 1 vit në Paris 8, në Francë.

Përse në Shqipëri nuk vdiset kurrë?

Sepse në atë kohë vdekja u përkiste të tjerëve. Sipas Hajdegerit, ka vdekje autentike, kur kushdo e mendon vdekjen e vet dhe vdekje joautentike, që vdekja u përket të tjerëve, jo vetes. Mbaj mend në fëmijërinë time, populli im fliste vetëm për vdekjen e të tjerëve, ndërsa për vete jo. Vjen nga një shoqëri ku ne jetonim, një mbyllje totalitare, në një pellg të qelbur, ku dhe shumë procese njerëzore, duken shumë të largë- ta, që i përkasin vetëm tjetrit. Pra, fenomene që lidhen me një kontekst të caktuar historik.

Ku ka pasur më shumë sukses vepra juaj letrare?

Italia ishte jashtë mase mirëpritëse ndaj veprës sime, edhe Franca, edhe SHBA, por edhe në Gjermani, “Vendi ku nuk vdiset kurrë”, është zgjedhur një nga librat më të mirë të vitit. Jam e befasuar dhe e lumtur.

Për çfarë flasin librat tuaj që pritet të dalin?

Njëri titullohet “Vera e Oltës” dhe jam kthyer sërish në Shqipëri. Unë Shqipërisë nuk do t’i shpëtoj dot asnjëherë dhe as dua t’i shpëtoj. Nuk kam asnjë mundësi.

Po të rikthehemi pas në kohë, para largimit tuaj, cilët ishin ata bashkëmoshatarë të tu, që ju kanë lënë mbresa në atë kohë?

Ka qenë Mimoza Ahmeti, me të cilën kam pasur një shoqëri intensive prej 3-4 vjetësh, por që mbaroi aty. Një tjetër njeri që më ka konstruktuar këtë njeri që jam sot, është Edi Rama, sepse ishte profesori im i universitetit dhe kishte një kulturë të jashtëzakonshme.

Ka deklaruar që do përkthente librin tuaj..

Dëshira ishte shumë e madhe nga ana e tij dhe imja, por detyrat që ka karshi popullit tim janë më të mëdha.

Nuk është hera e parë që nuk mban një premtim.

Ka kohë, ndoshta do ta mbajë.

Me kë jeni shoqëruar tjetër?

Kam pasur shumë pak shoqëri për shkak të aurës sime të të dënuarit politik.

Keni pasur një raport me Ramën?

Raport dashuror jo, sepse ai nuk u dashurua me mua, por unë u dashurova me të dhe nuk e kam problem ta them, sepse çdo njeri, në të kaluarën e vet, ka dashur dikë.

Vazhdoni të mbani një raport?

Po, shumë më të largët, pasi jemi në rrugë dhe ujëra të ndryshme, por mbajmë një raport shumë njerëzor me njëri-tjetrin.

Motra juaj nga babai, Laura Vorpsi, është një figurë publike, çfarë raporti keni me atë?

Për momentin i kam ndërprerë raportet me të, sepse kemi etika të ndryshme, dëshira të ndryshme dhe ndiej se s’kemi se çfarë të ndajmë me njëra-tjetrën. Unë jam njeri që kam nevojë për shkëmbim të thellë dhe të vërtetë dhe kur nuk e kam, njeriu nuk më intereson, qoftë edhe motër. Dhe kam zgjedhur të mos kem raporte me të.

Bashkëshorti juaj jeton me ju në Paris, por nuk është italian, si jeni njohur me të?

Jam njohur me të mbi një kub diskoteke. Për të paguar studimet në Akademinë e Brerës, që frekuentohej nga fëmijët e familjeve të kamura dhe unë nuk i kisha mundësitë. Në fillim u paraqita në një agjenci modelesh në Milano, kalonin orë të tëra nëpër casting, nuk na merrnin, humbnim kohë dhe një shoqja ime më thotë se ka një mundësi tjetër, për t’u bërë vajzë-imazh në një diskotekë, që të çonin në dhoma VIP, të paguanin mirë, por kishte njerëz që të bezdisnin. Aty pashë për herë të parë publik diskoteke, pasi vetë nuk jam tip diskotekash, por fati e deshi që lekët t’i nxirrja aty. Në fillim u çmerita, pasi vajzat që punonin aty, që ishin vajza fantastike, që studionin, ishin të veshura shumë seksi, duhet të kërcenin, të mbanin gjallë shpirtin e diskotekës. Mora vesh që çmimi ishte trefish më i lartë se vajzat imazh dhe s’kishte fare kontakt me publikun. Dhe mua kjo më interesonte. Dhe tim shoq unë e kam njohur kur isha mbi një kub. Ka qenë një disko shumë e madhe, që quhej “Vanita”, dyndje njerëzish, mijëra njerëz, kur po merrja diçka për të pirë në një bar, shoh siluetën e tim shoqi dhe nuk doja të lëvizja më. U magjepsa, por doja t’i flisja. Edhe ai, por ishte disi i ndrojtur. Më në fund erdhi dhe më pyeti: “A je e lodhur”? I thashë që “po, jam disi”. “Nuk qenke italiane. Jo, i thashë, jam shqiptare. Ishim të rinj, unë 25 ai 24. Më thotë: “Para disa ditësh po flisnim me disa djem shqiptarë dhe i pyetëm se si janë vajzat shqiptare dhe ata na thanë, leji, se janë shumë të shëmtuara”.

Me se merret bashkëshorti juaj?

Punon për stilistin Georgio Armani, më herët për Pradën. Studimet i ka bërë në fushën e dizajnit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura