“Opozitën e presim deri të dielën”- PS për Presidentin e ri: Jo listë e mbyllur me 4 emra

May 27, 2022 | 8:06
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Mazhoranca po shkon e vetme drejt zgjedhjes së Presidentit të ri. Partia Socialiste do të presë opozitën deri në datën 29 maj për të propozuar emrat për Presidentin e ri në të kundërt në raundin e 4 do ta zgjedhë vet pasuesin e Ilir Metës.

Taulant Balla siguroi dje se mazhoranca nuk do të propozojë emër për kandidat për President deri ditën e diel, duke ia lënë këtë të drejtë opozitës. Por, kreu i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, gjatë një prononcimi për gazetarët në përgjigje të deklaratave të demokratit Enkelejd Alibeaj deklaroi se se Partia Socialiste e ka legjitimitetin ta zgjedhë Presidentin, pro do të donin që të zgjidhje me 84 vota. Por, ai vuri në dukje se po vijojnë negociata me grupet e tjera parlamentare.

Ai përmendi se po negocion edhe me dy grupet e tjera parlamentare të opozitës ndaj ftoi PD-në që të marrë pjesë në procesin për zgjedhjen e Presidentit, duke propozuar emra.

“Mendoj që të gjitha palët duhet ta shohin me përgjegjësi këtë proces. Kam komunikuar me dy grupet e tjera parlamentare të opozitës me të cilat do të vijojmë edhe në javë të vijim. Negociatat mes tyre do të vazhdojnë. Ne nuk do të propozojmë emër deri të dielën në orën 16:00 me shpresën që PD-ja do ta ushtrojë këtë të drejtë. E ka shumë gabim se ne nuk e kemi legjitimitetin, ne i kemi votat, por do donim që të zgjidhej me 84 vota. Nëse nuk do të ushtrohet kjo e drejtë nga opozita në do të ushtrojmë të drejtën tonë. Presidentin nuk do t’ia japim asnjë partie politike”, u shpreh kreu i deputetëve të PS-së.

Balla apeloi për zgjedhjen e një Presidenti mbi palët. “Të vetmin kusht që kemi ka qenë që te kemi një President krejtësisht të ndryshëm nga Ilir Meta. Ishte reklama më e madhe për vendin. Shqipëria meriton një President të jetë realisht mbi palët. Unë mendoj që gjitha palët duhet ta shohin me përgjegjësi këtë proces. Në dy raundet 2-3 u kemi thënë propozoni ju. Nuk kemi marrë një propozim shkresor nga ana e PD-së. Pjesëmarrja në proces është përgjegjësi kushtetuese asnjë nga palët nuk po merr pjesë në proces për shkak të palës tjetër. Shqipëria meriton një President mbi palët”, theksoi Taulant Balla.

Më herët deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, deklaroi se Partia Socialiste u tërhoq nga marrëveshja sapo u bënë publik emrat e propozuar nga PD-ja.

Në lidhje me këtë deklaratë, Balla theksoi se “që në fillim e kemi bërë të qartë që nuk pranojmë një listë të mbyllur me katër emra, siç do Alibeaj”. “Ai variant nuk vlen për Presidentin e Republikës. E kemi thënë që një listë e mbyllur prej katër kandidaturash të jetë imponim, nuk do ta lejojmë. Rama ka qenë shumë i drejtpërdrejtë që ne përjashtojmë një President nga salla e parlamentit, nga politika e ditës”, u shpreh kreu i deputetëve të PS-së.

Kështu, raundi i tretë në procesit për zgjedhjet e Presidentit është sërish në dorën e opozitës, që nëse nuk dorëzon propozime, do t’i hapë rrugë më pas mazhorancës për ta zgjedhur vetë Presidentin në raundin e katërt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura