Të korruptuar, por sovranë!

May 9, 2016 | 15:28
SHPËRNDAJE

 

u2_agrongjekmarkajNGA AGRON GJEKMARKAJ

Një vend i korruptuar është lehtësisht i shantazhueshëm dhe asnjëherë i pavarur deri në fund! Një individ i korruptuar nuk ka shanse ta shijojë krenarinë, por veç retorikën e saj, për të cilën kërkon falje në çdo skutë qerpiklagur. Një klasë politike si e jona, e cila gjerësisht perceptohet si e korruptuar, duket qesharake kur artikulon tezën e sovranitetit për të sugjestionuar qytetarët për një mbështetje që nuk do ta ketë.

Çdokush që ka vjedhur taksat e tyre, donacionet dhe kreditë e dhëna për ta, për asnjë çast nuk ka moral t’i referohet kauzës së shenjtë të integritetit dhe pavarësisë kombëtare, sidomos ndaj SHBA-ve, të cilat na e kanë mbrojtur atë historikisht shumë më tepër se folklori ynë historiko-gënjeshtar, shumë më tepër se lëbyrja e politikanëve aktualë.

Një anëtar i NATO-s me politikanë të korruptuar është shqetësues jo vetëm për seriozitetin e kësaj organizate, por edhe për sigurinë e saj. Me dosjet e tyre, ata janë lehtësisht objekt rekrutimi dhe presioni. Një shtet i cili politikën e ka me një qind fije të lidhur me krimin dhe mafien, nuk e meriton anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Të jesh i ndershëm në Shqipëri ta marrin për ters, thjesht të konsiderojnë një budalla për t’u anashkaluar! Nëse nuk je hajdut nuk bën, nuk duhesh, sepse nuk përdoresh, nuk rri gatitu, nuk je servil mjaftueshëm, nuk të rri në gjeografinë e fytyrës buzëqeshja prej piskuriqi të fajshëm. Etalonin etik për të tilla gjykime e ka krijuar politika, e cila hap pas hapi meriton të quhet produkt i shoqërisë që ka pranuar presionin e të korruptuarve, duke u korruptuar vetë në qëndrimin e saj.

Ne e dimë çdo të thotë të jesh a të kesh qenë pushtetar, tenderman, kryetar, ministër në këtë vend, si për ata që janë në opozitë dhe për ata që janë në pushtet, për të kuptuar qartë dhe vështruar pa hile! Aq larg ka shkuar tjetërsimi sa i bëhen elozhe vjedhjes si zotësi dhe virtyt i dhënë nga Perëndia. Njeriu punëtor vlerësohet si qyqar dhe i shkretë.

Ajo biografi zgrapjeje përkthehet në shumë raste në mirëqenie të pamerituar, në dominim kriminal që përcakton referencat dhe modelet tona. Njerëz, talenti i të cilëve meriton veç bukën thatë dhe gotën e ujit me rrogat më të ulëta në Europë, pavarësisht hierarkisë së posteve, kanë pasuri që bëjnë të luajë nga fiqiri çdo politikan të kontinentit me të ardhura zyrtare njëzetfish më të larta.

Makinat e tyre njëqind mijë euroshe, vilat e pushimit dhe ato të banimit, pushimet dhe gëzimet, stolitë dhe inxhitë, gratë dhe fëmijët, orët dhe këmborët, llogaritë dhe historitë e të cilëve çudisin dhe ata që janë të apasionuar pas përrallave të “Një mijë e një netëve”! Ditë më parë u botuan të ardhurat e ministrave! Hapu dhe! Gratë e tyre ishin ekspertet më të paguara në këtë vend, po nga qeveria, me 40 a 50 mije euro në vit. Grushti i Migjenit duhet aktualizuar.

Me gjasë, pushteti dhe pushti po identifikohen gjithnjë e më tepër. Për arsye gjeostrategjike, SHBA dhe BE në një botë që po trazohet me shpejtësi pas luftës së ftohtë kanë vendosur të ndërhyjnë në Shqipëri, si dhe për t’i dhënë një kuptim kapitalit politik dhe atij të sigurisë që kanë investuar në vendin tonë. Baza për një shoqëri dhe rend të drejtë ka qenë dhe mbetet drejtë- sia.

Çfarë del prej institucioneve që duhet ta japin atë, në përgjithësi ka qenë padrejtësi. Njerëzit që duhet të japin drejtësi në një pjesë janë shndërruar në tregtarë që negociojnë me pushtetin dhe me botën e krimit. Tradita dhe realiteti bashkohen në një fakt. Ai që e ha është kundërshtari dhe i dobëti, i varfri dhe i pafajshmi. Politika dhe drejtësia në këtë nahi janë thjesht dy anë të së njëjtës medalje.

Dy ambasadorët me përfaqësues në vendin tonë, Donald Lu dhe Romana Vlahutin, janë shndërruar në mbështetësit kryesorë të Reformës në Drejtësi, duke cenuar në parim atë që quhet sovranitet me gjestet dhe fjalorin aspak diplomatik! Kjo nuk ndodh rastë- sisht për të dëshmuar forcën e tyre dhe dobësinë e Shqipërisë! Jo!

Përkundrazi, është shenjë preokupimi dhe keqardhjeje për këtë popull dhe për këtë vend, qytetarët e të cilit ëndrrën më të madhe kanë ta braktisin atë si shërbim ndaj fëmijëve të tyre. Prej tre vitesh nuk është më shenjë, por tendencë masive dëshpëruese. re mijë veta fituan loton për në USA dhe 197 mijë aplikues humbës i shoqërojnë me zili.

Insistimi dhe trysnia e pazakontë që po ushtrojnë ambasadorët ka provokuar diarrenë patriotike, sipas së cilës po na cenohet sovraniteti. Cili sovranitet? Ai i hajdutëve? Hajdutët kanë sovranitet, kanë atdhe? Askush nuk e beson. Po ta kishin, nuk e vjedhin dhe nuk e poshtërojnë atë! Njerëzit duan drejtësi pa mbiemër. Ndaj, drejtësia nuk mund të jetë ajo që iu premton apo “sjell” Edi Rama, arkitekti i shëmtisë së Tiranës korruptive, i kriminalizimit të Parlamentit dhe jetës sociale, i koncesioneve dhe kullave që qelbin dynjanë me erën që mbajnë, i zgjedhjeve nën kërcënim etj., etj., sa të thahet gjuha.

Duke zbritur në terrin politik ku u gatua reforma, vlen të kujtohen disa gjëra. Një drejtësi e korruptuar, duke pranuar edhe formalisht vartësinë politike nga Kryeministri, i cili i konsideron ligjet rrumpallë, do të bëhej shumë më tepër e korruptuar nga ç’është! Suksesi i reformës së propozuar prej tij u hapte rrugë gjykatave politike dhe fundit të lirive modeste që gëzojmë në këtë territor.

Dështimi i saj dhe i Byrosë Kombëtare të Hetimit në varësi të Saimir Tahirit është një sukses i opozitës, por edhe i shoqërisë. Meritë e saj e padiskutueshme është sensibilizimi dhe alarmi që ngriti. Ajo (opozita) meriton mirënjohje. Falë kësaj sjelljeje, procesi u përvetësua nga SHBA dhe BE, të cilët, ditë pas dite, pasi e lexuan dhe kuptuan reformën e propozuar nga Rama dhe u bindën se ajo ishte më keq sesa statuskuoja. Pas kësaj qartësie, Qeveria e zbehu protagonizmin për reformën, dhe hëngri buzën me dhëmbë.

I duhej një projekt që e vinte sistemin nën diktat si mundësi shantazhi dhe hipotekë pushteti afatgjatë. Me nxitim SHBA dhe BE filluan të mendojnë për një draft të ri të përgatitur nga ata vetë. Sot jemi pak a shumë pranë një rezultati, të cilin ambasadorët duan t’u imponojnë palëve, qoftë edhe duke i fyer dhe poshtëruar.

Të dh… dhe krenarë, zhvatës dhe patriotë nuk ekziston. Nëse janë të vendosur diplomatët, ia dalin. Çka ndodh këtu, po e marrin vesh edhe plakat e mëhallave jo më shërbimet e tyre. Tabloja e informacionit i bën ambasadorët guximtarë dhe arrogantë. Aferim u qoftë. Një arrogancë kjo plasmuar me praninë dhe fjalën në komision dhe vullnetin kërcënues për të asistuar grupet parlamentare të tri partive, e cila në kushte normale do të duhej të zgjonte protesta popullore, por në kushte anormale ku jetojmë, mbetet e vetmja shpresë.

Një deus ex machina bijë e pahirit. SHBA dhe aleatët që fituan Luftën e Dytë Botërore për pothuaj 10 vjet qeverisën drejtpërdrejt kombe të mëdha e me traditë politike si Gjermania, Italia e Japonia e për vite të tjera indirekt për të implementuar demokracinë dhe ligjin. Shqipëria është në luftë ekzistenciale me korrupsionin, këtë pushtim të brendshëm një luftë që e ka humbur duke mposhtur demokracinë dhe ligjin ndaj urojmë që miqtë ta kenë seriozisht.

Ky këndvështrim e nxjerr ambasadorin Lu interpret të vokacionit popullor që pret një miradi nga qielli. Opozita për të legjitimuar përpjekjen e saj disamujore për garanci amerikane dhe europiane duhet ta miratojë reformën, përndryshe demonstron frikën se i druhet asaj dhe zhvendoset në një pozicion të gënjeshtërt dhe të atakueshëm, duke i dhënë oksigjen të pamerituar Edi Ramës. Një akt i tillë kërkon mbështetje të mëtejshme nga qeveritë e vendeve perëndimore dhe SHBAtë në vetë të parë.

Mbi të gjitha, fjalën e dhënë për mosdorëzimin në duart e qeverisë për ekzekutim politik të draftit të miratuar nga parlamenti. Implementimi i tij do të duhej të bëhej nën mbikëqyrjen e tyre afatgjatë dhe për këtë nevojitet një asistencë njerëzore cilësore dhe e konsiderueshme. Nëse po na e “cenojnë” sovranitetin për ta miratuar, le ta bëjnë edhe për ta zbatuar atë, përndryshe do të ishte një prerje në besë dhe një tallje e pakuptimtë.

Riqarkullimi i dordolecëve të sistemit të purifikuar me rekomandimin e “Rilindjes” do të konsiderohet një legalizim i çdo gjëje të keqe që ka ndodhur kësaj ane me bekim ndërkombëtar një vrasje përfundimtare shprese, që shërben veç për të pasuruar me “sukses” cv-të e ambasadorëve të angazhuar, duke e zhveshur “magjie” çdo pasardhës së tyre mbi këto troje. Sovraniteti që na ofrojnë të korruptuarit, na korrupton të gjithëve ne. Leksionet e tyre për sovranitet janë një klithmë vetëmbrojtjeje që të ngjall krupën.

Shkëlqesi Donald Lu, me fuqinë që të jep Amerika, mos na braktis në fatin tonë të errët që na ka mbështjellë si dhimbje tragjike qysh prej vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbe edhe pas votimit në parlament. Mjeshtëria për t’ia gjetur dermanin çdo reforme është e frikshme. Ato (reformat) shpesh kanë vrarë veten nga depresioni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura