Open Balkan, si përforcim i aleancës strategjike me SHBA

Sep 22, 2021 | 9:00
SHPËRNDAJE

ALQI BLLAKO

ALQI“The economy, stupid”, shprehja e famshme e James Carville, vlen jo vetëm për fushatat dhe vendimmarrjet politike të brendshme, por është një shtyllë kryesore edhe e gjeopolitikës së çdo shteti. Theksi tek ekonomia është arsyeja pse unë besoj që Open Balkan është mundësi që Shqipëria të përforcojë edhe më tej aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë e bazoj mbi tri argumente kryesore: SHBA duket se po fillon punën mbi prioritetin e shpallur të biznesit, pra, aspekti kohor; gjithashtu, një treg i zgjeruar i Open Balkan do të ishte shumë më tërheqës për më shumë investime të huaja direkte nga korporata amerikane në vendin tonë, aspekti tregtar; për më tepër, partneriteti ynë strategjik me SHBA do të futej në marrëdhënien tradicionale simbiotike, edhe brenda Open Balkan.

Së pari, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se janë gati të merren tashmë me biznesin, me zhvillimin e dyanshëm të tij; si një nga tri prioritetet e tyre në Shqipëri, pasi kanë kohë që punojnë mbi dy të tjerat, Sigurinë dhe Demokracinë. Sundimi i ligjit dhe i shtetit të së drejtës ka kohë që ka hyrë në rrugë të mbarë dhe pa kthim pas. Asnjë aleancë strategjike nuk mund të jetë afatgjatë dhe solide, nëse në mes nuk ka një komponent të fortë të bashkëpunimit ekonomik.

Ndaj, mbas dy fazave të para të formësimit si kurrë më parë të kësaj aleance nëpërmjet aspektit ushtarak – prioriteti i Sigurisë – ku shumë shpejt do të fillojë puna për ndërtimin e bazës ushtarake të NATO-s në Kuçovë dhe aspektin e sigurisë juridike jetësuar nëpërmjet Reformës historike në Drejtësi – që lidhet me prioritetin e Demokracisë – është pa diskutim radha e jetësimit të aspektit të fundit, atij të bashkëpunimit dhe ndërveprimit ekonomik. Në marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ardhur momenti që elementi strategjik i radhës për t’u përforcuar të jetë ai ekonomik.

Së dyti, nëse do ta shohim në perspektivën e analizës që një biznes amerikan bën për të investuar ose jo në Shqipëri, madhësia e tregut është një element tejet i rëndësishëm. Në kushtet kur proceset integruese në BE kanë hyrë në një hulluk deri diku nacionalist dhe aspak racional, mënyrat për të çuar përpara frymën e Procesit të Berlinit, siç synon Open Balkan, janë alternativat më konkrete ndaj status quo-së së një tregu të vogël dhe aspak tërheqës në kuptim të biznesit. Ky është një argument që kundërshton vetvetiu edhe kritikët, të cilët janë paradoksalisht mbështetës të integrimit në BE, një treg me konkurrencë edhe më të fortë se Serbia.

Pra, të qenit pjesë e një tregu rajonal do të bënte vendin më tërheqës për kapitalin e madh perëndimor, ku ai amerikan luan një rol mjaft të rëndësishëm në ditët e sotme. Së fundmi, përmes marrëdhënies strategjike që kemi dhe do të kemi me SHBA, Open Balkan kthehet në një shans historik, pasi është garancia e fundit dhe e domosdoshme që Shqipëria të kthehet shumë shpejt në një hub zhvillimor ku ‘Know-How’ dhe kapitali potencial amerikan, që unë besoj do të jetë prezent së shpejti, do të zbehin çdo disavantazh konkurrues apo krahasues që Shqipëria mund të ketë jo vetëm me vende, si Serbia por edhe me shtete të tjera.

Shqipëria dhe shqiptarët janë aleatë strategjikë të SHBA në Ballkan dhe si rrjedhojë do të jenë të tillë edhe në Open Balkan. ‘Know How dhe pjesëmarrja aktive e investimeve direkte amerikane në vend, do të na udhëhiqnin në objektivat tona ekonomike dhe strategjike, drejt Bashkimit Europian. Duke e përmbledhur, Open Balkan është mundësi për të përforcuar aleancën tonë me SHBA, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se janë gati të merren tashmë me biznesin.

Open Balkan do të tërhiqte më shumë investime në vend, ku kapitali dhe interesat amerikane përfshihen drejtpërdrejt prej një tregu më të gjerë, ndaj ne do të ishim edhe më të faktorizuar si aleat strategjik në një skenë të zgjeruar gjeopolitike, ku marrëdhënia tradicionale do të zhvendosej në kontekstin e ri të Open Balkan. Ne nuk do të ndalemi në rrugën e nisur drejt BE-së, familjes sonë të madhe, por edhe Bashkimi Europian do të nisë të konsiderojë se integrimi është një proces me interes reciprok ekonomiko-tregtar, dhe jo vetëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura