Opozita midis Shilës dhe Karibdës

Mar 12, 2015 | 12:50
SHPËRNDAJE

MENTOR NAZARKO

   Sot opozita shqiptare që gjithmonë e më shumë po kufizohet me Partinë Demokratike, do dalë në një protestë që përfaqëson një test të rëndësishëm në disa kuptime. Ajo do detyrohet të lundrojë midis Shilës dhe Karibdës, dy monstrave mitologjike greke që rrinin përkundruall njëra-tjetrës në një ngushticë detare, që do të thotë të lundrojë midis dy pozicioneve, dy qasjeve që ngjajnë sa të frytshme, aq dhe të rrezikshme.
Së pari do duhet të tregojë se cila rrymë, cila prirje, cila frymë drejtimi do fitojë simpati popullore, d.m.th. pjesëmarrje të popullit të djathtë, ajo e Bashës apo ajo e Berishës. Ka një farë diferencimi midis qasjeve të tyre për protestën, produkt edhe i formimit të tyre rrënjësisht të ndryshëm politik, pavarësisht marrëdhënies thuajse kërthizore mes tyre. Ky diferencim u duk në deklarimet divergjente të dy liderëve në shfaqjet e tyre publike – Basha që foli për protestë kundër varfërisë, dhe më në fund dhe padrejtësisë, ndërsa Berisha që foli për një protestë ekskluzivisht kundër padrejtësisë që lidhet me rastin Doshi. Qasja Basha ngjan më e arsyeshme, por koha e zgjedhur i jep një gur në dorë qasjes së Berishës, i cili është investuar fuqimisht të tregojë se drejtësia do dështojë në rastin Doshi, ndaj nevojitet protesta popullore që të detyrojë Metën të dorëhiqet. Gjasat janë që kjo të mos ndodhë, por gjithsesi le të presim zhvillimet e sotme.
Në këtë dualizëm, në këtë dykokësi të opozitës, ku për të qenë të sinqertë koka e Bashës gjithmonë po zvogëlohet, sa zërat se Berisha do kthehet në krye të PD-së po bëhen gjithmonë e më të fortë, ka rreziqe të tjera. Dhe këto janë përplasja me qëndrimet amerikane në lidhje me zhvillimet e fundit. Ndihet qartazi se me ardhjen e ambasadorit Lu po përforcohet qasja kritike e drejtpërdrejtë e SHBA-ve ndaj PD-së kryesisht, por dhe dukurive problematike brenda maxhorancës. Zërat që e lidhnin këtë drejtpërdrejt thjesht me faktin se ambasadori Arvizu do ikte në pensionin e detyruar prej Berishës ndaj ishte i drejtpërdrejtë, do duhet të vërtetohen. Edhe ambasadori Lu po vazhdon në të njëjtën linjë, që do të thotë se ky është qëndrim i Departamentit të Shtetit. Ambasada amerikane nuk mbajti qëndrim kundër protestës, por janë disa qëndrime radhazi, në të cilat ajo është distancuar nga PD-ja, një veprim që synon me gjasë të shfryjë mbështetjen për protestën të asaj pjese të arsyeshme të qytetarëve, pjesë gri zakonisht, që është kritike me qeverinë.  Afërmendsh që pozicionimi amerikan nuk lidhet me simpatinë ekskluzive për qeverinë, por me nevojën për stabilitet në këtë zonë, në këtë pjesë të botës që vjen pikërisht prej qeverisë. Sipas qasjes amerikane, protesta do duhet të zhvillohet brenda këtij kuadri: respektim i ligjit dhe jo dhunë.
Opozita sot gjithashtu do duhet të lundrojë midis një qasjeje radikale, pra një ecjeje me shpejtësi të madhe në çështjen Meta apo në çështjen Doshi, apo një qasjeje paksa më të moderuar, më institucionale. Me pak fjalë, opozita e ka të vështirë të mbajë qasje të fortë sa kohë që institucionet kryesore të pavarura janë të propozuara prej saj dhe për më shumë, përfundimi i shpejtë i hetimeve që po zhvillohen shpejt, mund ta përgënjeshtrojë.
Në këtë luhatje të vetën, opozita gjithashtu do duhet të distancohet nga sjellja e rivalëve të vet politikë në protestën e 21 janarit 2011. Me gjithë dëshirën e krahut radikal që të ketë dhunë për ta detyruar qeverinë të jepte kokën e Metës, konteksti është rrënjësisht i ndryshëm: ai i brendshëm dhe ai i jashtëm.
Ka dhe një dilemë tjetër në frymën që do të marrë protesta e sotme. Rama apo Meta, apo të dy janë targetet e saj. Çdo goditje e përqendruar e opozitës ndaj Metës, ekzagjerim retorik, në një farë mënyre e dobëson kapacitetin negocial të tij brenda së majtës, e shoqëruar kjo eventualisht me ndonjë surprizë të hetimeve të Prokurorisë, apo qëndrim të kancelarive, të cilat e duan dekriminalizimin me çdo kusht që të nisë që tani. Pra, përjashtimi i Ramës dhe goditja e Metës dhe Tahirit si kusur, gjithsesi e forcon sadopak Ramën, i cili largoi Doshin nga PS-ja dhe mori mbështetje publike amerikane.
Pra, protesta e sotme, e gjendur midis këtyre dilemave që ngjajnë njëlloj tërheqëse dhe po aq të dëmshme, mund të rezultojë në një lloj kakofonie mesazhesh, të cilat nuk mund të kornizohen dot lehtësisht as nga skenaristë të mirë, për më shumë në këtë dykokësi të opozitës. Por le të shohim se ç’do të ndodhë, duke besuar se do të fitojë më e arsyeshmja. Opozita ka të drejtë të protestojë për një rast të tillë, qoftë dhe duke u mbështetur te sjellja e Prokurorisë që i jep përkohësisht të drejtë, por ka disa vija të kuqe që s’duhen shkelur.
Meta në postin e numrit dy të shtetit mund të krijojë hapësirë për presion të hapur ndaj Prokurorisë sipas Berishës, por edhe protestat në sheshe janë një mjet presioni, jo vetëm ndaj Metës dhe qeverisë, por edhe ndaj Prokurorisë, që kryesohet nga një o zgjedhur apo i miratuar nga Berisha. S’jemi në kushtet e partisë-shtet, pse tri institucione të pavarura janë zgjedhur nga PD. A do fitojë qasja institucionale, pra e respektit ndaj Prokurorisë apo ajo e protestave permanente derisa qeveria të bjerë pjesë-pjesë sipas një ëndrre të Berishës? Kjo është dilema kryesore e protestës së sotme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura