“Orgji me femrat që përgjojnë”, zbulohet raporti sekret i Sigurimit në 1985: Agjentët gënjejnë. Nga “Manushaqja”, “Rrushi” te “Mekaniku”

Apr 4, 2019 | 15:29
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Agjentët e fshehtë, ata që mbanin në këmbë rrjetin sekret informativ, shumë herë komprometonin misionin e tyre, duke e përdorur statusin e veçantë për përfitime amorale.

Në fakt, armata jo e vogël e atyre që bënin syrin dhe veshin e Sigurimit të Shtetit e ka adresuar jo pak herë këtë të fundit në gjetje të gabuara, aq sa ka sjellë dhe problem për vetë regjimin. Përveç dëshmive të viktimave të Policisë Sekrete, janë zbuluar së fundi dhe dokumente autentike të Sigurimit të Shtetit, që vërtetojnë profilin kriminal të agjentëve të fshehtë, protagonistë të dramave nga më makabret te njerëzit e thjeshtë, po jo vetëm. Gazeta “Panorama” publikon sot buletinin sekret të Ministrisë së Brendshme, të datës 4 shtator 1985, me siglën tepër sekrete.

Faksimile-e-buletinit-sekret-të-Ministrisë-së-Brendshme

Në të pasqyrohet një analizë e detajuar dhe problematika kritike e konstatuar në mbarëvajtjen e punës së bashkëpunëtorëve të fshehtë. Vetë krerët e lartë të Sigurimit konfirmojnë aty shkaqet e gjendjes së pakënaqshme në ushtrimin e detyrës së informatorëve sekretë, duke veçuar njohjen e pamjaftueshme të kontingjentit të rekrutuar, përzgjedhjen e njerëzve me vese, e sidomos e atyre që dallojnë për lidhje me femra të degjeneruara, shpërfilljen e normave të punës me rrjetin informativ e deri te mossigurimi i fshehtësisë së plotë në takimet informative. Dokumenti zyrtar konfirmon sakaq se mjaft nga bashkëpunëtorët e orientuar për të ndjekur femrat me prirje armiqësore shpesh e shfrytëzojnë këtë për të bërë orgji me to. Më poshtë botojmë një pjesë të konstatimeve të tilla…

DOKUMENTI

“BESNIKU” rrjedh nga një familje e shtresës së mesme fshatare, vëllai i tij ka qenë i dënuar dy herë për aktivitet armiqësor. Është tërhequr në shërbim në vitin 1964 dhe është seleksionuar në vitin 1980 për arsye se u implikua në një proces hetimor për vjedhje dhe u vërtetua se gënjente. Gjatë 16 viteve në shërbim të rrjetit sekret ka dhënë të dhëna të shumta e me interes. Me të dhënat e tij u godit grupi i tregtisë në Berat me 11 të pandehur e mbi 20 të implikuar të tjerë; janë goditur tre objekte përpunimi që zhvillonin agjitacion e propagandë armiqësore si dhe janë çelur disa përpunime të tjera. Gjatë bashkëpunimit, “Besnikut” iu rrit mëndja dhe filloi të japë ca të dhëna të pavërteta, sidomos ndaj E.K, me të cilin kishte edhe një konflikt personal. Meqenëse të dhënat e “Besnikut” për këtë person nuk vërtetoheshin, më 21.12.1979 u bë një veprim ndërmjet tyre dhe bisedat u përgjuan. Nga raportimi i “Besnikut” pas këtij takimi bëhej me dije se E.K. kishte folur shumë ashpër kundër udhëheqësit të Partisë, kurse nga përgjimi nuk ishte kështu. Në informacionin e TO-së thuhej se E.K dikur i kishte dhënë “Besnikut” 1000 lekë dhe këto me këmbëngulje ia kërkonte, ndërsa bashkëpunëtori përpiqej t’i shmangej kësaj bisede dhe servirte rrugëzgjidhje. Pra, ndërsa “Besniku” jepte të dhëna për vjedhje për të tjerët, në anën tjetër vidhte vetë, me besimin në vetvete se nuk zbulohej, ose fakti tjetër që ndaj E.K jepte të dhëna se shante udhëheqësin e Partisë, me synimin që ky të futej në burg e vetë të shpëtonte nga borxhi që i kishte marrë.

“AKTORI” rrjedh nga një familje e varfër fshatare, tërhequr në bashkëpunim sekret më 16.6.1971 me material shtrëngues, sepse zhvillonte veprimtari armiqësore, agjitacion e propagandë, gjë për të cilën ishte vënë në përpunim aktiv 2A më 20.10.1969. Nga koha kur është vënë në shërbim e deri kur u seleksionua më 11.3.1980 ka dhënë të dhëna për 88 persona, ndër të cilët 5 në përpunim aktiv 2A, ndërsa gjysma e tyre janë me qëndrim të mirë politik. Në karakteristikën e tij thuhet: “Ka sqaruar shumë gjëra me aq sa ka pasur mundësi… ndonjë ves i keq nuk i është konstatuar, me përjashtim se është pak i hedhur me çështjen e femrave”. Në vitin 1976, “Aktori” ka dhënë informatën se objekti B.B merret me veprimtari armiqësore, agjitacion e propagandë. Nga verifikimet e bëra u vërtetua se ky informacion nuk ishte i vërtetë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në rastin e objektit D.K. Me veprimin e kryer ndërmjet tij dhe objektit D.K., ky i fundit jo vetëm që reagoi pozitivisht për disa probleme që u debatuan me bashkëpunëtorin, por në të njëjtën kohë i kërkoi “Aktorit” që t’i kthente disa sende që ky ia kishte vjedhur, ndërsa B.P në takim raportonte se në këtë rast objekti D.K, duke folur për tradhtinë kineze u shpreh se “delen që mbetet vetëm e ha ujku… sot fiton ai që di të manovrojë… për forcën tonë nuk pyet njeri… ne nuk jemi gjë… sot shikohet arma dhe jo njeriu… në Shqipëri nuk ka armë dhe bota e shuan kur të duash… në Jugosllavi ka liri, atje njerëzit shkojnë ku të duash e bëjnë çfarë të duash”. Të njëjtën gjë ka bërë ky bashkëpunëtor edhe me informatat e rreme ndaj objekteve G.B e R.S..

Faksimile-e-buletinit-sekret-të-Ministrisë-së-Brendshme1

“MALISHTA” u tërhoq në shërbim si bashkëpunëtor i fshehtë në vitin 1967. Në vitin 1974, një qytetare, që ishte objekt i survejimit të tij, denoncoi se ka dashur ta përdhunojë. Ajo e ka kundërshtuar duke i thënë se do ta denoncojë në Degë për këtë qëndrim. “Malishta” i ka thënë se “Unë bashkëpunëtor i Degës jam, prandaj të flas kaq serbes, i kam marrë të gjitha masat, atyre u kam thënë”. Madje, ai e ka kërcënuar se do ta vriste në qoftë se ajo tregonte sekretet që ky i ka thënë. Denoncuesja ka treguar edhe për disa vjedhje që bënte “Malishta”. Më vonë ky bashkëpunëtor është marrë në përpunim aktiv 2A me dyshime si agjent i zbulimit grek.

“QERSHIA” është tërhequr në bashkëpunim në vitin 1972 dhe pas dy vjetësh i thotë të vëllait se, “Beqir Balluku ka tradhtuar së bashku me një tjetër. Unë këto gjëra i di mirë se bashkëpunoj me punëtorin operativ të zonës. Për këtë që të thashë mos i thuaj njeriu”. Ky bashkëpunëtor është tërhequr duke pasur karakter të ulët, me maninë për t’u mburrur.

“MEKANIKU” është tërhequr në bashkëpunim në vitin 1976 dhe u përjashtua në vitin 1978, sepse ka dekonspiruar përpara objekteve që ka pasur detyrë t’i përpunojë duke u thënë “Mua më ka ngarkuar Dega me detyrë që t’ju ruaj”. Dekonspirimi direkt para objekteve tregon se mekaniku duhet të ketë mendime armiqësore, në mos veprimtari të tillë, gjë që duhet ngritur si version dhe duhet zbuluar nëpërmjet rrjetit sekret informativ.

“LULARA” është tërhequr në bashkëpunim në vitin 1968 dhe është përjashtuar në vitin 1974. E ka pranuar shërbimin në rrethana detyruese dhe i gjendur në këto kushte, ka dekonspiruar para gruas së vet, e cila i ka kërkuar shkakun pse rrinte i mërzitur. Ajo është shprehur para të dashurit të vet duke thënë se burri im është mërzitur shumë, se ata të Sigurimit i kërkojnë të thotë gjëra për dy shokë të vetët.

“RRUSHI” është tërhequr në bashkëpunim në vitin 1981 dhe është djegur si bashkëpunëtor se në disa raste është mburrur. Lidhur me këtë, bashkëpunëtori “Shqiponja” raporton se shitësja S.C. i ka thënë “Rrushit” se dje të kritikuam në mbledhjen e brigadës. “Rrushi” i është përgjigjur se, “Unë nuk pyes për qentë me dhëmbë e jo më për ata pa dhëmbë”. Në një rast tjetër u është mburrur disa bashkëfshatarëve duke u thënë se, “Unë u kam çuar mish disa kuadrove të Degës”. Karakteri i ulët, mania për t’u paraqitur si njeri që zotëron pushtet e forcë mbi të tjerët, e kanë çuar “Rrushin” në dekonspirim.

Faksimile-e-buletinit-sekret-të-Ministrisë-së-Brendshme1

 

“DETI” është tërhequr në shërbim në vitin 1957 dhe është përjashtuar në vitin 1983. Kur është shtrënguar, ka pranuar se ka realizuar takime dhe është rekrutuar agjent për llogari të zbulimit grek nga diversanti Pajo Mileci dhe në dy takime që ka bërë u ka dhënë të dhëna informative. Gjatë hetimeve në vitin 1963, diversanti Hajrulla (Lake) Tefiku ka deponuar se dinte nga zbulimi grek që “Deti” ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Gjithashtu në vitin 1963, K.J., në përpunim aktiv 2A i ka thënë bashkëpunëtorit që e përpunonte se “Deti” është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Ndërsa “Pisha” raportonte në vitin 1961 se shtetasi S.H. dinte që “Deti” ishte agjent i fshehtë. E me gjithë këto raste, “Deti” është mbajtur në lidhje deri në vitin 1983.

“SHKREPËSJA” është tërhequr në vitin 1950 mbi baza vullnetare, megjithëse i ati ishte agjent grek. Ka pranuar bashkëpunimin me kushte e kufizime që të jepte të dhëna vetëm në vendin e punës e për diversantët, por jo “për në fshat”. Deri në vitin 1971 ka dhënë të dhëna me interes. Më tej ka rënë puna e tij e si rezultat i kritikave ka pranuar se gjatë luftës italo-greke ka punuar së bashku me të atin në favor të grekut. Rezulton që “Shkrepësja” ka qenë edhe imoral e intrigant.

“MERSINI” është tërhequr në bashkëpunim në vitin 1955 me material shtrëngues. Në vitin 1961 është takuar me punëtorin operativ në zyrën e postës kufitare, sepse ky i fundit kishte frikë ta takonte në pyll se mos e vriste. Me të janë bërë edhe takime të tjera në vende të papërshtatshme. “Mersini” vet është shprehur: “Unë nuk bëj më për juve, se jam djegur”. Në vitin 1965, ai ka dekonspiruar para një bashkëpunëtori tjetër edhe dy objekte që përpunonte.

“BREGU I BORSHIT” është tërhequr në shërbim në vitin 1951. Në vitin 1954 është djegur duke u ballafaquar me një objekt. Madje, ai ka dekonspiruar para një kushëriri të tij(edhe ky ish-i dënuar për krime kundra shtetit), të cilit i ka thënë se “punoj me Sigurimin dhe u jap informata”.

“YLLI” është tërhequr në bashkëpunim më 1950 dhe u përjashtua në vitin 1974, pasi i kanë rënë shënimet për bisedat me objektet dhe ia kanë gjetur shokët e brigadës. Më e keqja, se me këtë shkelje ka rënë dakord dhe ka heshtur edhe punëtori operativ që e mbante në lidhje.

“MANUSHAQJA” u tërhoq në bashkëpunim në vitin 1974 dhe u përjashtua po atë vit, pasi gjatë përpunimit të dy personave të cilët ndiqeshin si përvetësues të pasurisë socialiste, për të fituar besimin e tyre, i ndihmoi në krim dhe u implikua. Prirja për të zbuluar sa më thellë e qartë krimin në rrugë të paligjshme, bëhet shtytje për të gabuar rëndë e djegur bashkëpunëtorin.

“SHKRIMTARI” është tërhequr në vitin 1960 dhe u përjashtua në vitin 1983. Në vitin 1961, ai ka raportuar se objekti K.I., i cili ka pasur qenë punëtor operativ, i ka thënë “thuaju atyre shokëve të të drejtojnë më mirë”.

dosje

“REAKTIVI” është tërhequr në shërbim në vitin 1978 dhe është përjashtuar në vitin 1984. Ai përpunonte K.S. si agjent të zbulimit grek. Ka dhënë për të informata ku ngrihen dyshime për veprimtari spiunazhi. Udhëzohet në vitin 1983 që të takohet me objektin dhe t’ia thotë të gjitha në sy. Duke qenë se bashkëpunëtori i përmendi pa takt të gjitha bisedat që kishin bërë bashkë qysh prej kohësh, objekti dyshoi dhe nuk u afrua më. Dyshimet e veta që “Reaktivi” ishte agjent i Sigurimit ua tha dhe dy objekteve të tjerë F.K. dhe U.M. “Reaktivi”, në vitin 1980, pas një takimi që kishte me punëtorin operativ, u pyet nga objekti K.S., të cilit i kishte rënë në sy lëvizja e tij: “Ku ishe?”, “Reaktivi” i tha: “Isha për të prerë dru”. Atëherë K.S. i thotë: “Ti dru bën, po sëpata nuk të dëgjohet”. K.S. kishte qenë dikur edhe vetë bashkëpunëtor dhe i dinte format.

“PLEPI” është tërhequr në bashkëpunim në vitin 1978 dhe është përjashtuar në vitin 1983, për arsye se ditën e takimit ishte në vrojtimin e objektit dhe se punëtori operativ që e takoi atë ditë shkoi me makinën e degës në fshatin e bashkëpunëtorit.

“HËNA” është tërhequr në bashkëpunim në vitin 1955 dhe u përjashtua në vitin 1973, sepse e ka parë në takim me punëtorin operativ komandanti i postës së kufirit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me bashkëpunëtorin “Kodra” e “Dëbora”, që janë rekrutuar në vitin 1972 dhe janë përjashtuar nga shërbimi dy vjet më vonë.

“ARTISTI” përpunonte objektin DH.Q., me të cilin shoqërohej edhe vëllai i bashkëpunëtorit. “Artisti” raportonte edhe bisedat armiqësore që DH.Q. zhvillonte në prani të vëllait të vet. Ky u nxor dëshmitar kundër objektit në fjalë. Një rezident i përjashtuar, që kishte vënë re kontaktet e shpeshta të objektit me dy vëllezërit, duke nxjerrë vetëm njërin dëshmitar, konkludoi që tjetri është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe këtë ia tha bashkëshortes së objektit të goditur. Pra, kjo solli rrjedhimisht djegien e “Artistit”, sepse i vëllai i një denoncuesi nuk mund të besohej më nga elementi armik.

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

…vijon

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura