Operacioni ‘Ranishtja 1’/ Si u zbuluan 121 personat që u bënë “pronarë” të Spillesë

Feb 21, 2018 | 11:12
SHPËRNDAJE

Në vijim të operacionit policor “RANISHTJA”, policia ka arrestuar e ndaluar 8 zyrtarë publikë, si dhe shpalli në kërkim të 2 zyrtarë të tjerë.

spille

Në bazë të hetimit pro-aktiv rreth 1 vjeçar, ka rezultuar se këta zyrtarë në bashkëpunim me njeri-tjetrin duke abuzuar me detyrën funksionale, kanë falsifikuar dhe  tjetërsuar  rreth 110.000 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Spille, Kavajë.

Por si u arrit deri këtu? Çfarë u zbulua nga operacioni i parë?

Policia e Shtetit më 15 nëntor të vitit 2017 zbardhi skemën e tjetërsimit të 36 hektarëve tokë ranishte në bregdetin e Spillesë në Kavajë, ku u përfshinë 12 ish-zyrtarë lokalë.

Asokohe u arrestuan 10 persona si të përfshirë në skemën e abuzimit me pronat, është proceduar në gjendje të lirë një tjerë, ndërsa është shpallur në kërkim, ish-kreu i Hipotekës së Kavajës, Seid Cikalleshi, vjehrri i kreut të PS-së Kavajë, Gentian Daja. Burime nga Policia thanë se përfitues të pronave të tjetërsuara janë familjarë dhe të afërm të drejtuesve dhe ish-drejtuesve lokalë. Pas krijimit të kësaj skeme falsifikimi, pronarë të 36 hektarëve tokë, në sipërfaqe të ndryshme, janë bërë familjarë të ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, të kryesocialistit, Gentian Daja, si dhe të afërm të ish-nënprefektit të Tiranës, Fatos Kaja. Gjithashtu kanë përfituar edhe të afërm të ish-kryetarit të Komunës Kryevidh, Behgjet Pjeci dhe të ish-shefit të Zyrës Kadastrale të Kavajës, Nezir Lecini.

Gazeta “Panorama” publikon listën me emrat e 121 personave që kanë përfituar tokë në bregdetin e Spillesë, përmes skemës së falsifikimit të dokumenteve.

TJETERSIMI I PRONAVE

Zyrtarët e arrestuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe personin në kërkim Seid Cikalleshi, duke abuzuar me detyrën, kanë falsifikuar dokumentet, duke bërë ndryshim e zërit kadastral për një sipërfaqe prej 36 hektare tokë në vijën bregdetare Spille, Kavajë. Sipas Policisë, në parcelat me numër pasurie 1, 35, 37, 178, duke e tjetërsuar pronën nga tokë “Pa frut” në tokë “Arë”, kanë bërë ndarjen në mënyrë të kundraligjshme të kësaj sipërfaqe toke, në interes të tyre dhe personave të tjerë. Gjatë hetimeve paraprake, dokumentohet bashkëpunimi kriminal midis ish-punonjësve të Komunës Kryevidh, dhe punonjësve të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kavajë. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë krijuar në mënyrë fiktive komisione për ndarjen e tokës gjatë periudhës 2013-2016 dhe kanë realizuar tjetërsimin dhe ndarjen në mënyrë të jashtëligjshme të pasurisë shtetërore. Nga deklarimet e shtetasve që u janë shënuar emrat në Aktin e Marrjes së Tapisë së Pronës, rezulton se nuk pasur dijeni që janë pajisur me tokë e aq më tepër që nga viti 2000. Ata as nuk kanë bërë kërkesë dhe disa nuk janë pajisur me AMTP, si dhe rastet e personave të cilët kanë përfituar dhe tjetërsuar prona, pa ditur vendndodhjen e pronës apo personat që e kanë tjetërsuar. Pra rezulton qartë se një numër i konsiderueshëm AMTP janë shfaqur një ditë të caktuar, dhe janë bere objekt regjistrimi. Pjesa më e madhe e tyre deklarojnë se i kanë dhënë shtetasit Ilir Kaja vetëm kartën e identitetit, pas vitit 2011, dhe më pas janë paraqitur tek noterët për të bërë transaksione me persona që nuk i kishin takuar apo njohur më parë. Nga deklarimet evidentohet fakti që toka, e përfituar  në këto pasuri, është dhënë jashtë kritereve ligjore të përcaktuara në Ligjin 7501 “Për Tokën”, kjo pasi të gjithë deklaruesit e përmendur më sipër, janë plotësuar plotësisht me tokë nga komisioni i ndarjes së tokës që në vitin 1991, sipas normës për frymë që kishte çdo fshat.

 

Regjistrimi me shkresa fiktive” Si u tjetërsuan pronat në Kavajë

 

 

Drejtori i Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit, Lutfi Minxhozi, bëri të ditur se si funksiononte skema e tjetërsimit të pronave në Kavajë. Duke pasqyruar rezultatet e operacionit të koduar “Ranishtja”, gjatë të cilit u arrestuan 10 persona, një u procedua në gjendje të lirë dhe një tjetër u shpall në kërkim. Sipas tij, të arrestuarit Dashnor Çullhaj, ish-zyrtar i Komunës Kryevidh, iu gjetën dhe sekuestruan 37 certifikata pronësie, 14 kontrata shitblerje pasurie toke, 6 prokura të posaçme, akt i pjesëtimit vullnetar të pronësisë, shkresa origjinale për drejtorinë e pyjeve. Të arrestuarit Behxhet Pjeci, ish-kryekomunari i Kryevidhit, iu gjetën 7 plane rilevimi, disa kërkesa për regjistrim prone, 3 praktika regjistrim prone, disa AMTP etj. Të arrestuarit Ilir Kaja, zyrtar i Njësisë Adminisrative Kryevidh, në bagazhin e makinës private iu gjetën gjatë 8 praktika për institucionet shtetërore, 6 harta topografike të Spillesë, një plan rilevimi, etj. Dritan Kazazit, hartograf i Hipotekës së Kavajës, iu gjetën në banesë 23 AMTP, 1 kartelë pasurie dhe 5 kontrata shitblerje pasurish. Këto dokumete të sekuestruara lidhen me sipërfaqen e tjetërsuar nga tokë shtet në tokë arë. “Ky grup kriminal, për arritjen e qëllimit, ka vepruar në këtë mënyrë: Përpara se të përpilonin certifikatat e pronësisë, fillimisht identifikonin banorët e mirëbesuar, të cilët do të përfitonin padrejtësisht tokën. Më pas identifikohej blerësi dhe bëhej regjistrimi i menjëhershëm në hipotekë, si dhe akti i shitblerjes së pasurisë. Këto akte në shumicën e rasteve, kryheshin pa u vënë në dijeni banorët në emrat, të cilëve u përpiloheshin dokumentet e pronësisë. Ilir Kaja, Fatos Kaja dhe Bexhet Pjeci, duke pasur dijeni mbi gjendjen faktike të tokës pa frut shtetërore, kanë organizuar fiktivisht komisione të ndarjes së tokës në mënyrë të jashtëligjshme dhe kanë plotësuar fiktivisht AMTP, në emër të banorëve duke u firmosur nga anëtarët e komisioneve si, Agron Xhelezi, Nezir Leçini, Dashnor Çullhaj, dhe Bajram Dorzi, etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura