Opsioni ushtarak për dhunën në Siri, Rusia kërcënon me veto

May 31, 2012 | 13:37
SHPËRNDAJE
Nga pasojat e dhunës në Siri

Këshilli i Sigurimit po përgatitet të diskutojë mbi dhunën në Siri dhe opsionin e një ndërhyrjeje ushtarake, por aleatja e Sirisë, Rusia, ka kërcënuar me veto nëse anëtarët e tjerë të KS përpiqen të sulmojnë regjimin e Bashar al Asad. Sipas agjencisë ruse të lajmeve “Interfax”, ministria e Jashtme në Moskë ka njoftuar se “Rusia do të vendosë veton nëse do të shqyrtohet alternativa e një ndërhyrjeje të mundshme ushtarake ndërkombëtare në Siri”. Deklarata ishte bërë nga zëvendësministri i Jashtëm rus, Genadi Gatilov. Ndërkaq vendet e tjera të botës vazhdojnë të dëbojnë ambasadorët e Sirisë si përgjigje ndaj dhunës së vazhdueshme në këtë vend. Të martën ishin SHBA, Britania, Kanadaja, Australia, Franca, Gjermania, Italia, Spanja, Bullgaria dhe Holanda që dëbuan diplomatët sirianë nga vendi, pas masakrës në qytetin Hula ku u vranë 108 persona, mes tyre shumë fëmijë. Ndërsa dje ishin Turqia dhe Japonia që njoftuan vendimin për dëbimin e diplomatëve sirianë. Zyrtarët në Tokio i kanë kërkuar ambasadorit sirian të lërë vendin sa më parë që të jetë e mundur, duke mos vendosur përcaktime kohore, ndërsa autoritetet në Ankara u lanë 72 orë kohë të gjithë diplomatëve të Sirisë që të largohen nga vendi. OKB e dënoi unanimisht masakrën në Hula, duke fajësuar regjimin e Asad për përdorimin e armëve të rënda në distanca të afërta kundër civilëve, ndërsa regjimi sirian deklaroi se fajtorë për vrasjet ishin terroristët antiqeveritarë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura