Opozita e rrogëtuar dhe opozicioni misionar

Sep 24, 2018 | 11:30
SHPËRNDAJE

 

FRANO KULLI

Frano Kulli

Siç mund të jetë vënë re, ftohtë dhe me shumë pak komente politike ka kaluar bashkimi i kryetarit të partisë së çamëve, z. Shpëtim Idrizi, me Partinë Demokratike. Bashkime e ndarje të tilla, “pa din e pa iman” (pa fé e pa besim) bien erë vjetërsinë në klimën politike në Shqipëri. Edhe për shkak të lëvizjeve të kësisojshme, që kanë ndodhë jo rrallë në teatrin politik shqiptar e posë njëmijë arsyesh të tjera, kanë bërë që besimi te politika prej njerëzve të mbetur këtu në Shqipëri, është rrëzuar keqas e po hiqet rrëshqanë. Dhe deri këtu nuk ka asgjë të re për të thënë. (Sa mua më vjen në kujtesë si një këshillë fort e çmuar ajo lutja e Konicës së madh “Zot, më jep fuqinë të mbyll gojën kur nuk kam gjë për të thënë!”). Por nuk mund të rrija pa “folur” kur kam pa se ky bashkim është përcjellë me entuziazmin e një bashkimi që do të ishte preludi i fitores së opozitës laramane, që prihet prej përfaqësuesve, vetëvulosur si të djathtë. Sipas këtij deduksioni, mbas këtij bashkimi, tashmë fitorja e opozitës ishte mbas dere. Fitorja e zgjedhjeve lokale, të cilat me të vërtetë i kemi mbas dere. Dhe si argumenti, që shërben si shtylla mbajtëse e këtij parashikimi entuziast ishin… nja 12500 vota (nëse nuk e kam gabim numrin), që partia, të cilën drejton zoti Idrizi paska bërë diferencën në zgjedhjet për kryebashkiakun e Tiranës(!), edhe pse ardhja e zotit Idrizi në krahun opozitar ka qenë e vetmuar, duke lënë në kampin e pushtetit gjithë atë çka duhet e vlen për një forcë politike, deputetët me votat e tyre në Parlament.

Prijësi zyrtar i opozitës politike, z. Lulzim Basha, ashtu sikurse krejt establishmenti sipër e poshtë tij, që i kacavirren më së shumti për interesa përfituese pushteti, janë të bindur se mundësitë për të mundur shumicën zyrtare qeverisëse sot e jo vetëm sot, po s’di se deri kur, janë thuajse të pamundura.

Sigurisht kumti është i trishtë, kur cilido njeri që e çmon veten normal dhe jo me inteligjencë e kujtesë të dëmtuar e kupton se Shqipëria sot është në ditët e veta, dukshëm më të vështira për shkak të qeverisjes së keqe. Ne sot kemi në krye të drejtimit të vendit një njeri, deliri i madhështisë i të cilit ka dhënë shenjat e mjaftueshme, se nuk njeh kufij. Shfaqjet e një urrejtjeje gati patologjike karshi çdo trashëgimie qytetërimore, sado modeste të mbetur dhe dëshira e synimi i të cilit, i dashuruar deri në kufijtë e një narcisti, me shëmbëllimin e vet, për të lënë me çdo mënyrë e mjet gjurmën e shijeve të veta kudo e kurdo, shfaqen të rrezikshme. Dhe jo vetëm në fasadat urbane të Tiranës, po shumë më shumë se kaq, në prerjen botëkuptimore të njerëzve, të cilësdo shtresë a grup qofshin ata. Ai po synon dhe përpjesshëm ia ka arritur të modelojë “njeriun e ri”, i cili, medoemos, qoftë punëtor a fshatar, qoftë artist a shkrimtar, gazetar a dijetar, o duhet të bëjë e të sillet si e pëlqen ai, o… në qoftë i dobët e i pamundur plaset në burg, në qoftë i paduruar… të paduruarit, mbi dyqind mijë prej tyre kanë ikur e po ikin. Në qoftë gazetar është kazan (kjo fjalë me një konotacion të pështirë) dhe në qoftë dijetar…, jo as atë nuk e dëgjon…

Pse, a nuk tha kështu për dijetarin Aurel Plasari? – Për Teatrin nuk e dëgjoj unë Aurelin që lexon,- tha me zë të krekosur dhe me figurë për ta parë e dëgjuar shqiptarët kudo ndodhen(!)…

O temporal, o mores!

Pra, ky prijësi ynë nuk dëgjon e s’ka për të dëgjuar. E s’ka pse të dëgjojë! Për sa kohë s’ka kush ta ndalojë e më pas t’i thotë: Ik!

E pse t’i shkojë ndër mend për të ikur atij, atëherë? Në ditën që ai do të miratonte Ligjin për Teatrin, kundërshtinë për të cilin, si një ligj që shumë më përtej teatrit dhe trashëgimisë qytetërimore që ai mbart, cenon Kushtetutën e vendit, nuk ka pasur një faktor serioz e personazh të ditur të këtij vendi që nuk e ka kundërshtuar, opozita rrogëtare ka arsyetuar të jetë… në Vlorë! Në një shfaqje dukshëm amatore, që vlen e thotë pakogjë. Se krimi në Vlorë, në Elbasan a në Shkodër e gjetkë, denoncimin dhe dënimin e të cilit kanë në thelb “shëtitjet” e saj, a thotë vetë opozita rrogëtare se rrënjët i ka në Tiranë?! A thua do të kishte qenë shumë më e udhës, që atë ditë, Vlora, Shkodra, Elbasani dhe mbarë Shqipëria, në opozitë me të keqen që po ndodh për të, duhet të ishin aty. Në Tiranë. Përpara Parlamentit. Dhe dikush prej tyre, pse jo të lexonte njërin pas tjetrit dy shkrime të prof. Plasarit. Po edhe kumtet e zotit Lubonja, të prof. Fugës e të tjerë, e të tjerë.

Dhe zërat përbashkues të tyre janë shumë, shumë. Opozitarizmi kundruall kësaj qeverie është dukshëm sa shumëfishi i numrave që posedon opozita e rrogëtuar, e koracuar në lëvozhgën e vet sa të një arre… Përtej dokrrave të Kryeministrit…

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura